“Rusi-Iran-Hezbollah, një bosht i mundshëm në aleancë me ISIS, kundër fushatës ajrore amerikane. Duhet një Dayton për Sirinë”

Postuar në 20 Tetor, 2014 19:59

Sadiq J. Al-Azm, një akademik dhe aktivist i të drejtave të njeriut në Siri, i ka dhënë një intervistë gazetës turke “Zaman”. Al-Azm flet për situatën në Siri, për atë akumulim dhune i cili po përmbledh në vetvete një ngarkesë edhe më shpërthyese, çka e bën atë shumë pesimist. Shpjegimi i tij, për aq sa lejon një intervistë, hedh dritë për arsyet e kësaj dhune absurde që mbërtheu fillimisht atë që u quajt revolucioni sirian, e që mandej u zgjerua për t’u bërë pika më kritike e sistemit ndërkombëtar sot. Kjo natyrisht me dajen në skenë të Shtetit Islamik, i cili ka imponuar rishikimin e opsioneve, por edhe ka nxjerrë zbuluar Perëndimin. “Një nga parrullat e preferuara të regjimit ishte se “Siria është e mbrojtur nga Zoti”; pra asgjë nuk mund ta cenojë Sirinë e drejtuar nga Assadi”, thotë Al-Azm. Dhe kjo ishte shumë e përshtatshme për t’u besuar sipas tij, duke patur parasysh edhe “fatalizmin që kaq shumë është i inkorporuar në shoqëritë dhe kulturën tonë”. Më tej, natyra autoritare e regjimit gradualisht e përthithi Sirinë drejt atyre dukurive që i kanë kaluar edhe shoqëritë e Lindjes së Europës: heshtje e kujdesshme, një frikë e përhapur në shoqëri në të gjitha nivelet. “Kjo është arsyeja pse për një kohë të gjatë inteligjenca siriane u strehua te letërsia, metafora, aluzioni dhe simboli për të përcjellë një ndjesi të rreziqeve që ishin pezull dhe stuhive që po afroheshin”, shton Al-Azm. Potencialit të kësaj krize, thuasje të paprecedentë për nga kaosi që ka krijuar, i shtohen edhe  interesat e elitës alavite në ushtrinë siriane. Shteti Islamik në këtë kuadër është faktor i huaj, por ai nuk mund të kuptohet pa rebelimin fillestar ndaj Assadit, si dhe pa dobësinë e Perëndimit, edhe e qëllimshme,  siç shton akademiku sirian, për të kuptuar ekuacionin e Lindjes së Mesme, një rajon ku nuk ka zgjidhje të vërtetë. “Kur Presidenti Obama bashkë me këshilltarët dhe strategjistët e tij, vlerësojnë vështirësinë e opsioneve në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Siri dhe në Irak, ata zbulojnë se çdo opsion është realisht më i keq se të gjthë opsionet e tjera. Me fjalë të tjera, ata zbulojnë se çdo opsion, kur merret në konsideratë, mund të çojë në kaq shumë pasoja të këqija dhe të paparashkueshme, saqë ai pushon së qeni një opsion serioz. Kur të gjitha opsionet duken të tillë, i vetmi opsion që mbetet është mosveprimi. Kjo është arsyeja se përse Perëndimi bëri një sy qorr në Siri. Rezultati është Shteti Islamik në Siri dhe në Irak. Kur vjen puna te vlerësmi sipas Realpolitikës, bërja e një syri qorr në Siri, mund të ndihmojë në dy drejtime:  së pari në grumbullimin e të gjithë llojeve të xhihadistëve të botës, kamikazëve, islamikëve, talebanëve në një rajon të mirëpërkufizuar, kështu që mund të eliminohen në një fushatë të vetme, nëse mundet.  Së dyti, duke lënë këta armiq të betuar të Perëndimit të gjakosen dhe të asgjësojnë njëri-tjetrin deri sa të vijë koha që të ndërhyet, siç bëri Franca në Mali dhe në Afrikën Qendrore”, thotë Al-Azm. Me interes është edhe analiza e skenarëve që mund të krijohen nga fushata ajrore e amerikanëve, e cila nuk pranohet nga Rusia dhe Irani. Ky kombinacion rrethanash po bëhet shumë delikat dhe Al-Azm parashikon edhe shfaqjen e një aksi bashkëpunimi mes Rusisë, Iranit dhe Hezbollahut, që në krah të ISIS të kundërshtojnë rrëzimin e Asadit. Ai do të çonte medoemos në likujdimin e regjimit aktual në Siri, por nuk kuptohet sesi akademiku sirian, e shikon këtë vetëm si çështje të thjeshtë të një raporti ushtarak, pa llogaritur ndërlikimin politik që pason. Kur vjen puna te mbulimi mediatik i konfliktit, krahas vlerësimit për informimin e plotë dhe të hollësishëm të medias perëndimore, vjen vërejtja për përkufizimin e tij si Luftë Civile. “Është shumë i thjeshtuar ky përkufizim. Ne e dimë që pjesët përbërëse të popullit sirian, kurdët, krisitianët, alevitët, ismailitët, druzhet, turkmenët etj., nuk janë mobiliziuar kolektivisht kundër njëri-tjetrit, as po luftojnë me njëri-tjetrin”, sqaron ai. Në kushtet e një konflikti që ka shenjuar thelbësisht të ardhmen e Sirisë, por edhe të rajonit, opsioni më i vështirë është ai i paqes. Një dobësim i vazhdueshëm i Asadit, dinastia e të cilit sipas Al-Azm, nuk mund të qeverisë më Sirinë, qoftë edhe pse i përket një minoriteti, do të duhej të çonte në një Dayton të ri, me adoptimin e formulës libaneze, që megjithë të metat, ka siguruar integritetin e vendit, duke shmangur ndarjen e vendit, e cila po pëshpëritet.

http://www.todayszaman.com/monday-talk_russia-iran-hezbollah-axis-could-arise-allying-itself-with-isil_362030.html

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.