Teatri i një festivali

U krijua përshtypja, për Festivalin Tirana Open, se dështoi si event – meqë nuk arriti të tërheqë publikun. Në fakt nuk pati vizitorë të mjaftueshëm as në sallën e stendave të librit, as në sallën e video-artit një kat më poshtë; dëgjova edhe se disa nga filmat dokumentarë në DocuTiff ishin shfaqur me sallën bosh.
Megjithatë nuk kam në dorë të dhëna të plota për Festivalin, as për shitjen e librave; dhe e kuptoj që mund të ketë njerëz që suksesin e këtij eventi nuk do ta matnin me numrin dhe interesin e vizitorëve.
Duke qenë se unë vetë kisha sjellë një libër të ri, dua ta shpall menjëherë se jam palë e interesuar, sidomos në sa do të parashtroj më poshtë.
Dhe që ka të bëjë me mënyrën si u trajtuan, në Festival, autorët shqiptarë.
Në hyrje të Pallatit të Kongreseve kishin afishuar posterin gjigant që po sjell në fotografinë përbri.
Aty lajmërohen, pa frikë dhe me shkronja të mëdha, emrat e disa shkrimtarëve të ftuar: Roberto Saviano, Giuseppe Catozzella, Victoria Hislop, Drago Jancar, Gerrard Williams.
Sikurse lajmërohet edhe çmimi Ardian Klosi.
Sapo e pashë këtë poster, më bëri përshtypje që aty nuk përmendej asnjë autor shqiptar – pa çka se në Festival merrnin pjesë, me libra të rinj, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Mustafa Nano, Nasi Lera, Servet Pëllumbi, Albatros Rexhaj, Virgjil Muçi dhe të tjerë (për të cilët të tjerë, për fat të keq, nuk kam informacion).
Nuk dua të lë jashtë kësaj liste as veten, në mos për romanin e ri Bolero, të paktën si fitues i vjetshëm i çmimit Ardian Klosi.
Prej shkrimtarëve, të paktën Bashkim Shehu dhe unë kishim ardhur në Festival nga jashtë Shqipërisë; nuk di për Bashkimin ose për të tjerët, por unë udhëtova me shpenzimet e mia, pa çka se më kishin caktuar edhe anëtar të jurisë së çmimit Klosi (por duhet të them edhe se nuk i kërkova kujt që të më paguajë gjë, veç honorarit modest që më kanë premtuar, për impenjimin serioz si anëtar i jurisë).
Nga emrat e përmendur në posterin gjigant të festivalit, kisha dëgjuar vetëm Savianon; me siguri është mangësia ime që nuk dija gjë për të tjerët – por mund të them se asnjë prej tyre, përfshi këtu edhe vetë Savianon, nuk ka përmasa kulturore dhe artistike të tilla që ta përjashtojnë pranëvënien me emra shkrimtarësh shqiptarë bashkëkohorë.
Për këta të fundit, Festivali do të shërbente si rast unik dhe i pazëvendësueshëm për t’u takuar me lexuesit dhe promovuar librat e tyre; dhe ata kanë nevojë për këtë shërbim ekspozimi më shumë se ç’ka Saviano-ja dhe të tjerët mysafirë të huaj.
Botuesit ankohen, me siguri me argumentet e tyre, se librat e autorëve shqiptarë nuk u shiten; por kushedi shkak për këtë është edhe që vëmendja institucionale dhe mediatike në evente të tilla shkon e tëra drejt të ftuarve të huaj; sikurse mund të jetë edhe reklama më e madhe që i bëhet librit të përkthyer.
Nuk e them këtë nga pozita kombëtariste dhe aq më pak personale; por ngaqë më dhimbset letërsia shqipe bashkëkohore, krizën e së cilës nuk mund ta kompensojnë katër-pesë mysafirë të thirrur nga lëndina letrare më të gjelbra rreth e rrotull.
Edhe për vetë të ftuarit në Festival, mungesa e emrave të kolegëve të tyre vendës do të ketë krijuar përshtypjen se kanë shkelur në një shkretëtirë letrare.
Ato pak herë kur autorët e huaj u vunë të bashkëbisedojnë me kolegët e tyre vendës, si në rastin e Jancar-it (me B. Shehun) ose Catozzella-s (librin e të cilit e prezantova unë), nuk më rezulton të jenë lajmëruar as në program, as në raportet e mediave.
Shto këtu që shtëpia botuese Onufri, e cila kërren libra të Ismail Kadaresë, kish vendosur ta bojkotonte Festivalin, për arsye që nuk i mora vesh (nuk është se pyeta).
Vetë ceremonia e dhënies së çmimit Ardian Klosi për librin më të mirë publicistik, me sponsorizim nga fondacioni Traduki, nuk shkoi mirë: që nga pjesëmarrja e varfër deri në ulërimë, deri te certifikata që duhej t’i dorëzohej fituesit të çmimit, por që nuk ishte gati dhe në fakt nuk u dorëzua.
Menjëherë më pas Saviano-ja mbajti një ‘lectio magistralis’ që u ndoq me interes të madh nga një sallë e mbushur paq, dhe me praninë e plotë e të hareshme të mediave.
Kësisoj, do të kish qenë mbase më logjike që çmimin Ardian Klosi t’ia kishin akorduar Saviano-s thjesht për praninë e tij në Festival, dhe të na e kishin kursyer ne të tjerëve poshtërimin e një ceremonie çmimi të trishtuar, ku i vetmi publik ishin një grusht studentësh që i kishin futur aty gati forcërisht.
Nuk di si shkuan punët me veprimtaritë e tjera të Tirana Open – pashë vetëm që salla e videove, në katin e nëndheshëm të Pallatit të Kongreseve, ishte krejtësisht bosh, aq sa të zinte frika.
Festivali pati edhe momente të shkëlqyera – si opera “Il Naufragio” e sjellë nga Italia; por edhe kjo u shfaq në një sallë gjysmë bosh dhe shumë vetë që do të kishin ardhur, nuk kishin marrë dot vesh që do të shfaqej.
Tirana Open do t’u ketë kushtuar mjaft shtrenjtë taksapaguesve; dhe gjasat janë që vitin tjetër të mos mbahet më – të paktën kështu dëgjova në korridoret.
Të tjerë do të analizojnë, më mirë e më me kompetencë se unë, shkaqet e këtij dështimi; nëse dështim ka pasur. Po mjaftohem të them këtu se, sa i takon librit shqip, nuk mund të vazhdohet më kështu, duke i lënë në plan të dytë autorët shqiptarë.
Atyre që të shpjegojnë se “të paktën po mundohemi të bëjmë diçka” do t’u thoja: më mirë mos e bëni fare, sepse kështu siç e bëtë sivjet, më shumë e keni dëmtuar kulturën se e keni ndihmuar.
Mbetet për t’u zbuluar se kush përfitoi vërtet, kulturorisht, nga kjo komedi.
"Peizazhe të Fjalës"
Comments
Kadare, si disident i
Kadare, si disident i komunizmit, s'mund te ulej me komunistet apo me shkrimtare me Dosje...
Keta autore qe permend ti, Vehbi
kane frike nga e shkuara, teksa Letersia eshte kujtese e se shkuares, sic besoj e di edje ti vete.
Komgolezi eshte shkrimtar thjesht mesatar, dhe perspn qe nuk e respekton te shkruarin si virtyt, teksa Zogaj eshte i vetmi qe ia vlen te quhet krjijues, pavarsisht hijeve ne biografine politike.
Ti je djale me dije te shumte, por a nuk e ve re qe as kaq gje nuk ndan dot: ishte apo jo deshtim Tirana Open?!
Si fitues i vjetshem, pa dyshim duhet te ishe afishuar, por a ja thua dot psh Edi Rames: Perse merr keshilltare te huaj me pak te mencur se i ka me shumice te pa pune ne Tirane?!
Sepse jane Te Huaj, dhe me ta mbahet me lehte Karrigja, Vehbi.
Pse kam idene se, po te ishte gjalle, Ad Klosi, as ai nuk do vinte ne Pallatin e Kongreseve?
Madje, edhe nese do ta dinte se Disidenti dhe Hudhra e varur ne qafen e tij si Botues, nuk do te vinte..
Vehbi, po kaq bosh dhe i
Vehbi, po kaq bosh dhe i parealizuar ishte panairi i vjetshem. Ne fund te fundit, cfare prisni ju nga Dudaj dhe vertete besuat ne nje vit te dyte me te mire?? Kjo eshte koha e falcitetit e zhurmes siperfaqesore (saviano ) dhe e shperblimeve shoqerore, mediatike e politike ,po aq mediokre (Xhunga ne juri) Ju do te benit mire mos kishit pranuar te ishit kuklla e radhes ne ate juri qofte edhe pse Xhunga ishte aty. Edhe pse, e perseris, mjafton emri, permbajtja e formimi i organizatores per te mos u zhgenjyer. Kam vene re qe veproni gjithmone njesoj, Beheni pjese, perfitoni ndonje cmim, nje promovim etj dhe pastaj kritikoni dhe ikni i ligeshtuar. Ky post reflektim, ngjan me teper me nje shplarje pubike
Me duket se ky gjithmone
<p>Me duket se ky gjithmone keshtu ben , shan mbare e prape kur nuk nxjerr vete ndonje perfitim. Pastaj po te shash perhere, ndonjehere edhe mund te kesh te drejte, keshtu "en passant".</p>
Add new comment