Disa media nuk duan "të thellohen" se si u manipuluan provat në spital, morg, Kryeministri, Gardë dhe në Polici

Postuar në 17 Shkurt, 2013 11:32

 

Shumë pak gazeta, dhe kryesisht ato pranë opozitës po merren me një argument thelbësor, manipulimin e provave nga një ekspert në favor të qeverisë e në dëm të opozitës, në favor të brutalitetit shtetëror e në dëm të 4 viktimave, në favor të shtypjes me vrasje të protestave kundër lirisë për të protestuar. Një pjesë e mediave e kanë kaluar si një "deklaratë" që thjesht bëhet copy paste në të njëjtin vend ku jepen edhe anti-deklaratat e qeverisë, dhe i kanë larë duart.

Gazeta Shqip, është një nga ato që ka vendosur ta trajtojë gjërësisht manipulimin e provave mbi 21 Janarin. Po botojmë më poshtë argumentet e kësaj gazete se "Si u manipuluan provat në spital, morg, Kryeministri, Gardë dhe në Polici"

 

 

Hetimi për ngjarjet gjatë demonstratës së 21 janarit 2011 ka qenë një torturë e vërtetë për prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, pasi akuza në atë kohë nuk ka pasur bashkëpunimin e asnjë institucioni. Mbështetje kanë dhënë vetëm disa seli diplomatike, të cilave u është dashur të dalin publikisht në krah të grupit hetimor për të “çarë” barrikadën. Manipulimi i të ashtuquajturave ashkla të gjetura në rrobat e viktimës Ziver Veizi, ku është filmuar eksperti Ndoc Çardaku që i çoi tek vrima ku kishte hyrë plumbi, nuk ka qenë i vetmi për grupin hetimor. Ata janë përballur me një sërë presionesh, aq sa gjatë hetimeve, u dyshua se një nga pjesëtarët e grupit, kishte nxjerrë disa sekrete, jo për median, por për personat me pushtet, të cilët ishin të interesuar të mësonin më shumë nga veprimet e prokurorisë ndaj efektivëve të Gardës së Republikës, për t’i mbrojtur më pas.

Kur duhej të ishte një nga hetimet më shembullore për vënien para përgjegjësisë penale të autorëve, një sërë institucionesh kanë “penguar” Prokurorinë për zbardhjen e autorëve të vrasjeve para selisë kryeministrore. Grupi i hetimit u quajt “puçist” nga mazhoranca qeverisëse, pasi tentoi të ndalojë drejtuesit më të lartë të Gardës së Republikës, të cilët u morën në “mbrojtje” nga institucione dhe persona të veshur me pushtet. Ngjarja ku humbën jetën katër persona ndodhi në mes të ditës, në mes të qytetit, për më tepër në prani të një numri të madh kamerash e aparatesh fotografikë, nga Shqipëria dhe e gjithë bota. U filmuan dhe fotografuan persona të veshur me uniformë teksa qëllonin ndaj turmës së protestuesve, ndërsa dëshmitë e para të të plagosurve flisnin se Garda i kishte qëlluar me armë zjarri. U ndërtua dhe rindërtua vendi i ngjarjes, bazuar nga këto filmime, madje u përcaktuan edhe vendet e “vrasësve” që ishin brenda rrethimit të Kryeministrisë.

Prokuroria ka pasur gjithmonë dyshime se po manipuloheshin provat për këtë çështje, pasi kishte indikacione se shumë plumba, gëzhoja e armë, ishin ndërruar e shkatërruar, e në vend të tyre, ishin zëvendësuar me të tjera. Madje, edhe hetuesit e prokurorët, që shkuan në vendin e ngjarjes, janë përballur me zyrtarë të cilët nuk i hapnin derën, nuk i jepnin dokumente e prova. Është dashur ndërhyrja e amerikanëve për të qetësuar disi situatën. “Problemet” për hetuesit kanë filluar në momentin që u prenë fletëndalimet dhe arrestimet e tyre në gjykatë. Institucionet nuk kanë zbatuar detyrat ligjore, madje në rastet kur duhet të protokollonin prova për këtë ngjarje, kanë vonuar kthimin e përgjigjes, me të vetmen arsye: sabotimin e hetimeve.

Sipas një vëzhgimi të gazetës “Shqip”, kanë rezultuar shumë probleme dhe tentativa manipulimi për këtë çështje. Veprimi para kamerave i ekspertit Ndoc Çardaku është vetëm maja e ajsbergut e manipulimeve, pasi shumë plumba e armë, të gjetura në vendin e ngjarjes, apo edhe kamerat e sigurisë të Kryeministrisë, mund të zbardhnin disa nga vrasjet e plagosjet, urdhrat që u dhanë, e deri te personi që qëlloi i pari. Gjithmonë ka pasur dyshime se gjithçka ishte filmuar, megjithatë, zyrtarët e Kryeministrisë u angazhuan të fshinin çdo gjurmë, qoftë te kangjellat, në oborr apo edhe në kompjuterë.

Dëshmitë te spitali

Prokuroria u angazhua që në minutat që pasuan ngjarjen e 21 janarit. Në hetimin e kësaj ngjarje kanë marrë pjesë pothuajse të gjithë prokurorët e hetuesit e Tiranës. Ata u ndanë në disa pjesë, disa në spital, të tjerë në Gardë, Kryeministri dhe në komisariatet e policisë. Fill në momentet e para, hetuesit kanë hasur në vështirësi. Në Spitalin Ushtarak, ku mbërritën të plagosurit me armë zjarri, kishte shumë deputetë të mazhorancës, të cilët nuk lejonin që të bëheshin si duhet procedurat. Ndërkohë, përballja e hetuesve kaloi në disa komisariate, ku nuk u lejuan që të marrin dëshmitë e të shoqëruesve, të cilët, ishin më shumë demonstrues.

Këqyrja e kufomave

Një nga përplasjet më flagrante ka qenë në Mjekësinë Ligjore, për këqyrjen e viktimave dhe të teshave të tyre. Në atë kohë, të gjithë po mundoheshin që vrasjet t’i cilësonin si aksidentale dhe jo të drejtpërdrejta, nisur edhe nga deklarimet e disa pjesëtarëve të mazhorancës, të cilët thanë se “ky ishte puç shteti”. Madje, gjatë marrjes së provave tek morgu, në disa dalje publike, një nga deputetët e PD-së akuzoi prokurorinë se i kishin marrë provat në xhep. Më pas, gjithçka u filmua dhe nga to, del qartë sesi një ekspert i Policisë së Shtetit shtyn disa ashkla në vrimën hyrëse të plumbit në trupin e Ziver Veizit. Prokuroria tha në atë kohë se nuk donte të hapte shumë “vatra lufte”, duke pranuar në heshtje këtë manipulim, megjithëse ishte i dokumentuar.

Provat në Gardë

Menjëherë pas ngjarjes, disa hetues shkuan në Gardën e Republikës. Kërkuan të gjithë armatimin që ishte përdorur më 21 janar 2011. Morën përgjigje se nuk mund të sekuestronin të gjithë armatimin, pasi Garda kishte disa detyra kushtetuese për mbrojtjen e institucioneve dhe të zyrtarëve. Hetuesit kërkuan edhe urdhrat e përdorur më 21 janar, serverin e radiove marrëse-dhënëse. Morën si përgjigje se ka pasur vetëm një plan para ngjarjes, ndërsa nuk ka pasur një server të tillë, megjithëse disa ish-gardistë, në prononcime publike, thanë se Garda kishte një server për radiot marrëse-dhënëse. Në këtë moment filluan dyshimet për ndonjë manipulim të provave.

Vendngjarja

Në datën 22 janar 2011, hetuesit nuk kanë mundur të këqyrin vendin ku qëndronin gardistët, të cilët dyshoheshin se kishin qëlluar në distancë të ulët nga toka. Madje, zyrtarët e Kryeministrisë nuk lejuan prokurorët që të këqyrin kangjellat metalike, pasi dyshohej se në to të ishin disa plumba. Disa dëshmitarë pohuan se kishin parë punonjësit e Kryeministrisë që të fshinin me fshesë provat e gjetura brenda në Kryeministri, të cilat ishin sende të forta, por në to dyshohet se ka pasur edhe plumba e gëzhoja. Gjithsesi, disa kamionë me këto sende janë hedhur dhe si rrjedhojë, janë prishur edhe provat. Hetuesit nuk morën as plumbat që dyshoheshin se kishin ngelur tek muret dhe zyrat e selisë së Kuvendit. Madje, u morën plumba tek zyrat e UNHCR-së, e cila ishte shumë larg.

Vonesat e ekspertimeve

Laboratori kriminalistik në Ministrinë e Brendshme kreu ekspertimet e armatimeve të Gardës së Republikës. Këto veprime u vonuan në maksimum, aq sa rezultatet u shpallën rreth muajit mars të vitit 2012, kur kishin kaluar mbi dy muaj nga ngjarja. Rastet u përsëritën sërish muajt pasardhës, aq sa të gjitha ekspertimet përfunduan rreth fundit të majit.

Prova nga Turqia

Një nga provat që mund të zbardhte një nga vrasjet e 21 janarit ishte ardhja e plumbit që u gjet në trupin e Aleks Nikës. Prokuroria dërgoi në shtetin turk një letër-porosi ku kërkonte që kjo provë t’u servirej. Pas shumë peripecish, plumbi ka ardhur në Shqipëri katër muaj e gjysmë pas ngjarjeve. Zarfi kaloi nga Ministria e Drejtësisë në Prokurorinë e Përgjithshme për të përfunduar më pas në Prokurorinë e Tiranës. Për më tepër, predha kishte mjaft deformime…

Kamerat e Kryeministrisë

Prokuroria tentoi disa herë që të marrë në dorëzim serverin që kishte pamjet e demonstratës së 21 janarit. Me një shkresë zyrtare, grupi hetimor iu drejtua Këshillit të Ministrave, ndërsa fillimisht mori përgjigjen: Nuk ka një server të tillë. Pas ndërhyrjeve të hetuesve amerikanë, serveri u dërgua në prokurori. Gjatë ekspertimit në SHBA, u konkludua se pamjet e 21 janarit ishin fshirë.

Dëshmitarët dhe eksperimenti

Prokuroria e ka pasur të vështirë që të sigurojë dëshmi nga punonjësit e Gardës së Republikës. Disa herë është tentuar që të merren në pyetje drejtuesit, të cilët i janë përgjigjur shkurt e prerë, duke mos dhënë asnjë detaj nga vrasjet. Dëshmitë kanë qenë: zbatuam detyrën. Një tjetër problem për akuzën ka qenë moskryerja e eksperimentit, pasi institucionet nuk kanë pasur bashkëpunimin e nevojshëm.

Manipulimet e provave

Në morg: Nuk u këqyrën viktimat dhe teshat e tyre. Disa ashkla u shtynë drejt vendit që kishte prekur plumbi, për të bërë sa më të besueshëm hipotezën e rikoshetit. U akuzuan prokurorët se morën provat në xhep. Gjithçka u filmua dhe fotografua

Në Gardë: Prokuroria nuk mundi dot të marrë në kohë armatimin e gardistëve, të cilët u dyshuan për vrasje. Armët u morën pjesë-pjesë dhe gjatë kësaj kohe, u ndryshuan dhe u modifikuan

Në Kryeministri: Hetuesit nuk këqyrën dot vendin ku qëndronin gardistët. Shumë gëzhoja dhe plumba u hodhën në koshin e plehrave. Filmimet e kamerave të sigurisë u fshinë dhe kopjet e tyre u zhdukën

k.c.

 

Comments

Submitted by dritan (not verified) on

<p>&nbsp;</p><p>Kjo nuk eshte detyre per mediat por per prokurorine more bir&nbsp;</p>

Submitted by endri (not verified) on

<p>Po kur Prokuroria stepet para presioneve, normalisht detyra morale i bie medias me pushtetin qe zoteron, per te ndriçuar disa fakte.</p><p>Jane per tu uruar per kete angazhim.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.