Një bashkëpunim me Harvardin që në fillim të viteve 2000. Rama: “Doja një qeveri me ministra që nuk kanë qenë të tillë. Përvoja e vret inovacionin”

Postuar në 20 Nëntor, 2014 21:44

“Harvard gazette” shkruan këto dy ditë për Shqipërinë dhe për bashkëpunimin që qeveria shqiptare ka vendosur me Fondacionet për Shoqërinë e Hapur, që përmes Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar, synon të adresojë rrugët e rimëkëmbjes ekonomike të vendit tonë.
I është kushtuar rëndësi edhe konceptit të kryeministrit për qeverisjen, kryesisht në planin politik dhe atë të burimeve njerëzore. “Ne kemi qeverinë më të re në historinë e Shqipërisë. Zgjedhja ime ishte që të kishim ministra që nuk kishin qenë kurrë më parë ministra. Në politikë përvoja është ajo që vret inovacionin dhe reformat”, citohet kryeministri shqiptar. Më tej jepen disa të dhëna se ku konsiston më konkretisht ky bashkëpunim dhe se kush janë personat më të përfshirë në të. Ndër më kryesorët është Ricardo Hausmann, profesor i praktikës së zhvillimit ekonomik në Harvard Kennedy School. Hausmann ka qenë ministër edhe në qeverinë e Venezuelës dhe shfaqet shumë dashamirës dhe optimist për vendin tonë. Por po kaq optimist shfaqet edhe ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, që madje deklaron se hulumtimet e grupit të Harvardit “po na ndihmojnë ne që të strukturojmë dhe ristrukturojmë sektorët dhe nënsektorët”. Ndërsa Hausmann shprehet në mënyrë racionale se “nuk ka asnjë arsye, përveç keqmenaxhimit në këto 60 vjet, që Shqipëria të mos ketë të ardhura për frymë si Greqia dhe Italia”, konkluzionet e Ramës dhe Ahmetajt janë disi të papritura. Sipas tyre, arritjet si shtimi me 26 për qind e eksporteve, analizat e bëra dhe reformat e nisura, i atribuohen pikërisht ndihmës nga ekipi i Harvardit.
Fillesat e bashkëpunimit
Por si zë fill ky bashkëpunim, në kuadër të të cilit zhvillohet ky projekt dyvjeçar? “HG” sqaron se personi “kyç” në këtë histori është Elaine Papoulias, drejtore ekzekutive e Minda de Gunzburg Center for European Studies dhe një ish-drejtuese e Kennedy School’s Kokkalis Program për Europën Juglindore dhe Qendrore. Ajo sqaron se projekti aktual është një zgjatim i marrëdhënies mes Ramës dhe Harvardit që zë fill që në fillim të viteve 2000 kur Edi Rama ishte kryetar bashkie. Një vizitë e tij në vitin 2003, në kuadër të disa leksioneve, dha mundësinë që Papoulias të pikaste një lider ballkanik ndryshe. Dhe duke menduar për ekspertizën që do të kishte nevojë Shqipëria, Papoulias thotë, që Rama filloi të nxiste të rinj të talentuar që të kualifikoheshin në të njëjtën shkollë, si në Cambridge, ashtu edhe në Greqi. Kualifikimi vazhdon ende, sa kohë që Hausmann ka siguruar një grant për trajnime të nevojshme për 6 nga ministrat e qeverisë, përveç faktit se studentë dhe specialistë të HKS kanë ardhur në Shqipëri për shkëmbim përvoje, studim dhe bashkëpunim.
Në fund mund të thuhet se është një artikull, që përveçse i bën jehonë përpjekjeve të qeverisë shqiptare, zbulon edhe rëndësinë që i kushtohet nga kryeministri bashkëpunimit me këto qendra që ngjan si përcaktues për politikat kryesore ekonomike që po trumbetohen.
http://news.harvard.edu/gazette/story/2014/11/helping-albani...
S.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.