Intervista/ Dr.Luan Topçiu: Merita e Kadaresë; nxori kulturën shqiptare nga kompleksi i kulturës periferike

nga Leonard Veizi
Kritikë ka, por ajo shpesh lëkundet midis klientelizmit apo interesave të lobeve që njerëzit e artit i kanë krijuar ndjeshëm tashmë. Deri këtu nuk ka asnjë gjë të jashtëzakonshme apo të padëgjuar më parë. Një gjë që ndodh rëndom në Shqipërinë e tranzicionit të stërgjatë, ku interesat e ngushta e meskine më së shumti triumfojnë ndaj lulëzimit të vlerave. Por jo në të gjitha rastet ndodh kështu. Dr.Luan Topçiu, studiues e kritik arti, thotë se në të vërtetë kritika, edhe pse e dëmtuar nga trashëgimia e kritikës sociologjike të skajshme të realizmit socialist, sot ka një frymë të re që po rilind.
ResPublica: - Shpesh fjala “kritikë” merr kuptim negativ. Cili është kuptimi i vërtetë i saj?
Luan Topçiu: - Kritika letrare është shfaqur fillimisht si një nevojë për një vlerësim të drejtpërdrejtë të një vepre arti. Vetë kuptimet fillestare të termit kanë pasur si synim të justifikojnë rolin e këtij akti të ndërgjegjësimit të letërsisë, i cili ka kaluar në aq metamorfoza me kalimin e kohës. Çdo fjalor termash do të përpiqet ta shpjegojë me faktin që krites d.m.th. gjykatës, ndërsa krinein gjykoj. Termi kritik do të përdorej në fund të shekullit IV (p.K), në kuptimin specifik dhe autonom ajo do të shuhej pothuaj tërësisht për 16 shekuj kulturë. Kritika do të konsiderohej me një funksion vital dhe nxitëse e progresit njerëzor në përgjithësi, dhe e artit në veçanti, si dhe u çmua si një rizbulim në epokën e iluminizmit. Në këtë periudhë gjithçka iu nënshtrua një fryme kritike, gjë që u ndihmua dhe nga lindja e pozitivizmit në filozofi. Sot, kritika letrare, veçanërisht ajo si sistem, është e ndikuar nga disa disiplina shkencore, që kanë luajtur një rol përcaktues në kulturën moderne, si Psikanaliza, Semiologjia, Gjuhësia Strukturale dhe Gramatika Gjenerative. Në sajë të disa personaliteteve, që hapën shtigje të reja të kritikës, si Jean Paul Weber me studimet e tematizmit psikanalitik, psikokritika me Charles Mauron, kritika tematike me Gaston Bachelard-in, Jean-Pierre Richard-in, Jean Starobinski-in. Dukuria që karakterizon kritikën e sotme është diversifikimi dhe konfigurimi i lëmive të reja, relativisht autonome si poetika, neokritika, semiologjia letrare etj. Zhvillimet e peizazhit kulturor të sotëm kërkojnë një riorientim tërësor të kritikës.
ResPublica: - Në media thuhet se në Shqipëri mungon kritika. Cila është gjendja e saj reale?
Luan Topçiu: - Kritikë sigurisht që ka. Por kritika letrare tek ne mbetet problematike. Në radhë të parë ajo është e dëmtuar nga trashëgimia e kritikës sociologjike të skajshme të realizmit socialist. Sot ka një frymë të re që po rilind, ka emra të rinjsh që kanë studiuar në shkolla evropiane. Nga ana tjetër vetë shkolla shqiptare po zhvillohet dhe po riorientohet. Me gjithë përparimet e bëra në këto vitet e fundit, kritika shqiptare ka shumë për të bërë për të krijuar një fizionomi të qartë, për t’iu imponuar zhvillimeve kulturore të vendit. Letërsia shqiptare gjithmonë ka qenë disa hapa para kritikës shqiptare. Për këto arsye dhe mjaft të tjera, ndihet një çoroditje, ndihet një kritikë klienteliste, joprofesionale dhe e kërcënuar nga subkultura. Shpesh kritika jonë kthehet në kritikë lavdesh apo fyerjesh, sharje apo të dhënash jashtëletrarë dhe jashtëestetikë. Dëmi është tejet i madh. Krijohet një pështjellim i përgjithshëm rreth vlerave të vërteta. Krijohet një unifikim i vlerave dhe një përmbysje e sistemit të vlerave.
ResPublica: - Si ndahen kritikët kur flitet për artet vizive, teatër, muzikë e letërsi?
Luan Topçiu: - Sigurisht, kritikët ndahen sipas zonave kulturore, që mbulojnë dhe për të cilat kanë studiuar e janë specializuar. Por kufijtë e arteve moderne dhe posaçërisht me postmodernizmin, shpesh këta kufij takohen dhe shkrihen. Letërsia lidhet me artet joverbale, me pikturën, muzikën. Nga ana e tyre, pothuaj të gjitha artet lidhen me letërsinë. Për pasojë, në kontekstin e letërsisë së krahasuar shpesh hulumtimet kryhen ndër disiplina të ndryshme dhe midis tyre, prandaj dhe kritika moderne e letërsisë kërkon njohuri rreth arteve të tjera. Ajo që mund të çmohet si më e mira për normalizimin e mendimit kritik sot në Shqipëri, do të ishte fakti që mendimi kritik të thuhej nga kritiku i specializuar, për të mos iu lënë vendin spekulimeve dhe abuzimeve amatoreske.
ResPublica: - Ku është kritika në raport me prurjet në artin shqiptar?
Luan Topçiu: - Kuptohet, që pas viteve ’90 peizazhi letrar shqiptar dhe i artit në përgjithësi ka pësuar modifikime të thella në pikëpamje tipologjike, të mjeteve shprehëse, të emrave etj. Arti shqiptar po fiton drejtpeshimin e munguar, lirinë e munguar. Rritja e numrit të botimeve, shtimi i emrave të rinj, zelli i tepruar, që vjen besoj po për shkak të mungesës së drejtpeshimit të brendshëm e për një kohë të gjatë, i njerëzve për të besuar se janë shkrimtarë, që u është mohuar e drejta e botimit etj. Për pasojë peizazhi i letërsisë shqipe po popullohet gjithnjë e me më shumë emra, me shumë më shumë vepra dhe me më shumë autorë. Nga ky moment detyra e kritikës bëhet më e vështirë, por njëkohësisht dhe shumë e nevojshme. Qëllon që një vepër autentike të përcillet me heshtje të plotë, si dhe një krijim tërësisht amatoresk apo produkt i grafomanisë së shndërruar në modë kohëve të fundit të fitojë vëmendjen e shtypit apo të medias. Sasia dhe mungesa e filtrave cilësorë e bëjnë shumë të vështirë dallimin, apo siç e keni konsideruar ju në pyetjen tuaj klasifikimin e vlerave. E ndjejmë, besoj që të gjithë, etjen që kanë artistët shqiptarë për t’u homologuar me vlerat europiane të sotme. Dhe ka rezultate të admirueshme qoftë në letërsi, apo në artet e tjera si pikturë, teatër, kinematografi. Kritika letrare duhet ta luajë këtë rol të përzgjedhjes dhe klasifikimit. Madje kam përshtypjen se kritika shqiptare, përpos ndjekjes së procesit letrar, duhet të risistemojë e të rishohë vlerat letrare të krijuara në kohë, për të dhënë më në fund mendimin e saj mbi hierarkinë kombëtare të vlerave letrare. Është një e drejtë legjitime dhe morale që brezi i ri i studiuesve duhet ta kryejë.
ResPublica: - Po letërsia shqipe në Rumani?
Luan Topçiu: - Letërsia shqipe në Rumani njihet në një masë të kënaqshme, por mund të bëhet shumë më tepër. Falë përkthyesve të talentuar, si Fiqion Miçaço, kemi në rumanisht romanin e Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, qysh në vitin 1973 antologji të folklorit shqiptar e prozatorë të tjerë shqiptarë, falë albanologut Marius Dobrescu, Rumania është vendi i dytë pas Francës për numrin e veprave të përkthyera të Kadaresë etj. Gjatë qëndrimit tim prej vitësh në Bukuresht, bashkë me bashkëshorten time, Renata Topçiu-Melonashi, kam bërë të njohur në hapësirën kulturore rumune autorët, si Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Migjeni, Jeronim de Rada, Faik Konica, Martin Camaj, Ismail Kadare, Visar Zhiti, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti, Agim Isaku, Besnik Mustafaj, Bardhyl Londo, Resul Shabani, Eqrem Basha, Teuta Arifi, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Fatos Arapi, Murat Isaku, Shaip Emerllahu etj. Problemi i përkthimit dhe i qarkullimit të vlerave duhet të institucionalizohet dhe mund të drejtohet dhe koordinohet nga një Institut Shqiptar i Kulturës, që mungon momentalisht.
ResPublica: - Cilat janë elementet e veçanta në studimin tuaj “Vetmia nostalgjike në poezi”?
Luan Topçiu: - Letërsia krahasimtare, qysh në fillimet e saj ka synuar thyerjen e barrierave të letërsive kombëtare dhe i ka dhënë mundësi letërsisë së një populli të njohë tjetrin dhe të raportohet me të tjerët. Ky libër ndriçon anë të veçanta të letërsisë shqiptare, tipare që dalin në pah nga krahasimi, nga përqasja dhe kontrastimi i tyre në një kontekst më të gjerë ballkanik. Paralelet dhe krahasimet në këtë libër jam përpjekur t’i shtrij jo vetëm ndërmjet dy territoreve letrare nacionale, por dhe ndërmjet disiplinave të ndryshme të studimit, si histori, sociologji kulturore, filozofi, antropologji kulturore, gjeografi, semiologji, gjuhësi, folklor, psikologji etj. Metoda e përdorur i përket letërsisë krahasimtare tematike, ku sillen ngjashmëri dhe ndryshime midis dy letërsive, gjegjësisht midis lirikës shqiptare dhe asaj rumune, përmes një lokalizimi gjeografik të dukurisë letrare. Problemet që trajtohen në këtë libër i kam organizuar në kapitujt: Vetmia, melankolia, krijimi; Vetmia nostalgjike-mall; Ballkani si hapësirë kulturore; Përkime folklorike; Qasje ndjenjash; Afri kuptimore; Malli-objekt lirik; Vetmia nostalgjike në letërsinë e lëvruar shqiptare e rumune; Eminesku si model; Luçian Blaga - Malli si short; Ndjenja e vetmisë tek Poradeci, Asdreni, Kuteli; Viktor Eftimiu si urë lidhëse; Metafizika e Mallit në poezinë e Nikita Stëneskut; Malli si vetmi nostalgjike tek Ismail Kadare; Malli i hipostazuar tek Fatos Arapi, Vetmia e vetmuar tek Visar Zhiti. Ndjenja e vetmisë nostalgjike, melankolisë, mallit hetohet tek autorë të mirënjohur të të dyja letërsive, por hulumtimi shtrihet edhe në poezinë gojore, duke e vendosur problemin në një plan përqasës në kontekstin ballkanik. Përmes analizës së veprës së autorëve që merren në shqyrtim sipas perspektivës tematike, paraqitet njëherazi dhe një pamje e peizazhit lirik rumun e shqiptar. Autorët e analizuar janë shndërruar në tejçues të një tipi të ri ndjeshmërie, të një vizioni mbi jetën, me theksa të qartë kombëtarë dhe rajonalë (ballkanikë). Poezia e tyre, përndryshe poezia e ndjenjave më të stërholla njerëzore, të rivitalizuara në letërsitë e vendeve gjegjëse, transmeton një ndjenjë të lashtë, të trashëguar, të ruajtur e pasuruar me nga më të beftat nuanca semantike.
ResPublica: - Cili është mendimi juaj kritik për veprën e Ismail Kadaresë në përgjithësi?
Luan Topçiu: - Kadare ka meritën e madhe se e ka nxjerrë kulturën shqiptare nga kompleksi i kulturës periferike. Emri i shkrimtarit ka fituar fatin dhe rezonancën e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë, jo vetëm për faktin se librat e tij kanë lëçitës në gjithë botën dhe në shumë gjuhë, jo vetëm se kritika e specializuar e ka çmuar së tejmi, jo për çmimet e rëndësishme që ka marrë ndër vite, por emri i tij kapërcen, për shkak të popullaritetit të tij, notorietetin e thjeshtë të një shkrimtari, dhe është shndërruar në një dukuri që kapërcen kufijtë e veprës konkrete. Ismail Kadare është një shkrimtar që i takon kulturës shqiptare po aq sa i takon dhe kulturës europiane. Vepra e tij popullon peizazhin europian duke e pasuruar dhe e bën më të larmishëm atë. Së bashku me prozatorë të tjerë ballkanikë si, Nikos Kazantzakis, Milorad Pavić, ndoshta në ballë të tyre, bëhet transmetues i frymës së gadishullit ballkanik, ku tragjeditë janë një përzierje gjakrash, të veshura nga hiri i luftërave, të rrezikuara nga harrimi dhe moskuptimi, të rigjallëruara nga rikujtimi. Kadare dëshmon se është njohësi dhe dekoduesi më i madh i mitit ballkanik. Në Rumani, siç përmenda më sipër, janë plot 24 romane të përkthyera të Kadaresë, në këtë gjuhë me mjeshtëri nga shkrimtari dhe përkthyesi Marius Dobrescu, qysh nga viti 1973 shkrimtari i shquar shqiptar ka kapluar vëmendjen e publikut rumun. Pritet në këtë vjeshtë, të dalin dy libra të rinj: “Ura me tri harqe” dhe “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” në Shtëpitë Botuese më të mëdha të këtij vendi.
Leonard Veizi
Add new comment