Intervista/Rritja ekonomike 3% për vitin 2015, e realizueshme. Bujqësia do të jetë prioritet absolut i ekonomisë. Nevojitet një politikë industriale e re, që nuk mund të jetë industria “famëkeqe” e fasonëve, por ajo e vlerës së shtuar

Postuar në 05 Nëntor, 2014 07:16

Selami Xhepa, Instituti Kanadez i Teknologjisë, Tiranë

Ekonomia ka zënë atë vend që duhet të kishte në diskutimin publik shqiptar. Të paktën që pas vitit 2009-2010, politika është nën presionin në rritje të opinionit për çështjet ekonomike, duke qenë se këtu është edhe sfida e vërtetë për vendin. Me qeverinë e re, e cila publikoi një program elektoral me premtime spektakolare, vëmendja tek ekonomia është bërë kryesore. Ka kaluar një vit dhe diçka mund të thuhet për këtë qeverisje, sidomos sepse ajo ndryshoi edhe politikën fiskale. Në një intervistë për “ResPublica”, Selami Xhepa, i Institutit Kanadez të Teknologjisë në Tiranë, ish-zv.ministër i Financave, trajton çështjet kryesore, duke u ndalur te menaxhimi i situatës, ristrukturimi i ekonomisë dhe rikthimi i FMN-së.

 

“...nuk ka dyshim se prioritet absolut i ekonomisë në dekadat që do të vijnë është bujqësia. Shumë studiues besojnë se rënia e normave të kthimit të investimit nga tregjet financiare, do të shoqërohet me rritjen e normave të kthimit të investimeve në bujqësi...”

 

“...pritshmëritë janë se vendi gradualisht do të futet në një trajektore të një rritje më të fortë në vitet që vijnë. Procesi i shërimit ekonomik do të jetë shumë i ngadalshëm dhe fatkeqësisht deri në të ardhmen e afërt, ritmet e rritjes së ekonomisë do të vazhdojnë të mbeten modeste...”

 

ResPublica: Zoti Xhepa  si po ecën ekonomia, a jemi në kushtet e rritjes së prodhimit dhe krijimit të një modeli të ri ekonomik siç është edhe ambicia e maxhorancës?

Shërimi i ekonomisë po provohet se është një proces që kërkon shumë kohë. Pavarësisht se faktorët e brendshëm dhe të jashtëm po bëhen më ndihmues, efekti negativ që shkaktoi kriza globale, e ndihmuar edhe nga akumulimi i disbalancave të brendshme – rritjet e borxhit publik, rritja e borxheve të fshehta, përkeqësimi i portofolit të kredisë në ekonomi – vazhdon të mbajë ekonominë në një gjendje pasigurie dhe të një rritje anemike. Kemi parë se gjatë viteve të fundit, disa herë janë shfaqur shenja të rënies së ekonomisë në disa tremujorë të veçantë, siç ishte dhe tremujori i dytë i këtij viti. Ka një volatilitet të shtuar të sjelljes së ekonomisë, që mund të shihet si dëshmi e pasigurive prezente. Megjithatë, pritshmëritë janë se vendi gradualisht do të futet në një trajektore të një rritje më të fortë në vitet që vijnë. Procesi i shërimit ekonomik do të jetë shumë i ngadalshëm dhe fatkeqësisht deri në të ardhmen e afërt, ritmet e rritjes së ekonomisë do të vazhdojnë të mbeten modeste. Lidhur me “modelin ekonomik të ri”, që të jem i sinqertë nuk e kam lexuar në asnjë manual apo program qeveritar se çfarë tiparesh themelore pritet që ai të ketë, dukshëm të ndryshme nga ato që ekonomia ka gëzuar edhe deri më tani.

ResPublica: Flitet për nevojën e ristrukturimit të ekonomisë. Cili duhet të jetë profili i ekonomisë shqiptare në kushtet e nevojës për ristrukturim, në perputhje me politikat qeverisëse dhe në perspektivën e përfshirjes në tregje më të gjera se ai nacional?

Sigurisht që ekonomia ka nevojë për reforma që ajo të ristrukturojë vetveten. Procesi i ristrukturimit të ekonomisë është një proces që ndodh më shumë vetiu, nga veprimi i forcave të tregut, se sa nga ndërhyrjet e dorës së qeverisë. Kështu ndodh në çdo vend që ka zgjedhur këtë formë të sistemit ekonomik dhe politik. Ajo çfarë është e rëndësishme për qeverinë është që, duke kuptuar qartë drejtimin e sektorëve të ekonomisë, të ndikojë me politika të veçanta duke fuqizuar ato prirje që janë të natyrshme. Ndërsa në raste të tjera, duke parë trende përkeqësuese në sektorë të caktuar, të fillojë të mendojë mënyrat dhe politikat e realizimit të përshtatjeve të duhura. Për shembull, nuk ka dyshim se prioritet absolut i ekonomisë në dekadat që do të vijnë është bujqësia. Ndryshimet demografike do të vendosin aspektet e sigurisë ushqimore, qoftë në kuptimin sasior dhe atë cilësor, si të një rëndësie parësore. Edhe dështimi i tregjeve financiare i provuar nga kriza që po përjeton shoqëria njerëzore, do të ketë si pasojë të vet finale një ndryshim të rëndësishëm në normat e kthimit të investimeve në sektorë të ndryshëm. Shumë studiues besojnë se rënia e normave të kthimit të investimit nga tregjet financiare, do të shoqërohet me rritjen e normave të kthimit të investimeve në bujqësi. Për të gjitha këto arsye, mendoj se investimet në bujqësi dhe mbështetja publike për këtë sektor, duhet të jenë një prioritet madhor i qeverisë. Argumenteve të mësipërme thjesht ekonomike dhe financiare në rastin e vendit tonë i shtohen edhe problemet që shfaq profili social i zonave rurale.  

Nga ana tjetër, kemi sektorin e ndërtimit që po shënon tkurrje të aktivitetit të vet. Kjo prirje që me gjasa do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kërkon një program të mirëfinancuar të ripërshtatjes së fuqisë punëtore për një treg të ri. Fatkeqësisht, duke patur parasysh edhe profilin arsimor të kësaj kategorie të fuqisë punëtore, mendoj se ripërshtatja e kësaj kategorie për industri të tjera do të kërkojë kohë dhe mjete financiare të konsiderueshme. Në përgjithësi, studiuesit deri më sot e kanë konsideruar rritjen e peshës së sektorit terciar të shërbimeve, si një konvergim me strukturën ekonomike të vendeve të përparuara. Unë do mbështesja tezën se ky ndryshim strukturor i ekonomisë është në të vërtetë pjesë e procesit të deindustrializimit se sa një ndryshim natyror i përshtatjes së strukturave ekonomike me ato të vendeve të zhvilluara. Argumenti është se vetëm në vendet e zhvilluara, kur të ardhurat e qytetarëve janë të larta, kërkesa për shërbime është e lartë. Dhe struktura e përdorimit të të ardhurave në Shqipëri, ku më shumë se gjysma e të ardhurave shkojnë për konsumin e mallrave dhe shërbimeve bazë, shkon në mbrojtjen e tezës sime. Kjo do të thotë, pra, se nevoja për të ndërtuar një politike industriale të re është më evidente se kurrë. Por kjo industri e re nuk mund të jetë industria “famëkeqe” e fasoneve, por një industri e vlerës së shtuar.  U zgjata pak në këtë pikë për të nënvizuar edhe një herë se detyra e qeverisë është që të studiojë këto procese që po ndodhin në ekonomi, dhe të ndërtojë politika që i forcojnë lidhjet pozitive dhe dobësojnë ato hallka të zinxhirit ekonomik që nuk i përshtaten një shoqërie që mendon të shkojë drejt modernizimit. Elementë të tillë, të paktën unë, nuk i gjej të materializuara si një filozofi e re pune në programin buxhetor.  

ResPublica: Partia Socialiste në programin e vet është shprehur me termat: Zëvendësim i taksës së sheshtë me taksimin e ndershëm, vendosje e drejtësisë sociale përmes taksimit progresiv për të ardhurat personale. Si jemi ne krahasim me këtë premtim dy vjet më pas?

Zgjedhja e sistemit të taksimit në gjykimin tim ishte më tepër një preferencë ideologjike se sa një nevojë ekonomike dhe sociale e vendit. Personalisht mbetem i bindur se taksa e sheshtë, me disa modernizime që mund t’i bëhesin qoftë duke rritur pak nivelin e taksës dhe duke e shoqëruar atë si me rritjen e pragut përjashtues të aplikimit të tatimit, si dhe me kreditim taksash apo shpenzimesh të njohura për familjet me të ardhura të ulëta, do të kishte qenë një zgjidhje shumë më e dobishme ekonomikisht dhe do të ruante fort elementët e drejtësisë sociale. Nuk mendoj se sot, pas dy vjetësh, të varfërit ndjehen më të pasur dhe që të ardhurat e tyre reale janë shtuar, ndërsa ndikimi i tyre në biznes ka qenë dukshëm negativ. Edhe tek shtresat e mesme të vendit, që në një këndvështrim klasor, forcimi dhe zgjerimi saj mendoj se duhet të jetë një objektiv i rëndësishëm për shoqërinë, ky ndryshim i taksimit ka ndikuar negativisht. A ka krijuar më shumë të ardhura ky sistem taksimi? Deri tani ndikimi është mjaft modest – sivjet ekonomia do të grumbullojë vetëm gati 24 miliardë lekë (240 milionë dollarë) më shumë se në vitin 2011, kur vendi ishte me taksën e sheshtë. Në tërësi, gjykoj se politikat fiskale tek ne akoma ruajnë ngjyrime të forta populizmi dhe pak rëndësi i kushtohet modernizimit të vërtetë të sistemit. Besoj fort në tezën se pabarazia mund të luftohet më mirë me politika rishpërndarjeje nga krahu i konsumit dhe jo nga taksimi i të ardhurave.

ResPublica: Pse qeveria duket sikur ka pamundësi për të realizuar programin e vet? Nga realiteti që gjeti apo se gjatë qëndrimit në opozitë nuk vlerësoi siç duhet situatën për të bërë një program realist?

Të dyja janë të vërteta: edhe realiteti ekonomik ishte përkeqësuar në mënyrë të shpejtë gjatë viteve të fundit, edhe sensi i realizmit mungon, siç ndodh rëndom në fushata elektorale. Ndikimet e krizës së huaj u bënë gjithnjë e më negative: me rënie të prurjeve të remitancave që në rastin e vendit tonë kanë patur një rëndësi të madhe ekonomike dhe sociale; me rritjen e kostove të financimit të deficitit, i cili tani thith rreth 3.5-3.8% të PBB-së; me presionin negativ mbi tregun e punës për shkak të rikthimit të emigrantëve, etj.. Edhe kushtet e brendshme gjithashtu kanë shënuar përkeqësime në vijimësi: siç e nëvizova dhe më lart, me rritjen e borxhit publik, me rritjen e kredive me probleme, me përkeqësimin  e menaxhimit të sektorit të energjisë elektrike, me problemet serioze të trashëguara prej kohësh të skemës së pensioneve, etj. Nga ana tjetër, PS-ja nuk arriti t’i shpëtonte tundimit populist dhe t’i paraqiste publikut një qasje më realiste, sigurisht nga frika e rezultatit zgjedhor. Megjithatë, çdo forcë politike që vjen në pushtet fillon të rikalibrojë programin dhe politikat e veta, në mënyrë që t’i përshtatet më shumë realitetit ekonomik dhe social.

ResPublica: Qeveria riktheu Fondin Monetar dhe pranoi të plotësojë disa kushte, në këmbim të konsulencës dhe mbështetjes financiare. A ishte e nevojshme një marrëveshje me FMN-në?

Gjykoj se rikthimi i FMN-së ishte dëshmi e dështimit dhe paaftësisë së klasës sonë politike për të hartuar dhe menaxhuar politika të shëndetshme për vendin. Prandaj dhe rikthimi i FMN-së më duket një veprim i duhur dhe, pavarësisht kritikave që vijnë herë pas herë në adresë të tij nga grupe të caktuar të interesave, FMN ndjek atë që është më e shëndetshme për shoqërinë shqiptare jo për sot, por për perspektivën. Këtë e nënvizoj duke patur në mendje jo kuptimin kejnesian të fjalës “long term”, por se ndjekja verbërisht e objektivave shumë afatshkurtër, është burim i përheshëm destabiliteti dhe që zhbën çdo progres që arrin shoqëria në afat të shkurtër.

ResPublica: A është e mundshme dhe realiste rritja ekonomike prej 3 % që ka parashikur qeveria për vitin 2015?

Mendoj se dy janë rreziqet që e shoqërojnë rritjen ekonomike. Së pari, rritjet e taksave, direkte dhe indirekte, sigurisht që tkurrin konsumin dhe për pasojë, duke qenë se se në strukturën e ekonomisë sonë konsumi zë gati 70% të PBB-së, çdo zvogëlim i konsumit ka një ndikim të lartë në rritjen e kërkesës. Rreziku i dytë lidhet me të ardhmen e sektorit energjetik dhe nevojat potenciale për të mbështetur furnizimin e vendit me energji, duke ndikuar dyfish tek rritja – edhe në krahun e kontributit si prodhim i brendshëm i rëndësishëm në prodhimin industrial, edhe si barrë buxhetore në rast nevoje të financimeve të importeve. Sigurisht që ka një mori faktorësh dhe pasigurish të tjera, ku vlen të përmendet ecuria e interesave në tregjet e brendshme dhe të jashtme. Vitin tjetër duhet të rifinancohet bonoja e thesarit e emetuar në euro. Që do të thotë se kostoja e rifinancimit do të jetë një faktor serioz. Sidoqoftë, rritja me 3% në terma reale e PBB-së më duket një objektiv i realizueshëm, dhe e shoh këtë më shumë të lidhur me stabilizimin e pritshmërive të agjentëve ekonomikë në raport me politikat qeveritare, si dhe besoj në një rigjallërim të kredisë, edhe pse në ritme shumë më të ulëta se ato që kemi përjetuar veçanërisht në vitet 2004-2009.

Leonard Mitro 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.