Ikëm apo edhe na lanë të iknim? Mendime të ndryshme për eksodin e marsit të vitit 1991...

Postuar në 25 Shkurt, 2015 06:24

Pra disa ditësh publikuam një opinion, në fakt fragment i një libri në punim e sipër, me autor Artan Fugën(http://respublica.al/opinion/2015/02/21/kush-dhe-perse-e-org...). Fuga trajtonte çështjen e emigracionit masiv të vitit 1991, duke gjurmuar, si faktorë bashkëveprues në realizimin e tij, si pakënaqësinë dhe situatën shpërthyese, ashtu edhe një “dorë organizuese nga vetë regjimi”. Thotë Fuga ndër të tjera: “...Pala shqiptare me anë të emigrimit qetësonte situatën politike, u jepte qeverive të reja që do të vinin kushte për të vepruar më qetësisht, duke hequr prej vendi elementin më energjik e të pakënaqur, forcën rinore shpërthyese, kurse pala perëndimore edhe ajo fitonte sepse e fuste Shqipërinë në rrugën e reformave postkomuniste. Pse të ushqente me ndihma shqiptarët e papunë në Shqipëri, kur mund t’u jepte një dorë duke punuar në Perëndim dhe jetën ta fitonin me punë. Po a e mohon kjo kushtet historike që e përgatisin aksionin emigrueses të organizuar? Jo. Pa to askush nuk vepronte dot. Dora e komplotit sigurisht prandaj është inteligjente, sepse vepron atje dhe atëhere kur duhet...Si tha Maradona kur bëri golin fallco me dorë? “Nuk ishte dora ime, ishte dora e Zotit!” Tamam e kishte ai. Në cdo veprim që kujton se e bën me meritën tënde ka edhe një dorë të “Zotit” që të shtyn e ndihmon”. Këtë qasje e ka marrë në mënyrë kritike publicisti Ardian Vehbiu, i cili përmes një shkrimi në blogun e vet, “Peizazhe të Fjalës” shkruan se ato që thotë Fuga nuk ndihmojnë për të sqaruar atë që ndodhi më 1991. “Shkrimi i Fugës mbështetet mbi disa përshtypje sipërfaqësore të autorit dhe disa arsyetime të vogla për anijet në molo, për të zbuluar një të vërtetë që, të paktën në Shqipëri, e di edhe bufi: që qeveria shqiptare në vitin 1991 vetëm sa bëri sikur po e pengonte dyndjen e qytetarëve të vet drejt portit të Durrësit; por në fakt e inkurajoi ekzodin, si një lloj valvule për të çliruar presionin social brenda vendit. Por Fuga gabon – në mënyrë të pabesueshme – kur e zbaton të njëjtën teori konspirative ndaj palës pritëse, ose Italisë; meqë, sipas tij, edhe Italia veç “ka bërë sikur” nuk e dëshironte ekzodin, duke bërë, po e them me fjalët e “profesorit”: rezistencë sa për të thënë”. Vehbiu vetë ka shkruar një libër për temën e emigracionit në Itali, të cilin e sugjeron si burim të shfrytëzueshëm, sikurse disa shkrime në revistën “Përpjekja” të viteve më parë. “Filozofi ynë, për fat të keq, nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë; meqë për ekzodin e vitit 1991 ka një numër studimesh të hollësishme, mes të cilave edhe libri i shkruar prej Rando Devoles dhe meje, me titullin La Scoperta dell’Albania, Edizioni Paoline 1996; dhe ku paraqitet mjaft qartë – besoj unë – vështirësia, në mos kriza ku u ndodhën autoritetet italiane, para situatës së paprecedent të së drejtave të njeriut, që u krijua me dyndjen e shqiptarëve drejt brigjeve të Puglia-s, në mars të vitit 1991. Autoritetet e atëhershme italiane nuk mund t’i kthenin anijet me rimorkiatorë qysh në det; sepse shteti italian kishte ligje për trajtimin e refugjatëve, të cilat ligje autoritetet italiane ishin të detyruara t’i zbatonin; madje prandaj edhe ishin në pozicionin e autoritetit, që t’i zbatonin ligjet. Për ta kuptuar më mirë këtë, mjaft t’i referohemi dyndjeve të ngjashme të pak muajve më pas; kur ekzodi u përsërit në fillim të gushtit 1991, sërish me bashkëfajësinë e “autoriteteve” (nuk mund veçse ta vë këtë fjalë në thonjëza) të Tiranës; por ndërkohë italianët e kishin përpunuar një politikë të re administrative me refugjatët, të cilën e zbatuan pa hezitim dhe i kthyen këta praktikisht të gjithë me avion në Shqipëri – duke u dhuruar disave syresh edhe kënaqësinë e fluturimit të parë në jetë. Të gjitha këto janë shkruar, analizuar dhe sqaruar prej kohësh, sa i përket Italisë”, shkruan Vehbiu(http://peizazhe.com/2015/02/23/ekzode/). Ka një “diferencë” që duhet vënë në dukje gjithsesi: Fuga flet për “plotësimin e historisë me elementin e vet veprues njerëzor, (që) e paraqet historinë sikundër është, jo një mekanizëm vetëveprues, por si një matricë ku bashkëveprojnë kushte, rrethana dhe aktorë që veprojnë aktivisht”. Por kjo para “(vetë)komandimit” të ngjarjes. Kurse Vehbiu dëshmon pasngjarjen, e cila jep argument për një arsyetim racional edhe të trajtimit të emigracionit shqiptar si një e papritur reale për palën italiane.
s.z

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>Ky Vehbiu vazhdimisht me kujton nje basketbollist te shkurter, qe kujton se meqe luan mire basketboll me cunat e lagjes mund te luaje edhe ne NBA.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.