Ne, sonanmbulët e demokracisë

Më kujtohet episodi, por jo data. Diku nga fillimi i viteve 2000 ndoshta. Në Pontignano, afër Sienës, një takim anglo-italian, drejtuar nga Giuliano Mato dhe Ralf Dahrendorf. Flitej për identitetin europian, për bindjen tonë të vakët, për vendosmërinë e kundërshtarëve tanë, islamikë në bindje dhe në mënyrën e të menduarit. Pyeta: “Për t’u bërë qytetarë amerikanë është i domosdoshëm një beti solemn dhe marrja e një sërë angazhimesh. Për të marrë një pasaportë europiane nuk kërkohet asgjë nga këto. Pse?”. Nuk më kujtohet përgjigja e Amatos, por më kujtohet shprehja e fytyrës. Një tërheqje gati si prej prindi, një mënyrë e edukuar për të thënë: e kotë të kemi iluzione, në Europë disa gjëra nuk shkojnë.
Dhe kështu përfunduam duke u zënë për 3% e defiçitit, ndërkohë që fanatikët pushtojnë zemra, mendje dhe territore. Kërcënimi, gjithsesi, është më shumë i brendshëm sesa i jashtëm. Nuk i referohem terrorit të djeshëm në redaksinë e “Charlie Hebdo”. Nuk janë automatikët kërcënimi, por ngopja, mjaftueshmëria dhe plogështia jonë. Detyra që nuk bëjmë dhe krenaria që nuk shfaqim. Kemi krijuar një hapësirë lirie që nuk ka të ngjashme në planet dhe neve gati na vjen turp. Dhe kur dalim nga sonambulizmi ynë demokratik, shpesh bëjmë vetëm gabime. Mendojeni, dje, për thjeshtimet luftënxitëse të neoconëve amerikanë dhe të manarëve të tyre europianë që duartrokisnin luftëra të gabuara. Mendoni, sot, hapësirën e fituar nga Front National në Francë dhe Lega në Itali. Duam vallë që krenaria e Europës të përfundojë në duart e tyre! Apo në ato të Vladimir Putinit, që nga larg, për qëllimet e tij, i inkurajon?
Nuk do të ishte më mirë që të kujtonim se kush jemi dhe se çfarë kemi ndërtuar? Nga çfarë kemi frikë? I kërkojmë atij që do një pasaportë europiane, që të angazhohet që të mbrojë dhe respektojë vetëm kartën e të drejtave themelore të Bashkimit Europian. Ajo ekziston. Flet për dinjitetin, lirinë, barazinë, solidaritetin, qytetarinë, për drejtësinë. Ka të njëjtin efekt detyrues si ai i traktateve. Po sa njerëz e dinë këtë gjë? Nëse përgjigja është “gati askush”, atëherë keni kuptuar përmasën e problemit tonë.
“Corriere della Sera”
Add new comment