Në Itali pritet të hapen kutitë e votimit; por mbretëron pesimizmi

Votimet italiane mbyllen në orën 15.00. Menjëherë më pas, do të krijohet një ide mbi rezultatet e partive apo të koalicioneve, e në orët e mbrëmjes do të dihet se cilat janë shifrat me saktësi. Por kjo nuk ngushëllon askënd. Të gjithë janë të sigurtë se rezultati, sidoqë të jetë, nuk do të prodhojë një maxhorancë e një qeveri të qëndrueshme (në mos, nuk do të ketë asnjë lloj maxhorance). Është ligji elektoral, tok me numrin e partive apo të koalicioneve që pritet të afirmohen (ligji elektoral është ndërtuar për të inkurajuar e përforcuar sistemin politik me dy parti, ndërsa këtë herë janë të paktën katër parti, a grupe, që do të afirmohen fort), që mund ta sjellë këtë situatë; është dhe prania e personazheve si Berlusconi e Grillo që “i hedhin kripë shëllirës”.
E në këto rrethana, media italiane dominohet nga pesimizmi. Pardje, Sergio Romano kish shkruar një artikull me titull “Il principio della realtá”, në il Corriere della Sera, në të cilin sforcohej për të qenë optimist; në të vërtetë, shkrimi kullonte pesimizëm. Dje ish Eugenio Scalfari, në la Repubblica, që shpresën e vetme e kish tek ndonjë “rebelim” i mundshëm i deputetëve të Grillos pas zgjedhjeve, ndërsa sot ishte opinionisti Aldo Cazzullo, i së përditshmes il Corriere della Sera, që nuk e fshihte konfuzionin e dëshpërimin e vet. Përkundrazi, kërkonte koincidenca që e theksonin këtë tollovi. Ja se si e fillonte ai shkrimin: “Sot pasdite nuk do jemi në gjendje të marrim vesh se kush do jetë kryeministër i vendit në legjislaturën e re. Për më tepër, nuk do të dimë as emrin e Presidentit të ardhshëm të Republikës (do duhet të zgjidhet në prill-maj, pasi Napolitanos i mbaron mandati, dhe ai s’ka ndërmend të kërkojë mandat të dytë. M.N.). E pas ca orësh do të mbetemi edhe pa Papë. Kemi të bëjmë me një rrethanë që e ka shastisur vendin: nuk ka pika referimi, pallatet e institucioneve do të jenë bosh”.
M.N.
Add new comment