Loja “parimore” e Ramës me kryetarët e Bashkive

Postuar në 27 Shkurt, 2015 03:29
Roland Lami

Ditët e fundit presioni në rritje nga ana e z. Rama ndaj disa kryebashkiakëve për të dhënë dorëheqje apo për të mos rikandiduar më, është interpretuar si pozitive në shtyp. Kjo e justifikuar me arsyetimin se një pjesë prej tyre, pavarësisht performancës shumë të dobët ose deri diku të pranueshme, kanë siguruar falë mbështetjes së PS mundësinë e rimarrjes së mandatit më shumë se dy herë, duke u shndërruar në “pashallarë”, “bejlerë”, “oligarkë” të njësive lokale respektive. Nisur nga ky fakt, çdo nismë ligjore për kufizim mundësie për mosrikandidim më shumë se dy herë, mungesë garancie për mbështetje nga lidershipi i Partisë Socialiste apo presion nëpërmjet publikimeve të shkeljeve ligjore me synim prishjen e kredibilitetit të tyre që të kufizohen ndjeshëm mundësitë për të kandiduar si kandidat i pavarur ose nën siglën e një partie tjetër, janë vlerësuar si legjitime dhe të drejta nga shumë analistë.

Mirëpo, kjo formë e trajtimit të problemit nga kjo perspektivë mund të lexohet pak si sipërfaqësore dhe deri diku edhe një manovër e zgjuar e mbështetësve të z. Rama për të justifikuar në publik strategjinë e tij dhe për ta trajtuar atë si parimore. Pse e them këtë?

Së pari, nisur nga lista e kandidatëve të përbashkët PS–LSI që përfliten deri tani në media, të bie në sy fakti se kandidaturat e përfolura kanë profil të mesëm dhe të lartë. Gjithashtu, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve deri tani po bëhet vetëm nga lidershipi Rama pa u konsultuar me deputetë apo kryetarët e seksioneve dhe nënseksioneve nëpër rrethe. Kjo gjë faktohet nga qëndrimet e bëra publike prej deputetëve Ben Blushi dhe Tom Doshi. Këto dy të dhëna na japin mundësinë të kuptojmë se përzgjedhja e kandidatëve jo vetëm që do të jetë politike, por ajo që është më e rëndësishme, është nepotike. Pra, thjesht do të ndërrohen – disa me disa – por me një vlerë të shtuar, këta të fundit do të jene më shumë besnikë se të parët, pasi janë në fillimet e karrierës dhe i detyrohen atij për postin që mund të sigurojnë.

Së dyti, përzgjedhja e kandidatëve me profil të mesëm dhe të lartë politik, si dhe besnikë të z. Rama, lë të kuptohet se pushteti qendror do të vazhdojë të politizojë pushtetin lokal. Njëkohësisht, do t’i japë mundësinë z. Rama që të zgjerojë influencën e tij akoma më shumë falë hartës së re territoriale dhe ajo që është më e rëndësishme, falë besnikëve të rinj.

Së treti, përfaqësuesit aktualë të bashkive kryesore në vend, pavarësisht se kanë arritur të sigurojnë mandate më shumë se dy herë falë mbështetjes së PS, gjatë këtyre viteve të ushtrimit të pushtetit kanë arritur të krijojnë rrjetin e tyre social (klientelë, simpatizantë, nepotizëm, para etj) dhe e kanë parë gjithnjë e më shumë të panevojshëm servilizmin ndaj kryetarit të partisë, pasi ndjehen të fortë dhe mund t’i imponohen atij me rikandidim si të pavarur ose nën siglën e një force tjetër politike. Një situatë e tillë ka ndodhur në zgjedhjet e 2011-s, ku kryetari i Bashkisë së Vlorës, Fierit dhe Durrësit shprehën ambicien për rikandidim, pavarësisht nëse binte dakord ose jo lidershipi i PS. Në njëfarë mënyre iu imponuan në zgjedhjet e 2011. Edhe në këto zgjedhje ka shumë gjasa të ndodhë një gjë e tillë. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: Pse duhet të rrezikojë lidershipi i PS me një kandidat tjetër, ku të dhënat në terren tregojnë se kryetari aktual i bashkisë gëzon mbështetje për një mandat tjetër? Mendoni se lidershipi ka shqetësim që performanca e tyre, pavarësisht se gëzojnë mbështetje në publik, nuk është në nivelin që kërkohet dhe për këtë fakt duhen penguar? Logjika ta thotë që z. Rama, kur ka të dhëna që kryetari aktual është aty falë mbështetjes që votuesit i japin partisë, ia heq mundësinë që të rikandidojë përsëri. Kështu që me këtë lëvizje zgjedh të besuarin e radhës dhe krijon përshtypjen në publik për rifreskim figurash.

Së katërti, kryetarët e bashkive që dëshirojnë të rikandidojnë për herë të tretë apo të katërt, për shkak se në këto vite kanë arritur të forcojnë pozitat e tyre në publik pavarësisht shkallës së mbështetjes së partisë respektive, e detyrojnë Ramën që të mos përdorë kartën e mosmbështetjes, pasi mund të dalin si të pavarur ose nën siglën e një force tjetër politike, duke i prishur punë forcës që e ka mbështetur në fillim. Pikërisht, nisur nga kjo siguri dhe mbështetje që ata kanë krijuar në vite, përdoret taktika tjetër, ajo e bërjes publike të shkeljeve që ata kanë bërë gjatë ushtrimit të funksionit ndër vite, qoftë duke iu prishur imazhin në publik (për pamundësi rikandidimi) por edhe duke i kërcënuar me ndjekje penale nëse nuk dorëhiqen (frikë).

Së pesti, por më e rëndësishmja; Pse duhet të detyrohet shoqëria civile të propozojë një ligj, i cili i kufizon të drejtën e moskandidimit më shumë se dy herë cilitdo, apo të detyrohet të bëjë presion kryetari i PS apo PD në ato raste kur kryetari aktual gëzon mbështetje nga publiku, pavarësisht nëse e pëlqen lideri ose jo. Nëse kufizojmë me ligj një të drejtë të sanksionuar në Kushtetutë, miratojmë një ligj antikushtetues. Gjithashtu, nëse publiku e mbështet por lideri nuk e pëlqen,  duke i kufizuar mundësinë e rikandidimit cenojmë një parim shumë të rëndësishëm politik, atë të përfaqësimit. Aq më shumë që sistemi zgjedhor është mazhoritar për garën për kandidat bashkie dhe publiku ka mundësi ta penalizojë me votë nëse ka mendim ndryshe për të. Ndërkohë që të gjithë jemi të vetëdijshëm që performanca e kryetarëve të pushtetit lokal është ku thërret kiameti, atëherë çfarë të bëjmë? Shumë e thjeshtë, filtrat e përzgjedhjes dhe gjykimit të publikut nuk janë në nivelin që e kërkon koha dhe në këto kushte detyrohemi që ta rregullojmë këtë gjë me mekanizma antikushtetues dhe jo politikë, duke i hapur rrugë klientelizmit, zgjerimit të pushtetit dhe varësisë së pushtetit lokal nga ai qendror. Thjesht zëvendësojmë disa dukuri me disa të tjera.

 

"MAPO"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.