Akuza dhe ballo

“Kudo që të shkosh të ankohesh, ik e hap gjyq të thonë”. Kështu më tha një i njohur që kishte një problem me legalizim banese. Të vjen në mend kjo lloj formule e “shtetit ligjor”, kur shikon sesi reagojnë nga Ministria e Mirëqenies Sociale për akuzat që PD-ja po bën thuajse përditë ndaj ministrit Erjon Veliaj. Bëhet fjalë për përfitime qindra milionë, përmes një firme të krijuar, sipas PD-së, enkas për këtë qëllim, akuza për të cilat janë paraqitur dokumente, e së fundmi edhe e-maili i një punonjëseje që u kërcënua se do të hiqej nga puna nëse do të fliste. Jemi pra në kushtet e një akuze që ka fituar autoritet edhe pse qeveria vijon me teorizimin në hava se bëhet fjalë për industri balte, ose për zgjidhje të çështjes në prokurori. Mirëpo çështja paralajmëron diçka shumë serioze, sepse po të kujtojmë 8 vitet e opozitarizmit të PS-së, akuzat që bëheshin ndaj qeveritarëve ishin thuajse të përditshme dhe nga më të rëndat. Si vallë të zgjidhen tërë këto thagma në gjykatë? Rasti i dytë që po del në sipërfaqe, sërish përmes qëndrimeve të opozitës, është ai i ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. “Rilindja Demokratike”(http://www.rilindjademokratike.com/index.php?option=com_cont...) shkruan se Ahmetaj ka emëruar sekretar të Përgjitshëm, z. Frederik Seiti dhe kjo konfirmohet edhe në faqen zyrtare të ministrisë. Sipas “RD”, z. Seiti është një ortak i vjetër i z. Ahmetaj në firmën “Hermes”, që u përfol shumë në vitet 2002-2003. Më tej, “RD” i referohet një tjetër portali, që qëndron pranë opozitës siç duket(http://boom.al/index.php/doktor-gjilpera-nacionale/4053-hije...), sipas të cilit, z. Seiti, ka marrë, në kohën kur Ahmetaj ishte zv. Ministër i Ekonomisë, një ambient me qera në hyrje të stadiumit “Qemal Stafa”, për të cilat edhe gazeta e PD-së shtjellon një tjetër histori abuzimi. Ndonëse shton se ka gjasë që “ministri Ahmetaj mund të mos dijë gjë”. Në çdo rast, lajmi mbetet i papërgënjeshtruar dhe ç’është e vërteta, do të mjaftonte vetëm caktimi i ortakut si drejtues administrativ i ministrisë, që puna “të mbante erë”. Duke qenë një forcë që qeverisi vendin për 8 vjet dhe duke patur njerëzit e vet ngado, opozita e sotme po dëshmon kapacitete të larta në dokumentimin e denoncimeve të veta, edhe pse, njësoj si PS-ja në opozitë, selektimi është kriteri që udhëheq të gjithë këtë mekanizëm politik. Për shembull, mund të vihet re lehtë sesi LSI-ja mbetet jashtë rrezes së akuzave të PD-së. E gjithë kjo paradë faktesh, e cila kalon si stafetë nga njëra opozitë në tjetrën, duke krijuar dosje të reja për ministra, deputetë apo drejtorë, nuk mund të zgjidhet në gjykatë, siç pretendon shpesh ekipi drejtues socialist. Në kushtet aktuale, ajo është lëndë e parë e teatrit politik që vijon prej kohësh, meqë gradualisht qytetarët po zbulojnë jo vetëm që edhe përfaqësues të qeverisë së re “kanë sy për të abuzuar”, por madje mekanizmi i operimit është thuajse identik me atë që aplikonte qeverisja e shkuar. Sa më i madh zullumi, apo dështimi, aq më i madh salltaneti dhe celebrimi. P.sh po sot, kryeministri njoftoi në “Facebook”, se do të jepeshin live në tv “çmimet e Sipërmarrjes - për herë të parë një vlerësim publik për talentet, vullnetet, sukseset e biznesit”. Demagogjia e kësaj balloje të radhës, tanimë nga qeveria, është se janë ftuar rreth 50 biznese që të bujtin aty me synim ekspozimin e arritjeve. Qeveria e tanishme ka vetëm një atu për t’iu qasur biznesit aktualisht dhe kjo është shlyerja e borxhit. Por për histori suksesi në këtë vit vështirë se mund të flitet. Plus, sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, është kjo e fundit organizatorja e kësaj shfaqjeje reklamuese, madje është pikërisht ajo që ka realizuar pamjet dhe skenografinë, si e si për të bërë diçka në këtë fundviti. Është nga ato marrëveshje që biznesi i bën shpesh, edhe sepse nuk humbet gjë, ndonëse i shërben me këtë rast imazhit të një ministri dhe të një kryeministri që kur vjen puna te konsiderimi i kërkesave të bëra për politikat fiskale, as që duan të dëgjojnë. Edhe Berishën e prisnin në çdo fermë, punishte a kantinë, po ja që ekskursione të këtilla nuk do të thonë asgjë. Madje janë dëshpëruese në trashësinë e realizimit dhe në arrogancën me të cilën shpërfaqet kjo kotësi e kushtueshme. Nga një anë ballot luksoze dhe groteske të organizuara nga një president që është i fundit për nga rëndësia në shtëpinë e vet, nga ana tjetër ballua, po kaq e pahonepsshme, e një qeverie që vdes të dalë në fotografi me mëngë përveshur, si për të na kujtuar sa origjinën proletare, aq edhe energjinë për t’i vënë gjoksin vështirësive që i krijojnë po vetë. Një pathos i rremë migjenian i dy partive që i vunë dërrmën vendit. skerdilajd zaimi
Add new comment