Hyn në fuqi Protokolli i bashkëpunimit ekonomik dhe për zhvillim me Gjermaninë. Asistencë financiare dhe profesionale, por me kushtëzime

Ka hyrë sot në fuqi Protokolli i Bisedimeve mes qeverisë shqip0tare dhe asaj gjermane për bashkëpunimin ekonomik dhe për zhvillim. Bisedimet mes të dyja palëve janë zhvilluar në datën 8 maj dhe vendim përkatës për miratimin e protokollit është marrë më 8 tetor. Dokumenti është i gjatë dhe përfshin një gamë të madhe të marrëdhënieve. Në fillim bie në sy se pala gjermane do të ndihmojë edhe me fonde disa sektorë në Shqipëri, por këtë e bën me kushtëzime. Kushtëzime si të karkaterit politik, si transparenca, lufta ndaj korrupsionit dhe mirëmenaxhimi i administratës, por edhe ato të karakterit të interesit dypalësh. Duhet thënë se në Protokoll theksohet se ky bashkëpunim pason atë të përgatitur me dokumentet strategjike të miuratuara nga qeveria e kaluar. “Të dyja palët bien dakord që bashkëpunimi në vitet e ardhshme të mbetet i fokusuar në sektorin e energjisë, ujësjellës-kanalizime, administrimi i mbetjeve, si edhe në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, për të cilët në vitet 2010, 2011, 2012 janë hartuar dokumentet e përbashkëta strategjike. Qëllim madhor për bashkëpunimin për zhvillim është përafrimi i mëtejshëm i Shqipërisë me Bashkimin Europian”, thuhet ndër të tjera në dokument. Në planin financiar, qeveria gjermane merr përsipër për vitet 2014-2015 të akordojë një fond prej 19 milionë eurosh; 8 milionë për projekte të bashkëpunimit financiar dhe 11 milionë për projekte të bashkëpunimit teknik. Kur vjen puna te sektori i energjisë, qeveria shqiptare vendoset para kushtit që buron nga logjika e vetë sistemit të tregut: “Pala gjermane thekson rëndësinë që kanë implementimi i tarifave që mbulojnë kostot për të gjithë përdoruesit e rrymës elektrike dhe strukturat efikase të tregut në përmirësimin e vazhdueshëm të sektorit”, vlerëson dokumenti. Këtu qeveria do të japë një përgjigje në muajin dhjetor, por ende nuk është e qartë sesa kjo rritje e çmimit do t’i përgjigjet kostove, të shtuara nga paaftësia në menaxhimin e shpërndarjes së energjisë. Kushtëzime vendos pala gjermane edhe për ndërtimin e linjave të transmetimit 400 kv Shqipëri-Maqedoni, që parashikon ndërtimin e një nënstacioni në Elbasan. Financime jepen edhe për sektorë si turzimi, arsimi profesional, apo edhe agrobiznesi, apo edhe menaxhimi i mbetjeve, për të cilat Protokolli bën sqarime të hollësishme. Në fund qeveria shqiptare ka pranuar edhe kushtëzimin e përgjithshëm për kontributet e palës gjermane. “Të dyja delegacionet bien dakord, që të gjitha kontributet e palës gjermane të parashikuara në këtë protokoll do të mund të realizohen vetëm pasi: Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë të ketë marrë një vendim pozitiv pas verifikimit përkatës të projekteve i programeve përmes KfË-së, GIZ-së dhe ose një organizate tjetër të ngarkuar me zbatimin; Financimi i përgjithshëm i projektit/programit të jetë i garantuar; Marrëveshjet ndërkombëtare, që nuk janë lidhur ende (marrëveshjet qeveritare dhe ato mbi projektet/programet), marrëveshjet e financimit dhe ato të kredive, si dhe marrëveshjet e zbatimit me KfË-në dhe GIZ-në apo me organizatat përkatëse batuese, të kenë hyrë në fuqi...”, thuhet ndër të tjera në dokument.
s.z
Add new comment