Ndeshja e Beogradit, sport, por edhe katalizator dhe riafirmim i nacionalizmit shqiptar dhe atij serb

“Opinion” ka marrë sot në shqyrtim ngjyrimin nacionalist që pasoi ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd më 14 tetor. Duke lënë mënjanë aspektin teknik, që i përket UEFA-s të vendosë, paneli i diskutantëve, është përqendruar te çlirimi emcional i ndeshjes dhe krijimi i një lloj kori të përbashkët nacionalist. Ka patur një mendim të përgjithshëm sipas të cilit ndeshja në fjalë rikonfirmoi një ndjesi kombëatre të një lloji tjetër te brezi i ri. Dhe se kjo është për t’u përshëndetur. Ky ka qenë të paktën qëndrimi i Poreç Zogajt dhe Mentor Nazarkos. Çështja ka shumë rëndësi, pasi në këtë rast, një ndeshje po shërben si lakmues i humorit të shoqërisë dhe sesi ai duhet kapitalizuar, apo ku mund të çojë. Fatos Lubonja është i mendimit se një nacionalizmë me retorikë të kësaj natyre dhe që aktivizohet nga ngjarje që në thelbin e tyre nuk thonë ndonjë gjë, dëshmon sesa mbrapa shoqëria jonë ka mbetur. Lubonja është i mendimit se nuk mund të ketë krenari si kjo, në kushtet e një Shqipërie në mizerje dhe me një mijë e një probleme. Dhe siç theksoi ai, historia provon se nacionalizmi në Ballkan nuk mund të jetë politikë zhvillimi, por politikë çorientimi dhe pse jo, shkatërrimi. Debati ka shtruar edhe një pyetje të tillë: pse duhet dikush të ndjehet krenar se është shqiptar? Moderatori Fevziu, ka dhënë disa arsye: “Jemi më të lirë se më parë dhe qoftë edhe në planin sportiv, barazimi në 42 minuta me Serbinë, është shumë herë më mirë, sesa rezultatet e kombëtares sonë me Ish-Jugosllavinë”. E gjitha kjo temë rihyn në aktualitetin politik, kur pritet një vizitë e Edi Ramës në Beograd, Glauk Konjufca, i “Vetëvendosjes” ka deklaruar se në marrëdhëniet me Serbinë kërkohet paritet, qoftë edhe duke vështruar me realizëm atë çfarë ndodhi në Beograd. “Ai stadium është një moazik i shoqërisë serbe”, tha Konjufca. Sipas tij, nuk ka pse të shihet kundërthënie teksa njerëzit mbrojnë në një moment interesat nacionale, pavarësisht se në planin e brendshëm përballja me problemet ekzistenciale është urgjente. Ajo çfarë duhet të theksohet është se shqetësimi që po sjell ndeshja, lidhet me pikasjen e një ndjenje nacionaliste te brezi i ri, por ndryshe nga instrumentalizimi bajat i Aleancës Kuq e Zi, ai po persiston si element i qëndrueshëm dhe që merr në pyetje morale dhe moralizuese politikën dhe vendimet e saj. Për këtë arsye vizita e Ramës dhe sigurimi i një axhende përfaqësuese po mbahen vetiu në vëmendje. Më tej akoma: askush nuk e di se çfarë mund të prodhojë ky neonacionalizëm. Mentor Nazarko është shprehur optimist për këtë ndjesi, nisur nga historia politike e Shqipërisë, që ka parë në krye shpesh njerëz që marrin vendim vetëm për xhepin e tyre. Në pamje të parë, ky nacionalizëm, ngjan se fryn atë “zjarr” që kërkon të mbajë ndezur Serbia me retorikën e vet të Shqipërisë së Madhe, por “poshtë” tij mund të dallohet një pakënaqësi e madhe, në Shqipëri dhe në Kosovë, apo edhe te shqiptarët e Maqedonisë, e të rinjve për gjendjen e vendit të tyre. Dhe nëse ato që jasnë shpallur si parime të politikës shqiptare, si dialogu, integrimi, apo bashkëjetesa dhe toleranca, gërryhen kaq shumë në realitetin shqiptar saqë të perceptohen thjesht si mjete ligjërimore, atëherë bashkë me rënien e kësaj klase, rrezikon të bien edhe vetë këto parime. Është ende herët për të vlerësuar sesa e ekzagjeruar është kambana që i bie Lubonja, por është koha e duhur për të vlerësuar se kjo politikë po ngushton perspektikën e vet.
s.z
Add new comment