Vendosja e kufirit të borxhit në ligj dhe imazhi ndërkombëtar

Postuar në 16 Dhjetor, 2011 05:12
Endrit Avdullari

Ndër propozimet e hedhura për të ulur borxhin e jashtëm është hedhur nga deputetët Harasani dhe Blushi ideja e miratimit të një ligji për të vendosur një tavan në shumën që parlamenti i lejon qeverisë të marrë hua në tregun e parasë. Kjo pritet të vërë nën kontroll dhe interesat që paguhen për të marrë këtë borxh.

Diskutimi nisi sepse situata ekonomike po bëhet alarmante. Për herë të pare që nga viti 1997, Shqipëria sheh shenja të ngadalësimit së rritjes ekonomike që pritet të jetë në intervalin 2-4% sipas BB, më e ulëta e 10 viteve të fundit ndërkohë që borxhi i jashtëm,  i cili po i afrohet 60%-ëshit të Prodhimit të Brendshëm (PBB) është më i larti. Sigurisht situata e nderë ekonomike është shkaktuar jo vetëm nga politikat qeverisëse por edhe nga kriza botërore. Ministria e Financave është detyruar të ndërrojë disa herë sistemin e taksave dhe tatimeve, të ndryshojë buxhetin e kushtëzuar nga mosplotësimi i planit mbioptimist të të ardhurave duke shkaktuar konfuzion mbi bizneset dhe duke ulur për fat të keq besueshmërinë e saj. Kjo ka shkaktuar dhe rritjen e beftë të borxhit afatshkurtër i cili duhet vënë nën kontroll një orë e më parë. Vitin e kaluar Standard and Poor e renditi Shqipërinë në gradën B+ bashkë me Nigerinë dhe Ugandën. "Nota" B është nota gati më e ulët kaluese që mund t`i vihet një vendi.

Ekuivalentuar me sistemin tonë akademik, Shqipëria kalon klasën me mesatare 5,5. Ky vendim mbështetej ndër të tjera në "borxhin e lartë, paqëndrueshmërinë politike... dhe rritjen e pasigurive të jashtme", por edhe në "rritjen e vazhdueshme ekonomike, potencialet e vendit, kornizën e favorshme ligjore dhe mundësinë e hyrjes në BE". Sigurisht, krahasuar me vitin e kaluar, borxhi i jashtëm  paqëndrueshmëria politike, kornizat ligjore, rritja ekonomike dhe hyrja në BE janë përkeqësuar (kujto 21 Janarin, zgjedhjet vendore 2011, ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe refuzimin e statusit të vendit kandidat në BE) duke vënë në rrezik mundësinë e marrjes së notës kaluese për këtë vit. Kjo është dhe arsyeja pse përpjekjet e qeverisë për të marrë hua në tregun ndërkombëtar qenë një dështim total duke arritur interesa tepër të larta. Kjo ndodhi sepse investitorët e huaj bazohen mbi vlerësimin e kompanive si Standard and Poor në vendimet e tyre dhe nuk investojnë nëse situata nuk është e favorshme.

Ata i marrin vendimet mbi tregues domethënës dhe nuk mbështeten mbi sharjet që kryeministri ynë i bën apo jo drejtuesve palestinezë dhe iranianë pa miratimin paraprak nga kuvendi. Ata edhe mund të japin kredi, por duke qënë se Shqipëria konsiderohet si vend me rrezik të lartë, e bëjnë këtë vetëm kundrejt interesave shumë të larta. Kjo po ndodh edhe në Greqi tani.

Në teori propozimi për një ekonomi të balancuar me kufi defiçiti të përcaktuar me ligj tingëllon i përkryer. Të kursejmë në kohë bollëku që të mund të shpenzojmë në kohë krizash duke e detyruar qeverinë të jetë e përgjegjshme. Vështirë se dikush mund të argumentojë kundër kësaj. Por egziston një argument kundër, praktika ndërkombëtare!

Rregullat fiskale janë rritur ndjeshëm në popullaritet. Nga 10 vende në 1990-ën tani rreth 80 shtete i kanë vënë ato në zbatim. Suedia e përgjysmoi borxhin e saj nga 70 në 35% për dhjetë vjet në fundshekullin e kaluar. Por jo të gjitha rastet janë të suksesshme. Gjermania ka vendosur një kufi prej 35% të PBB-së nga 2016-a, por ka shtuar një klauzolë ku përjashton "fatkeqësitë natyrore apo krizat financiare" dhe tashmë borxhi i saj është mbi 80% të PBB-së dhe vështirë të arrijë synimin e vënë brenda tre vitesh. Zvicra për shkak të këtyre rregullave ka patur madje sufiçit në fillim të mijëvjeçarit duke arritur të kursejë fonde të vyera që i përdori gjatë krizës botërore të 2008-ës, por tashmë ajo është vendi i dytë në botë për përqindje borxhi për frymë. Mbretëria e Bashkuar u përpoq të bëntë diçka të ngjashme në 1998-ën por përfundoi në defiçit çdo vit edhe pse ekonomia ishte në rritje. Këtë vit kongresi i Shteteve të Bashkuara u detyrua të miratojë ngritjen e kufirit të borxhit publik për të 55-tën herë në histori. Me pak fjalë, rregullat kanë tendencë të mos zbatohen as nga shtete me demokraci të konsoliduar. Do ishte iluzion të besonim që deputetët e maxhorancës, Ministri i Financave apo Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do guxojnë t`i kundërvihen ndonjëherë "Kryetarit" kushqo qoftë ai, për të ndaluar rritjen e mëtejshme të borxhit. Ata janë thjesht manekinë që bëjnë si u thonë edhe për çështje të sigurisë kombëtare si marrëveshja e ujrave me Greqinë e jo më për shumën e borxhit.

Zgjedhja e vetme ngelet që një ditë Shqipëria të ketë një qeveri që është vetë e përgjegjshme dhe ta kontrollojë borxhin vullnetarisht. E di, edhe mua më qeshet

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.