K. Krisafi hamendëson një dredhi greke. “Mund të avancohet ideja e një kompromisi: “Na jepni detin, t’ju japim Vjosën”. “Harrohen” projektet shqiptare që i vënë dërrmën lumit

Ksenfofon Krisafi, specialist i të Drejtës Ndërkombëtare, shkruante dje në “Gazeta Shqiptare” për çështjen e Vjosës dhe nevojën e rregullimit të regjimit të ujërave me Greqinë. Pasi bën një kronologji të diskutimeve në këtë drejtim, që zë fill që nga fillimi i viteve ’80 e në vijim, Krisafi nënvizon nevojën e ndërhyrjes së shpejtë të palës shqiptare. Dhe për këtë hedh edhe idenë se ajo që po ndodh në Athinë, pra trajtimi i çështjes në Këshillin e Lartë të Shtetit, mund të jetë edhe një lojë. “Nuk përjashtohet që skenari që po zhvillohet në Athinë lidhur me këtë çështje, të jetë edhe një simetri e sajuar për të dalë te një qëndrim i stisur, i ngjashëm me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i vitit 2010, që hodhi poshtë si të paqenë marrëveshjen për kufijtë detarë. Mbi këtë bazë mund të avancohet ideja e një kompromisi: “Na jepni detin, t’ju japim Vjosën”, shkruan Krisafi(http://www.balkanweb.com/site/per-zhvillimet-mbi-rrjedhen-e-...). Pra, ankesa e disa bashkive të Greqisë në Këshillin e Lartë të Shtetit, bashkë me disa shoqatata mjedisore greke, për Krisafin, mundet edhe të jenë lojëra të stisura për të rinegociuar marrëveshjen e detit me Shqipërinë. Ndoshta është edhe kështu, por gjithsesi do kujtuar këtu se po mënjanohet argumenti i ndërtimit të disa HEC-ve në Vjosë nga kompani të licencuara nga shteti shqiptar, ndikimi i të cilëve në mjedis pritet të jetë shkatërrimtar. Për këtë profesori Aleko Miho, bënte një shkrim të gjatë në gazetën “Shekulli” ku shkruante ndër të tjera se: “Sipas një studimi për vlerësimin e potencialit hidroenergjitik, të përfunduar në vitin 1990, mbi lumin Vjosë përcaktohen 8 HEC-e me kapacitet të përgjithshëm 500 MW, ndërsa energja elektrike e prodhuar vlerësohet në 2.2 TWh. Pra në planet hidroenergjetike ekziston mundësia për ndërtim deri në 8 diga gjatë gjithë rrjedhës së lumit nga Mifoli deri në Përmet. Diga e Kalivaçit është e para që ka filluar të ndërtohet (qysh në 2007); në dy vitet e fundit, punimet në kantierin e digës janë ndërprerë (në nivelin 30%). Sot rrjedha e Vjosës është ende e lirë - por edhe për sa kohë? Diga e Kalivaçit do të ndalojë e para rrahjet e zemrës blu të gjithë ekosistemit, duke ndërprerë korridorin e lirë ujor nga malet deri në Detin Adriatik. Për më tepër në degët lumore anësore e të Vjosës janë dhënë leje ndërtimi apo janë ndërtuar tashmë mbi 20 HECe (disa i përmendëm më sipër), të cilët së bashku janë trysni shtesë mbi vlerat natyrore, të biodiversitetit dhe të zhvillimit të turizmit në zonë. Për më tepër, në zonë nuk kanë munguar dëmtimi i pyjeve në shpatet kodrinore-malore, shfrytëzimi i tepruar për inerte në shtratin e Vjosës, Drinos dhe Shushicës dhe ndotja nga shkarkimet e ujërave të patrajtuara…”(http://www.shekulli.com.al/p.php?id=220935). Për këtë nuk protestohet nga ata që trashin zërin televizioneve, apo ftohen në çdo studio. Për këtë nuk flet asnjë nga qeveria shqiptare që mjaftohet të shërbejë në media gjysmë informacione, sa për të ngatërruar një çështje teknike me emocionet patriotike që katapultohen në protesta civile.
s.z
Comments
Eshte budallallek ekologjik
<p>Eshte budallallek ekologjik bllokimi i Vjoses me HECe. Shqiptaret e kane zor te mendojne ndryshe. Meqe ne kohe te Qoftelargut energjia vinte nga HECet keshtu duhet te jete deri ne amshim. Mblidhni mendjen, po doni energji pa demtuar ambjentin, vetem dy jane zgjidhjet, afat shkurtra dhe e shpejte "gazi natyror", afat gjate dhe me e ngadalte sepse kerkon pergatitje, por qe jep garanci per te ardhmen "berthamorja".</p>
Add new comment