Saga e akuzave për Janullatosin njeh një hop cilësor: Nga përçues i helenizmit në përçues i rusifikimit të KOASH

Për kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, është shkruar e shkruhet shumë. Kryesisht me ngarkesë negative, tendencë e brenda shabllonit ideologjik inert të periudhës së Enver Hoxhës, ku mungon vetëm për çështje takti dhe koherence terminologjike, fjala shovinizëm, apo monarko-fashizëm. Për historinë e publicistikës shqiptare të pas’90 –ës, Janullatos me siguri do të përfaqësojë arketipin e armikut të jashtëm, por tanimë jo i desantuar si pararojë e ndonjë projekti perëndimor që ka merak lirinë e shqiptarëve, por si një kalë troje, që heshturazi end pëlhurën e helenizimit të Jugut. Kjo fabul që tirret prej 23 vjetësh, pa ngritur gjithsesi për ortodoksët shqiptarë(pjesën më të madhe të tyre) dilemën e legjitimitetit, vijon së fundmi, me një shkrim të të datës 9 qershor, të botuesit të gazetës “55”, Fahri Balliu, që posedon edhe shtëpinë botuese me të njëjtin emër. Balliu merr shkas nga vizita e korit kishtar rus për të hamendësuar se Janullatos, tanimë i sëmurë, po flirtoka me vëllezërit rusë për të kalur KOASH-in nën kontrollin e tyre. Balliu është një njeri i informuar, por në shkrimin e tij, këto insinuata i ndërton mbi kritere të një eksperti të kriminalistikës: “Takimet dhe aktivitetet publike u zhvilluan në Durrës më 5 qershor dhe në Tiranë më 7 qershor. Të dyja këto kishin si orë të përbashkët atë 19.00 të mbrëmjes. Sigurisht është e kotë të zgjatemi në faktin se të 60 personat ishin të gjithë këndues biblikë, apo se nuk kishin lidhje me zanatin e përhershëm të tyre. Programi paraprak i vizitës kishte në plan edhe aktivitete në qytetet e Korçës dhe Beratit, si dhe një qëndrim njëmujor, por “për arsye financiare”, ky aktivitet nuk u zgjerua më tej. Delegacioni i madh rus u strehua në manastirin e ShnaVlashit në Durrës. Prej aty merrte forca për aktivitetet që e prisnin. Ambasada ruse në Tiranë u kujdes për të ftuar njerëzit e saj në aktivitete, pavarësisht se pak prej tyre i takonin fesë ortodokse. Për aktivitetin e Tiranës u shpërndanë disa foto që fokusoheshin te njerëzit e parëndësishëm të korit, ndërsa lihej jashtë vëmendjes pjesa kryesore e tij. Në fakt, aktivitetet në fjalë vinin si kurorëzim i përpjekjeve disavjeçare që janë vërejtur se bëjnë diplomatët rusë në Tiranë. Ambasadori rus në Tiranë, prej kohësh ka vendosur kontakte të ngushta me z. Janullatos. Këto kontakte njihen për karakterin e ngushtë të tyre, deri në fshehtësi të pazakontë. Pala ruse ka qenë në dijeni të faktit se shëndeti i dobësuar i hirësisë së tij z.Janullatos, do ta vërë shpejt KOASH-in në një drejtim të ri, ndaj të cilit rusët duket se nuk do të jenë të pavëmendshëm. Pala ruse është interesuar për shëndetin e z.Janullatos kur ky kurohej në Greqi para pak javësh, jo me mirësjellje diplomatike, por me sy hetimor se çfarë rruge do të marrë në të ardhmen kjo kishë. Nisur nga ndryshimet qeveritare në Greqi si dhe një ngushtice të ardhurash të KOASH-it, si mungesë e financimeve të përhershme nën 1 milion euro në vit, Rusia po ndërhyn në mënyrë që ta kthejë kishën shqiptare drejt një drejtimi rus, çka do të ishte jo vetëm i gabuar, por edhe i rrezikshëm”, shkruan Balliu. Dhe me shkathtësi aludon një lidhje që mund ta gjesh si fill ideologjik te botimet e shtëpisë së tij botuese që ndërthurin promovimin e kulturës dhe figurave katolike, me denoncimin e komunizmit që trajtohet si bimë e harlisur në lëmin e ortodoksisë. Ja se çfarë thotë Balliu më tej: “Këtë drejtim kjo kishë e ka pasur në vitet e sundimit komunist, deri në vitin 1960. Mirëpo në atë kohë kisha e zvogëluar tmerrësisht, në kushtet kur në Shqipëri vepronte një regjim stalinist, nuk kishte kohë të shfaqte tërësisht rusifikimin e saj. Sigurisht në sajë të kontakteve të ngushta të ambasadorit sovjetik e ndihmësve të tij me z.Janullatos, rusët kanë të qartë edhe një panoramë financiare të KOASH-it. Por kontaktet që janë vendosur tashmë midis ambasadorit rus Kapushin dhe z. Janullatos, kanë pasur në qendër të diskutimeve të tyre edhe çështje të tjera jashtëfetare, si p.sh. ajo çame, çka vënë në dyshim tërësisht karakterin e këtyre bisedimeve. Dy vjet më parë, z. Janullatos, i ndikuar nga një kishë tjetër, ka qenë i prerë dhe nuk ka pranuar kontakte me kishën ruse. Një ndryshim i kursit në këto momente shihet jo vetëm si lëvizje e habitshme, por edhe si fillimi i një procesi që pritet të vijojë nga lëvizje të tjera. Mbetet të shihet nëse Rusia ka vendosur të bëjë bashkë disa kisha ortodokse në Ballkan duke krijuar një zinxhir panortodoks rus, si një “lumë” që do përçojë më së miri interesat e saj në këtë gadishull”. Nuk dihet si qëndrojnë këto çështje, por formalisht, drejtuesi i një prej komuniteteve fetare kryesore në vend, nuk mund të trajtohet si një agjent që rekrutohet me material shtrëngues. Çështja e pasuesit të Janullatosit është delikate vetëm sepse opinioni në Shqipëri është përpunuar dhe karikuar në mënyrë të tillë që aty të shihet ekskluzivisht një operacion i fshehtë. Çka nuk e shohim të ndodhë me komunitetet e tjera, as për atë më hermetikun, komunitetin katolik. Kjo qasje, e përgjithshme në disa segmente të politikës shqiptare, mohon një sens barazie, por edhe në planin historik bie në paradoks, sa kohë që heroi i nacionalortodoksëve, Fan Noli, u shugurua nga një rus në New York. Sikundër edhe sikur vendimi për pasuesin t’u lihet këtyre që ulërasin me teserën e patriotit, me siguri që do bëjnë po atë që ka bërë politika safi shqiptare këto 25 vjet. s.z
Comments
Sigurisht, ai qe sulmon
Sigurisht, ai qe sulmon orthodokset te pakten ne emer nuk eshte asnjehere i krishtere.
Edhe Janullatosin do mbroni
<p>Edhe Janullatosin do mbroni tani ?? Ju qofshi...</p>
Add new comment