“Opinion” për Drejtësinë: Lubonja: “Aktet e kryeministrit nuk japin garanci”. Ngjela: “Nuk mund të ecet më me modelin e marrëveshjeve Berisha-Nano”

Drejtësia ka qenë sot temë e debatit në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Të ftuar kanë qenë analistë, por edhe njerëz të sistemit, përfshirë nënkryetarin e KLD-së, Elvis Cefa dhe ish-kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata. Diskutimi është përqendruar te nevoja emergjente për reformimin e sistemit të drejtësisë, si kusht i BE-së, por ndonëse nuk thuhet ndonjëherë, edhe si domosdoshmëri për vendosjen e një paqeje të vërtetë sociale. Fatos Lubonja ka theksuar se nismat e fundit të mazhorancës, sidomos aktet me natyrë personale dhe populiste të kryeministrit, vijnë ndesh me konceptin e respektit ndaj ligjit. Kjo qoftë edhe në rastin e prishjeve të ndërtimeve të ndryshme, që gjithesesi duhet të vijnë në zbatim të ligjit. Lubonja ka shtuar se edhe sjellja e kryeministrit në raport me deputetë të caktuar në Parlament, “kriminelë që i njeh gjithë Shqipëria se çfarë kanë bërë”, siç tha ai, është një mungesë garancie se këtu vërtet do të ketë reformë. Çfarë po synohet sipas tij është orientimi i gjyqësorit drejt mazhorancës, “ashtu siç bëri Saliu” dhe një ilustrim për këtë është edhe paradoksi i madh i kësaj mazhorance, faktori kyç i së cilës është Ilir Meta, që ka në arkivën e vet politike një sukses politik për vete, pra procesin gjyqësor, por që është një dështim dhe turp i drejtësisë. Për Spartak Ngjelën çështja është e komplikuar, pasi në fund të fundit ajo varet nga politika. Dhe kjo politikë sipas tij, ka ardhur deri këtu me marrëveshje. “Së pari bëhet marrëveshja me hajdutët që ikin. E bëri Saliu me socialistët dhe ata nuk ndjeheshin në Parlament. Saliu nuk i goditi. Tha për Fatos Nanon që është më i korruptuari dhe më vonë tha: kështu e ka politika. Pse? Sepse donte të vidhte vetë. Ky kryeministër nuk mund ta sigurojë karrierën më me marrëveshje të tilla”, tha Ngjela. Vërejtjet e bëra për nismën e fundit të mazhorancës janë përqendruar më shumë te procedimi gati si me aksion ndaj drejtësisë, që dëshmon se koalicioni në pushtet nuk niset në këtë proces nga premisa doktrinare, as nga ndonjë vizion i vërtetë, por nga një reflekes retorik, i konsumuar për kaq shumë kohë në Shqipëri. Çlirim Gjata ka hedhur idenë se për të bërë me të vërtetë reformë do të duhet një konsenus i madh duke ndërhyrë në Kushtetutë dhe duket rregulluar marrëdhëniet ndërinstitucionale. Dhe këtu pika e dobët sipas tij është statura kushtetuese e ekspozuar e Presidentit. Megjithatë do të mbetet shumë e paqartë sesi një reformë që konceptohet vetëm si ndërhyje me sens legjislativ do të çlirojë drejtësinë nga një përvojë 20-vjeçare e ndërthyrjes së interesave të politikës me pushtetin gjyqësor, teksa ky i fundit thjesht ka shërbyer si kalibrues final i vullnetit të saj, por rrallë i ligjit.
s.z
Comments
Ai dallkauku i LSIse Zheji
<p>Ai dallkauku i LSIse Zheji cdonte ne ate emision??? Cfare budallalleku...! Me pelqeu analiza e Ngjeles dhe ideja e Gjates qe presidenti dhe senati te zgjidhen nga populli. Shqetsimi i Lubonjes eshte evident sepse me Ilir Meten ne krye te shtetit, ska asnje shanc reforme ne drejtsi. Te futet nje here Ilir Meta ne burg, pastaj te shofim...</p>
Add new comment