Lubonja e Zhiti flasin për “letërsinë e bërë në burgje e mbi burgjet”

Gazetarja e Mapos, Aida Tuci, ka intervistuar Visar Zhitin e Fatos Lubonjën lidhur me kujtimet e burgut të hedhura në letër, dmth letërsinë e burgut. Që të dy këta autorë kanë shkruar mbi këtë argument. Pyetjet që u janë bërë atyre janë të njëjta, dhe ne veçuam pyetjen e parë: Cila është arsyeja që ju shtyn të shkruani kujtimet e burgut?
Fatos Lubonja: “Filozofia ime e jetës, e ndërtuar pak nga pak edhe sot, sidomos me burgun e mbrapa është: në jetën e njeriut ka dy seri ngjarjesh. Një seri ngjarjesh që na ndodhin për shkak të fatit tonë që vjen nga zotat ose diktatori, por është dhe një seri tjetër ngjarjesh që nuk varet nga vullneti i zotave dhe diktatorit, por nga ne vetë, që i diktojmë me vullnetin tonë. Në jetë njeriu lufton që fatin e tij ta bëjë destinacionin e jetës së tij. Në rastin konkret ishte vullneti i diktatorit që përcaktoi fatin tim dhe të hyja në burg, por isha unë që këtij fati u mundova t’i jepja një kuptim. Meqenëse kisha një prirje për letërsi, gjithçka që unë kam vuajtur në njëfarë mënyre e kam parë dhe me idenë se duhet shkruar që atëherë pa patur më idenë se në fund fare do lirohem dhe do të kem mundësi t’i bëja libër ato që shkruaja. Unë atëherë mendoja se do dilja 60 vjeç nga burgu. Dhe nuk është e rastësishme që unë kam shkruar në letra cigareje kur isha në burg. Në burg kam bërë edhe shumë përkthime. Njëkohësisht kam shkruar ditarin e burgut, që është një nga format e të shprehurit, ashtu sikurse është dhe një pjesë e rëndësishme e letërsisë së kujtimeve, që përgjithësisht në Shqipëri mungon, letërsia epistolare. Letrat e shkruara nga burgu, korrespondencat që unë kam me babain dhe nënën time, e cila shkruante një letër në javë, dhe letra ishte katër faqe. Të gjitha këto janë mënyra komunikimi. Dua të them se ideja primare nuk ishte për të shkruar një libër, por ishte një mënyrë komunikimi e njeriut me vetveten dhe me të tjerët. Kështu që në njëfarë mënyre ky komunikim fillon me burgun, por vazhdon dhe me post-burgun.”
Visar Zhiti: “Përvoja, ndërgjegjja dhe përgjegjësia, besoj. Si çdo autor, që kur bindet se ka diçka për të thënë, e cila ia vlen dhe duhet, ulet dhe shkruan. Por sipas meje, për një shkrimtar dhe poet janë kujtime burgu dhe romanet e tij, dhe poezia e tij. Burgu, i cili sintetizon më mirë se gjithçka një shoqëri, kohën dhe sistemin, jep mundësinë që ti të zbulosh një të vërtetë dhe nëpërmjet saj të shpalosësh moralin kolektiv dhe individual. Ndërgjegjen e kohës. Këto janë pak a shumë shpjegimet e mia, por joshjet për t’i shkruar ato si letërsi, ku dokumenti të shndërrohet në dokument artistik, janë nga më misteriozet dhe më të pashpjegueshmet. Mbase për të shpikur liri sa më shumë, siç nxjerrim ujë nga një pus i errët. Por që të jem më konkret me përgjigjen, më i rreptë, dua që ashtu siç më pyetët ju mua, njerëzit të kërkojnë: cilat janë arsyet që të ndjehet nevoja e burgut, pse u burgosën njerëz, çfarë bënë ata në burg? Që të bëhen të përgjegjshëm për të përballuar realitetin e për të bërë një realitet më të mirë. S’e di sa e mundur është, unë bëj detyrën e paracaktuar.”
Për t’i lexuar të plota intervistat e tyre ndiqni linkun: http://www.mapo.al/2012/08/06/fatos-lubonja-rijetimi-i-burgut-si-perpunim-i-traumes/ dhe linkun tjetër: http://www.mapo.al/2012/08/06/visar-zhiti-ndjej-deshiren-e-papermbajtur-ta-kthej-vuajtjen/
Re.Pu.
Add new comment