Kritikët në Moskë bëjnë copash "Ana Kareninën angleze"

Postuar në 24 Janar, 2013 04:11

Kritikët në Moskë i kanë parë gjithmonë me përbuzje përpjekjet e Perëndimit që të realizojnë në ekran klasikët rusë. Versioni i David Leanit, (1965) i Doctor Zhivagos me Omar Sharifin si protagonist, u përqesh kur u shfaq për herë të parë në Rusi në vitin  1990. E njëjta gjë po ndodh me filmin britanik “Ana Karenina” që po shfaqet këto ditë në kinematë europiane. Mediat ruse kanë vënë në lojë akcentin e aktorëve të huaj që këndonin rusisht, shprehjen e fytyrës së Keira Knightley, (aktorja që ka rolin kryesor) dhe shumëcka tjetër nga filmi.
E përditshmja ruse “Trud” shkruan se "Ana Karenina angleze" është shumë e dobët në peshë dhe nuk ka lidhje me identikitin e femrës ruse, kurse Lidya Maslova, një kritike për gazetën Kommersant, shkruan se flokët e aktores dukeshin si “koka e Meduzës me gjarpinj”.
Dmitry Bykov, një poet i njohur dhe figurë opozitare e Rusisë, tha se Joe Wright ka  qenë “mospërfillës, përçmues dhe egocentrik" në përdorimin e njërit prej klasikëve më të mëdhenj të Rusisë për një "eksperiment të panatyrshëm", dhe thotë se ka "pështyrë mbi kuptimet e fshehura të librit". E përditshmja britanike Daily Telegaph shkruan se Bykov ka thënë edhe se "duhet të futet një embargo parlamentare për të gjitha punët e ardhshme të aktores Keira Knightley" dhe se "Filmi i Wright-it mund të blihet apo të shfaqet në Rusi vetëm nëse shteti është çmendur”. Wright dhe Knightley nuk u janë përgjigjur kritikave ruse, përfundon artikullin gazeta. A.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.