DOSSIER/ Si e mbrojti çështjen shqiptare, Mi’that Frashëri, Ministri i parë Fuqiplotë shqiptar në Greqi. Detaje nga letërkëmbimi

“Shkëlqesia e Tij, Mi’that Frashëri asht i dërguar i përkohshëm i Ngarkuar me Mision me që ishte Ambasador në Uashington, por lusim që të na e lënë për gjithmonë këtu me në na lidh ma fort ndjenja e ditës gazmore t’ardhjes Tij”. Kështu shkruhet në gazetën shqiptare “Politika”, më 15 mars 1923, sapo u publikua lajmi se Mi’hat Frashëri do të drejtonte legatën shqiptare në Athinë. Në Arkivin Qëndror të Shtetit, fondi 251 ka një dosje të pasur të letërkëmbimit të Ministrit të parë Fuqiplotë në Greqi, gjë që është bërë objekt kërkimi i disa historianëve mes të cilëve dhe Luan Malltezi e Sherif Delvina, të cilët janë marrë seriozisht me zbërthimin e figurës së Mit’hat Frashërit duke botuar në bashkautorësi dy vepra rreth veprimtarisë së tij. Nëpërmjet këtij “dossieri” bëhet e njohur një pjesë nga letërkëmbimi i Mi’that Frashërit si diplomat në Athinë.
Dhjetë vjet pasi Shqipëria kishte fituar pavarësinë, ishin intensifikuar bisedimet për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Greqinë fqinje. Nga të dyja anët e kufirit ishin shpeshtuar telegramet ku kërkoheshin hapjet e konsullatave përkatëse dhe emërimi i drejtuesve të parë diplomatikë. Në krye të qeverisë shqiptare të asaj kohe ishte Ahmet Zogu, ndërsa Ministër i Punëve të Jashtme, Pandeli Vangjeli. Në datën 3 shkurt 1923 Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare njofton homologen e Greqisë për akreditimin në Athinë të Mit’hat Frashërit si të dërguar me mision special të qeverisë shqiptare. Mit’hat Frashëri, në atë kohë sapo kishte lënë postin e Ministrit Fuqiplotë në Uashington dhe ishte në pritje të një emërimi të ri diplomatik, kur në dorën e tij mbërrin një telegram i ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme ku thuhej: “Kam nderin t’ju lajmoj se Këshilli Ministruer, me vendimin e tij Nr. 8, më 9 janar 1923 përfundoi dërgimin e Zotni suaj n’Athinë me mission special me qëllim qi të hapni marrëdhëniet dhiplomatike midis Shqipënis dhe Greqis”. Pak ditë më vonë Mit’hat Frashëri i përgjigjet pozitivisht propozimit të ardhur nga kabineti i kundërshtarit të tij politik, Ahmet Zogut. Por duket se mbreti i ri i ardhshëm i shqiptarëve kishte vlerësuar tek Mit’hat Frasheri, jo vetëm shpirtin rrebel e kundërshtues, por inteligjencën dhe interesin e lartë në mbrojtje te Kombit. Në një telegram të nisur nga ai më 13 shkurt 1923 thuhet: “Kam nderin të ju them, se me gëzim të math e pranoj Misionin që më ngarkoni për në Athinë, duke ju falenderuar për besimin që më rëfeni dhe duke ju siguruar, se vullneti s’më ka për të munguar në mbarim të kësaj detyre”. Pasi është njohur me këtë fakt, ministri i Jashëm grek Aleksandër, shprehet se qeveria e Greqisë ishte e gatshme të pranonte kërkesën e qeverisë shqiptare. “Unë jam i bindur që vendosja e marrëdhënieve diplomatike krijon një periudhë të re bashkëpunimi të ngushtë dhe të leverdishëm në interes të Shqipërisë dhe Greqisë”, thuhet në telegramin e ministrit Aleksandër. Më 27 shkurt të vitit 1923 Mit’hat Frashëri dorëzoi letrat kredenciale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, pranë ministrit të asaj kohe, Aleksandër. Sipas shtypit të kohës, data 3 mars 1923 mbahet mend si dita e parë kur flamuri shqiptar u valëvit në kryeqytetin e Greqisë, Athinë. Ky ishte flamuri që ishte vendosur në makinën e diplomatit Mit’hat Ftashëri, i cili bëri disa vizita në disa institucione qendrore të qeverisë greke dhe në ambasadat e tjera të huaja të akredituara në Athinë. Më 20 mars të po këtij viti, i dërguari i Shqipërisë, Mit’hat Frashëri u prit në një audiencë të veçantë edhe nga mbreti 33- vjeçar i Greqisë, Georges II. Gjatë bisedës mbreti Georges jo vetëm ka treguar interes për forcimin e miqësisë me Shqipërinë, por është shprehur se kishte dëshirë që të mësonte dhe gjuhën shqipe. Ndërsa në 22 mars 1923 qeveria shqiptare bën të njohur pëlqimin e saj që z. Panurjas të emërohet si ministër fuqiplotë i Greqisë në Tiranë. Ngjarja e rëndësishme e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve fqinje është pasqyruar gjerësisht edhe nga gazetat e asaj kohe për të dy vendet.
Shqiptarët pajisen me certifikata kombëtare
Çështja e parë me të cilën u përball kryediplomati shqiptar i Athinës, Mit’hat Frashëri, ishte ajo e pajisjes së shqiptarëve që jetonin në shtetin fqinj me certifikata kombëtare, gjë që padyshim deri në ato momente ishte penguar rregullisht nga qarqet greke. Në telegramet e këmbyera të asaj kohe, ministri i Jashtëm shqiptar, Pandeli Vangjeli i kërkon Mit’hat Frashërit që ai të jetë aktiv në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. “Sikundër se e dini, në Greqi ndodhen shumë shqiptarë orgjinarë nga viste e Shqipërisë së 1913-s. Shumic’e këtyreve kanë lënë vëndet e tyre nga shkaku i ngjarjevet e 1914-s, por këta janë nënshtetas shqiptarë. Pra është e domosdoshme që këryre t’u jepet e Certifikat de Nacionalitet që kësisoj të drejtat e tyre të mos merren ndër këmbë. Kështu dhe Tyrqija ju njojti pa as një kundërshtim nënshtetësisnë Shqiptare gjithë Shqiptarëve që banojnë në Tyrqi dhe janë nga viset e Shqipërisë të 1913-s”. Në një gazetë të kohës, të titulluar “Shqiptari i Amerikës” dhe që botohej në Korçë, thuhej se mbrritja në Greqi e ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë është pritur me gëzim të madh, pasi në këtë mënyrë ata shpëtuan nga grabitjet që u bënte pala greke, duke shtuar kishte dhe detyrimet artificiale për të nxjerrë pasaportat. “Z. Ministër u zu nga puna dhe po vepron duke dhënë pasaporta dhe dyke visuar të tilla dhe duke dhënë certefikata nënshtetësie: kështu u mbyll përgjithmonë fabrika që u jepte “pistopiotika” të rrema dhe i milte që të rrojnë dy a tri të papunëshme nga djersa e punëtorëve”, shkruhej në këtë gazetë.
Shqiptarët vuajnë në burgjet greke
Në një informacion të vazhdueshëm mes Mit’hat Frashërit dhe Ministrisë së Jashtme, qeveria shqiptare vihet në dijeni për kushtet e rënda në të cilën ndodheshin të burgosurit shqiptarë në Greqi. Në një telegram Mit’hat Frashëri shkruan se nga ana e autoriteteve greke janë të dënuar disa figura të njohura të popullsisë çame. Xhevat Merushi, Ymer bej Çapari, Musa Demi, Mufti Mehmet Zeqeria dhe Haki Musa, janë dënuar apo akuzuar për vetë faktin si propagandistë shqiptarë. Në këtë mënyrë zyrtarët e Athinës kërkonin t’u mbyllnin gojën shumë prej inicuesve të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve shtetërorë. Një pjesë e tyre ishin përfshirë në luftimet e Greqisë me Turqinë. Në këto kushte Mit’hat Frashëri merr iniciativën për t’i dërguar një letër ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, ku i kërkohej lirimi i 20 të burgosurve shqiptarë. Në letër thuhet: “Ashtu siç do të vërë re Shkëlqesia Juaj, pjesa më e madhe e këtyre të burgosurve gjenden në burgje qysh më 1912; ndonjë prej tyre është paditur për krime të kryara përpara amnistisë së shpallur për krimet që kanë të bëjnë me luftën greko-turke”. Mit’hat Frashëri i argumenton ministrit të Jashtëm grek se, meqenëse të dënuarit ndodhen të burgosur prej shumë vitesh, dhe se e kishin kryer pjesën më të madhe të dënimit, ishin bërë të denjë për të fituar mëshirën e qeverisë greke. Sipas Mit’hat Frashërit akti i lirimit të tyre do të tregonte shpirtmadhësinë e shtetit grek ndaj të burgosurve shqiptarë dhe kjo do të kontribuonte më shumë për të forcuar lidhjet e miqësisë që i bashkonte të dy popujt.
Athina nuk njeh origjinën shqiptare
Një vit pas marrjes së detyrës si Ministër Fuqiplotë, më 23 janar 1924, Mit’hat Frashëri i shkruan me urgjencë Tiranës zyrtare për ta njohur me një fakt të ri që bëhet i ditur nga qarqet e qeverisë greke. Është pikërisht termi “origjinë albanaise”, ku qeveria greke kërkon të njohë si shqiptarë vetëm ata që kanë lindur në Shqipëri. Me anë të këtij termi qeveria greke nuk donte të njihte ata shqiptarë që kishin lindur dhe jetonin jashtë kufijve shqiptarë, madje kërkonte t’i shpërngulte ata në Turqi. Për të arritur këtë synim, qeveria greke u mbështet tek Konferenca e Lozanës e cila synonte thjesht të bënte dallimin mes myslimanëve të racës shqiptarë dhe myslimanëve të racës turke si dhe të dallonte ortodoksët shqiptarë me banim në Turqi nga ortodoksët apo të krishterët e tjerë. Në këtë mënyrë pjesa tjetër e shqiptarëve kishte rrezik të konsiderohej thjesht si myslimane dhe të dëbohej nga territori grek. Mit’hat Frashëri i dërgon një notë proteste kryetarit të Komisionit Mikst të Athinës për këtë çështje, ku i shpjegon se lufta është bërë midis grekëve dhe turqve dhe jo midis myslimanëve dhe të krishterëve, e si rrjedhim bëhet fjalë për racën dhe jo për fenë. “Pra çdo përmendje e origjinës shqiptare duhet marrë me kuptimin individ me origjinë nga raca shqiptare”, shpjegoi ndër të tjera Mit’hat Frashëri, i cili më pas i bëri të ditur kryetarit të Komisionit të Miksit, se dallimi midis turqve dhe shqiptarëve u bë i nevojshëm nga përdorimi i termit të përgjithshëm mysliman, pra ishte e qartë që duhej bërë dallimi mes fesë dhe racës. “Është e vështirë të pranohet që në një traktat midis Turqisë dhe Greqisë të jetë pretenduar të vendoset për fatin e myslimanëve shqiptarë, e në rast se do të kishte qenë synimi i Greqisë të dëbonte nga territori i saj shqiptarët e fesë myslimane, kjo duhej të ishte bërë objekt i një marrëveshjeje midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe jo midis qeverisë greke dhe Ankarasë”, shprehet Mithat Frashëri në notën e tij të protestës.
Komisioni që detyronte shqiptarët të ktheheshin në grekë
Një Komision i quajtur “Mikst” vepronte mes Athinës dhe Ankarasë, në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Komisioni në fjalë, mes të tjerash, merrej dhe me të drejtat e popullsisë greke e turke në të dyja anë e kufirit, por në kurriz të popullsisë shqiptare. Fushata kishte për qëllim shpërnguljen e myslimanëve shqiptarë në brendësi të shtetit turk, duke i emërtuar ata thjesht si popullsi me fe të kundërt që nuk kishin pse të bashkëjetonin me komunitetin ortodoks grek. Por Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashëri, denoncoi pranë kryetarit të Komisionit Miks, punën e nënkomisioneve që vepruan në Selanik, Allosonë e Kozanë duke e cilësuar atë si abuzive, e duke detyruar të kthejë në detyrim subjektet shqiptare myslimane në subjekte greke dhe nuk pranon të japë certefikata mosndërrimi. “Lutemi të jepni urdhër urgjent që të lëshojnë certifikata mosndërrimi pa detyruar të kthejnë origjinën e tyre nga shqiptarë në grekë”. Por Ministria e Jashtëm e Greqisë shprehet se bëhej fjalë për një keqkuptim, pasi nënkomisionet nuk kishin detyruar cilindo që të ndërronte kombësi. Por Mit’hat Frashëri insiston se Komisioni Mikst duhet të lëshojë certifikata moskëmbimi për popullsinë shqiptare me qëllim normalizimin e situatës së tyre. “Besoj se është detyra ime t’i lutem Komisionit Mikst të rikthehet në vendimin e tij dhe të lëshojë këto certifikata. Kjo nuk i krijon asnjë punë komisionit, por i bën një shërbim të madh shqiptarëve”, thuhet në notën që Mit’hat Frashëri i dërgonte kryetarit të Komisionit Mikst, z. Ekstrad.
Legata shqiptare nën vrojtimin e spiunazhit grek
Pasi ka marrë informacione të pakundërshtueshme, Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashëri njofton Tiranën zyrtare se legata Shqiptare është vënën në vrojtimin dhe përgjimin e shërbimit të fshehtë grek. “Kam kohë që kam vërejtur se rreth legatës s’ime sillenë spiunë për të ndiekurë cilët hyjnë e dalin. Kam dhe mësuar se një shërbim espiunazhi ekzersohet edhe në legatat e tjera”, raporton Ministri Fuqiplotë për Ministrinë e Jashtme. Por në një takim që ai ka pasur me drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, ky i fundit e ka mohur një fakt të tillë duke u shprehur se një shërbim i tillë nuk ekzistonte në Greqi. Gjithsesi, intesifikimi i vrojtimit të Legatës Shqiptare erdhi, pasi një serie notash proteste të dërguara nga Ministri Fiqiplotë Mit’hat Frashëri, kundër terrorizmit që bëhej nga qarqet greke mbi popullsinë çame, mbi shkaqet që detyronin shqiptarët e Epirit të iknin nga vendi i tyre dhe pas një kërkese të ardhur nga pala greke për rishikimin e kufirit me Korçën, gjë që më pas u anullua.
Athina:Të gjithë ortodoksit janë grekë
Një relacion i nisur nga Athina për qeverinë e Tiranës, sqaron hollësisht mbi problemet që haste popullsia shqiptare në territorin shtetëror grek. Ministri Fuqiplotë në Athinë i kryeministrit Ahmet Zogu në atë kohë, Mid’hat Frashëri, shkruante se “elementi shqiptar në Greqi ndahej në: element ortodoks dhe mysliman”. Për ortodoksër Greqia kishte tendencë të plotë që t’i cilësonte ata si grekër, meqenëse, sipas mentalitetit helen, një ortodoks nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një grek. Mid’hat Frashëri relaton se shqiptarë myslimanë gjendeshin në Janinë, Konicë e Voshtinë. Ndërsa si popullsi kompakte e dytë, ishte në Prefekturën e Follorinës dhe Kosturit me 37 katunde dhe 2 qytete dhe me afërsisht 35 mijë njerëz. Por kishte edhe popullsi shqiptare të shpërndarë në shumë qytete si: Selanik, Karaferi, Vodena, Niusta, Katerinë, Allasojë, e Kavallë. Sipas përllogaritjeve, në atë kohë duhet të ishin gati 100 mijë shqiptarë në të gjithë këtë shtrirje. Mid’hat Frashëri relaton për qeverinë e Tiranës se, që të nesërmen e Luftës Ballkanike politika helnike u shfaq hapur për të përndjekur dhe përzënë elementët myslimanë shqiptarë nga Epiri dhe Maqedonia. Sipas tij, realizimi i kësaj politike të mbrapshtë, filloi me anë të çetave të hajdutëve si dhe sjelljeve të ashpra të autoriteteve civile e ushtarake greke. Mid’hat Frashëri shkruante se, kjo politikë mori një ngjyrë të re dhe fare militante, pas vitit 1920.
Si u zëvendësuan çamët myslimanë me shqiptarë ortodoksë
Mid’hat Frashëri informon qeverinë e Tiranës se ngjarjet në Çamëri bëhen me qëllim për ta detyruar popullsinë të largohet nga vendi. Në një telegram të Minitrisë së Jashtme Shqiptare, dërguar nga Athina më 7 korrik 1923 thuhet: “Mua më duketë se këto bëhen për të terrorizuar shqiptarët e Çamërisë që të ikin dhe të zbrazet dheu për refugjatët. Këtë ma forcon lajmëja e botuarë në gazetët “Partis”, ku thuhetë se deputeti Bakallbashi po vete n’Epir për instalimin e refugjatëve me fuqi diktatoriale”. Duke bërë të ditur zyrtatisht fushatën greke për shpopullimin dhe shpronësimin e popullsisë çame nga trojet e tyre, diplomati shqiptar i Athinës i sugjeron Ministrisë së Jashtme që për këtë të informojë Gjenevën. Njëkohësisht një komision prej katër shqiptarësh të Çamërisë, në atë kohë morën një takim me krerët më të lartë të shtetit grek. Nga ana tjetër përfaqësues nga krahina të ndryshme të Çamërisë kërkuan nga qeveria shqiptare ndërhyrje pranë qeverisë turke për të mos pranuar çamët në Turqi. Në letrën e kësaj përfaqësie thuhet: “Qeveria greke, pas nomit të ndrimit ndaloj shitjen e niqasjen nga gjithë muslimanët pa ndarë shqiptarët të cilët s’janë në këtë nom. Kërkuam nga qeverria përjashtimit t’onë nga ky nom me që jemi shqiptarë e për këtë duhet të jemi të lirë si dhe të tjerët”. Përfaqësuesit çamë në letrën e tyre i shpjegojnë qeverisë së Tiranës se qeveria greke fillimisht dha urdhër që të deklarohen zyrtarisht ata që kanë origjinë çame dhe që flasin vetëm shqip. Pas kësaj çamët janë dyndur për të deklaruar origjinën e tyre, por letra bën të ditur se myftiu i Filatiti, Mehmet Zeqiraj dhe ish- myftiu e Gumenicës, Halil Hilmiu gënjyen popullin duke u thënë që të mos tregonin se ishin shqiptarë, pasi ata që do të deklaronin në këtë mënyrë do të mbeteshin në Greqi dhe do të digjeshin prej grekëve, ndërsa të tjerët do të shkonin në Turqi e do të regulloheshin njëherë e mirë. Përfaqësuesit çamë përcollën pranë qeverisë shqiptare shqetësimin e tyre se e gjithë kjo propagandë bëhej vetëm e vetëm për të përzënë popullsinë çame nga trojet e tyre.
Çamëve të Greqisë u ndalohet votimi
Në një letër që Mid’hat Frashëri i dërgon Mehmet beut, i bën të ditur grabitjet e pasurisë së çamëve nga qeveria greke, situatën e mjeruar të kësaj popullsie që shkonte në Turqi si dhe vrasjet që bënin serbët në Kosovë. Kjo letër e arshivuar në Arkivin Qendror të Shtetit, është nisur nga Athina më 9 nëntor 1923. “Këtu, sikundër që të thashë, kemi dy çështje. 1-Pasunin që po e grabit dhe e konfiskon qeveria (nën emër ekspoptim). 2-Muslimanët (çamër etj) që i përzijn me Turqit dhe i bën që të vdesin”. Sipas kësaj letre, gjendja e nënshtetasve shqiptarë ose grekë, ishte bërë gati tragjike me instalimin në mënyrë të dhunëshme të refugjatëve, me shtetësimin e drithit dhe ndalimin e shitblerjes. “tani po mesoj se çamët po i ndalojnë nga votimi për zgjedhjet”, informon Mid’hat Frashëri në letrën e tij. Gjithashtu ai bën të ditur se, edhe shqiptarët në Serbi ishin të ekspozuar çdo ditë e më shumë nga terrori. Madje Mid’hat Frashëri sugjeron që opinioni publik në Angli duhet të dijë se ç’bëhet në Kosovë.
Xhandërmaria greke grabit me urdhër pasuritë çame
Dy muaj më vonë, dhe pikërisht në datë 9 janar 1924, ministri Fuqiplot, Mid’hat Frashëri informon sërish Tiranën zyrtare për grabitjet e pasurisë së çamëve, arrestimin dhe keqtrajtimin e tyre nga xhandërmaria greke dhe vendosjen e tyre në pronat e grekëve të kthyer nga Turqia etj. Në dokumentet orgjinalë, sipër telegramit dallohen fjalët: “Urgent dhe importent”. Madje Mid’hat Frashëri në këtë telegram i sugjeron ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Ilias Vrionit: “Do të qe mirë sikur të shkruhesh nji herë në Stamboll ose në Angora dhe të vinte këtu nji urdhrë kategorik; se ndryshe gjithë Çamët do të eksponohenë në emigrim dhe në vdekje, nëpër vaporët ose skelet e Tyrqisë”
Tokat e minoritetit grek në Shqipëri, për çamët e dëbuar
Në filim të marsit të vitit 1924 Mid’hat Frashëri i sugjeron qeverisë shqiptare ngritjen e një komisioni qeveritar për të vendosur popullsinë çame në Shqipëri. Në një telegram për ministrin e Punëve të Jashtme, Ilias Vrionin, ministri Fuqiplotë Mit’hat Frashëri thotë se shqiptarët e Greqisë (në zonat e Çamërisë, Kosturit e Follorinës) arrinin numrin prej 60 mijë frymësh. Ai parashtron vështirësitë që kanë shqiptarët për të emigruar në Turqi dhe se një gjë e tillë ishte fort e rëndë për ta. Mid’hat Frashëri, shprehet se duke parë këto probleme, besonte se shqiptarët e Greqisë do të vinin më së shumti në Shqipëri, pasi i tërhiqte afërsia e kufirit dhe interesi i përbashkët i të njëjtit gjak. “Një emigrim i tillë do të formojë nji vështirësi të madhe ekonomike dhe politike për Shqipërinë, në qoftë se nuk parashifen konsekuencat e s’mirren masat e duhura”. Ndërsa në 8 maj 1924 Mid’hat Frashëri bën me dije qeverinë e Tiranës se prefekti i Prevezës dhe hajdutë të tjerë me emër në Greqi, po terrorizonin popullsinë çame. Me këtë rast ai i sugjeroi Tiranës zyrtare që të deklaronte se Shqipëria do t’i pranonte çamët e dëbuar nga autoritetet greke dhe do t’i vendoste në tokat e minoritetit grek në Shqipëri.
Dhuna detyron shqiptarët të mohojnë kombësinë
Mid’hat Frashëri, në një telegram të tijin, dërguar për Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare, nga Athina në 8 mars 1924, e cilëson si “të lig” një raport të Komisionit Miks (një komision i përbashkët turko- grek) të paraqitur në Lidhjen e Kombeve. Ai i cilëson si të pavërteta deklaratat që ky komision ka paraqitur në Lidhje, pasi pikërisht këto deklarata bënin fjalë për mohimin e karakrerit shqiptar të popullsisë çame. Mid’hat Frashëri thotë se këto deklarata mohuse janë bërë nën presionin dhe dhunën e autoriteteve greke. “Fundi i punës do të rrefejë ç’fat i pret shqiptarët e Çamërisë. Po, sido që të jetë, mosqenia e nji Konsulli Shqipëtar në Janinë ose Korfuz, si dhe mungesa e tij në Selanik, na shkakton nji dëm moral dhe material të paçmueshëm. Mbi këtë të metë shtoni edhe të mospasurët relata zyrtare me Tyrqinë”, shktuar ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë.
Grekët kërkojnë shtrirjen e influencës në Korçë e Gjirokastër
Dyshimet e Mid’hat Frashërit, se autoritetet greke kishin një marrëveshje me ato turke për të shkëmbyer rreth 10 mijë shqiptarë ortodoksë të Stambollit me shqiptarë myslimanë të Çamërisë, doli se ishin të vërteta. Në një telegram të datës 1 shtator, Mid’hat Frashëri, mes të tjerash shkruan: “Greqia është marrë vesh me Tyrqit që edhe ata në Çamëri të ngrenë shqiptarët myslimanë. Të heqin në Greqi nj’a 10.000 shqiptarë ortodoksë, t’u japin pak tokë etj, dhe në këtë mënyrë, të shtojnë influencën e tyre në Korçë dhe Gjirokastër”. Megjithatë, qeveria greke nuk iu mbajt asnjëherë deklaratave të dhëna para Këshillit të Lidhjes së Kombeve për heqjen e kufizimeve dhe të masave robëruese ndaj shqiptarëve myslimanë.
Dorëheqja. Mospranimi i postit qeveritar
Mithat Frashëri qëndroi në krye të ambasadës shqiptare në Athinë për më shumë se dy vjet, ndërkohë që kishte lënë postin e ministrit fuqiplotë në Uashington. Më 27 shkurt të vitit 1923 Mithat Frashëri dorëzoi letrat kredenciale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, pranë ministrit të asaj kohe, Aleksandër. Pas rreth dy vjet pune intensive dukej se Mithat Frashëri kërkonte t’i linte vendin një tjetri në pozicionin e tij të ministrit fuqiplotë. Në gazetën “Tirana”, të datës 25 gusht 1925, në shtyllën e korrespodencave shkruhej: “Shkoi pardie për në Tiranë, tue ardh nga Athina, zoti Midhat Frashëri, përfaqësonjësi i Shqipërisë pranë Qeverisë Greke. Zotëria e tij thuhet se transferohet në Kajro, po me atë cilësi. Pardite të shtunën u pranua në audiencë nga Shkëlqesia e tij Kretari i Republikës”. Ndërsa në gazetën “Shqipëria e Re” të datës 19 shtator 1925 në rubrikën “Ora e fundit” është shkruar titulli “Midhat Frashëri s’u pushua”. Ndërsa më pas vazhdon sqarimi nga Zyra e Shtypit: “Disa fletore kishin shënuar se gjoja zoti Midhat Frashëri, Ministër i Shqipërisë në Athinë, u pushua nga detyra. Autorizohemi t’a përgënjeshtrojmë zyrtarisht këtë lajm”. Gazeta “Imigranti” i datës 8 maj 1926 nën titullin “Midhat Frashëri dha dorëheqjen” shkruan: “Sipas një letre që muarëm këto ditë nga Athina, na lajmëron se zoti Midhat Frashëri (Lumo Skëndo) Ministër i Shqipërisë në Athinë, dha dorëheqjen. Dorëheqjen e kishte dhënë që në dhjetor të vitit 1925, po tani i erdhi pranimi. Flitet se Zotëria e tij nuk do të arri asnjë tjetër post në qeverinë e sotme dhe se ay do të merret me shkrimin shqip. Zoti Midhat shkoi për në Tiranë”.
Leonard Veizi
Comments
Shume bukur e pask mbrojtur
<p>Shume bukur e pask mbrojtur ceshtjen sqhitpare ballisti trim i shquar Mit'hat Frashlliu!</p>
Add new comment