Importi i plehrave, Rumania e sotme është Shqipëria e nesërme

Postuar në 04 Nëntor, 2011 09:03
L'Espresso

Ka ditë që qarkullon në internet, në rrjete sociale dhe në site të ndryshme, një shkrim i marrë nga revista italiane L’Espresso, dhe që është një histori plehrash në Rumani, ku janë përfshirë qeveri, ministra e grupe mafioze nga e gjithë bota. Me të lexuar këtë shkrim, që ne e kemi marrë nga peshkupaujë.com tok me një shnëim të dikujt atje (ndoshta të Blendi Salës që ka vënë emrin në fund), edhe shqiptari më proqeveritar mund të provojë pak brerje ndërgjegjeje që ditën e djeshme e kaloi duke bërë sehir apo duke përqeshur ata që protestonin kundër ligjit të plehrave. Redaksia.

Përbindëshi është zgjuar përsëri. Kanë filluar përsëri rënkimet e “Ochiul Boului” (Syrit të Demit), vendgrumbullimit më të frikshëm të plehrave në Rumani. Rënkon qëkur Napoli u gjet i mbuluar për të disatën herë nga plehrat. Në Glinë – (fshati ku gjendet ky vend-grumbullim afër kryeqytetit të Rumanisë, Bukuresht) – ekziston frika e kthimit të rrezikut italian, ose ajo që njihet ndryshe si fluksi i kontenierëve me plehra, drejtuar nga Kamorra.

Kanë frikë se përtej deklaratave të qeverisë Berluskoni që premton, heqjen dhe zhdukjen e malit të plehrave duke e shpërndarë në rajone të tjera, do të filloj trafiku i anijeve fantazmë të tejmbushura me plehra. Kjo, sepse paratë e vëna në lojë janë të shumta. Nuk është hera e parë që kargot e plehrave italiane shkarkohen këtu dhe dihet edhe se pas këtij operacioni ligjor fshihet dora e mafias. Toka tashmë është kalbur dhe prishur. Liqeni dikur i Glinës, tashmë është zhdukur. Uji i zonës ka marrë ngjyrë kafe të errët.

Historia e fshatit Glinë

Plehrat e Bukureshtit, shtresë pas shtrese formuan një kodër në jug-lindje të kryeqytetit duke mbuluar pothuajse plotësisht fshatin e vogël. Ka njerëz që marrin frymë duke thithur atë erë të keqe që nga 1976, kohë në të cilën ish-lideri komunist Nicolae Ceausescu vendosi që në këtë vend të hidheshin mbeturinat e Bukureshtit. Ashtu si Glina, janë edhe një mori vend-mbledhjesh të tjera të shpërndara. Drejtimin e tyre, paçka që në fasadë janë rumunët, e kanë italianët.

Fenomeni i fundit, i cili ka alarmuar Interpolin, është lulëzimi i një morie kompanish që merren pikërisht me plehrat. Projekti filloi para tre vjetësh, kur biznesi drejtohej nga ortakë të don Vito Ciancimino (dënuar me 13 vjet burg për bashkëpunim mafioz), që morën me firmën e qeverisë rumune fushën e Glinës, krematorin në Ploiesti dhe një sërë vendgrumbullimesh të mëdha në Mures dhe Baicoi. “Ecorec” që drejton biznesin në Glina, u fitua nga grupi “Valente”. Dy vjet më parë, ata vendosën që të luanin “ndeshjen” e tyre të parë për plehrat duke zbatuar një plan modern për transformimin e “Ochiul Boului” duke mbyllur kontratat me një pjesë të madhe të vendeve të Unionit Europian: plehrat e tyre, drejt Rumanisë. Shumë prej korporatave tentakula të Vëllezërve Pileri, që drejtonin grupin me në krye Gianni Lapis e Romano Tronci, operojnë akoma në Bukuresht në sektorin e plehrave, në fushën e pasurive të patundshme dhe në biznesin e modës.

Kontenierët e plehrave vijnë nëpërmjet detit, dhe kalojnë lehtësisht kufirin nga porti i Kostancës (Costanza). Ka raste që vijnë edhe nga Odessa dhe Illichivs’k në Ukrainë. Gjatë muajve të nxehtë janë shtuar kontrollet në kufij dhe gazetat rumune flasin për “caracativa”, (oktapodi italian), rrjeti i shoqërive që ndajnë “llomkat” e plehrave. Është e lehtë ta luash këtë lojë, këtu ku mafia dhe kamorra kanë kohë që janë stabilizuar.

Mjafton të mendosh që në 5 vitet e fundit janë arrestuar të paktën dhjetë super të arratisur italianë të gjetur në këtë zonë: që nga Francesco Schiavone, kushëriri i Sandokan, kamorristi Mariano Pascale i kapur në Dubraveni, Ignazio Nicodemo etj., etj.

Ndërkohë janë trefishuar kompanitë italiane që marrin pjesë në garën për plehrat dhe që prezantohen në Romenvirotec, panairi më i madh që zhvillohet për këtë biznes.

Nëse në jug të vendit mbizotëron mafia kineze, rusët janë organizuar në kufi me Moldavinë për të drejtuar trafiqet e mbeturinave toksike nëpërmjet Republikave ish sovjetike. Më të fortët në këtë fushë janë dhe mbeten italianët. Ata kontrollojnë veri-perëndimin, zonën e Bukureshtit dhe deri poshtë në Detin e Zi. Për ata, mbeturinat nuk bëjnë pis, ato pastrojnë. Mbeturinat pastrojnë para, dhe thithin fonde publike. Bashkimi Evropian është dorëlëshuar për sa i përket financimeve për modernizimin e sistemit të mbeturinave dhe kjo i mbush llogaritë monetare të kriminelëve.

Si rrjedhojë, “emergjenca Napoli”, për disa, është një pulë që bën vezë të arta. Paguan qeveria, paguan Brukseli, paguajnë të gjithë. Firmosen kontrata me korporata italiane, dhe plehrat ecin në “rrugët” e Kamorrës, të përziera me plehra që në Itali është e pamundur t’i zhdukësh. Nuk është fanta-shkencë, ky është rregulli: Plehrat janë tashmë një biznes që sjell fitime më shumë se sa droga. Kriminaliteti ka bërë një “kapërcim cilësor” duke u hedhur në të ashtuquajturat “sipërmarrje ekologjike”.

 

***

Është e qartë që strategjia bazë e riciklimit të plehrave shikon drejt Lindjes. Mjafton të bësh vetëm një kalim të shtunave në “Bambo”. Është një nga diskotekat më të mëdha të Europës Lindore, parajsë e ndërtuar nga muzika, vajza të bukura dhe meshkuj biznesmenë. Pronarët janë dy italianë që kanë ndërtuar një perandori të vogël në kryeqytetin rumun: Xhiosu e Çiro Kastelano, nipërit e Pupeta Mareskas, mikja e njohur e bosit Umberto Amaturo, gruaja e parë mes Kamorrës. Një tavolinë në zonën VIP ta japin vetëm ata personalisht dhe pastaj paguan edhe 1000 euro për të pirë vodkë komerciale. Jashtë vijnë rrotull Ferrari, Audi, BMË të reja fringo. Në Bukuresht, seksi dhe biznesi janë shumë të përziera. Në atë pistë vallëzojnë jo vetëm njerëz, por edhe miliarda, që nga Italia kalojnë transit në Ballkan. Një inxhinier lombardez vitin e kaluar ishte bërë pjesë e lojës duke dashur të behej pjesë e xhiros së shkarkimeve. Dhe rezultati i vetëm që arriti ishte vajtja në spital me kocka të thyera. “Shoqëritë pas të cilave fshihet krimi i organizuar, marrin nga shteti (komunat) autorizimin për shkarkimet e plehrave”, – tregon ai për “L’Espresso”. Është parashikuar zgjerimi i biznesit tashmë.

 

****

Pak javë më parë policia rizbarkoi në Glina. Ndaloi disa kamionë. Brenda? Ajo që pritej. Transportonin sasi substancash ilegale. Pak më në jug arrestuan një shofer më një ngarkesë mërkuri. Këta janë arsyeja që plehrat e Napolit për popullin rumun mbeten një ankth që rikthehet. Pikërisht për këto mbeturina presidenti Traian Besesku vendosi një JO të prerë në 2007. Po të shkosh sot në Glina ose në rrethina të tjera e të flasësh italisht rrezikon jetën. Para disa muajsh të rinjtë e zonës i përzunë të gjithë nga shkarkimet. Me ta është edhe Alin, një i ri që ka punuar në Napoli në kantierin e pafund të “metropolitans”. E njëjta gjë ndodh nëse shkon në jug, drejt Kostancës, ku një mori shkarkimesh abuzive e kanë trazuar zonën. Banorët rrahën edhe një gazetar, reporter i huaj. E konfirmon policia rumune dhe zyrat diplomatike. Këto të fundit këshillojnë të mbrosh veten. Nga kush? Nga këta të dëshpëruar apo nga ekomafia ballkanike?

_________________

 

Ky artikull i shkruar nga vetë mediat italiane për Rumaninë, pas pak vitesh mund të rishkruhet fjalë për fjalë për Shqipërinë. Artikulli shpjegon çfarë po ndodh në Rumani, ku ndërmarrjet italiane dërgojnë tashmë plehra të Italisë dhe vendeve të kontraktuara të BE-së. Si për ironi të fatit, edhe lokalitetet në Rumani ngjajnë aq shumë me tonat. Vend-grumbullimi kryesor është afër kryeqytetit, vendi ku shijohen milionat e këtij biznesi i ngjan thuajse në detaje “Bllokut” në Tiranë. Atje arrestohen mafiozë italianë, njësoj si në Vlorën tonë. Edhe atje maunat vijnë fillimisht nga porti dhe shpërndahen në brendësi të vendit. Vetëm se Rumania është 238.391 dhe 22 milionë kurse Shqipëria është 28.748 km 2 me rreth 3 milionë e gjysmë banorë (!)

Mbi të gjitha rumunët vetëm pas disa vitesh të këtij biznesi, kur toka është kalbur dhe prishur kurse liqeni i Glinës është zhdukur, po ndërgjegjësohen çfarë po ndodh.

Shkruan “L’Espreso”: “Pak javë më parë policia rizbarkoi në Glina. Ndaloi disa kamionë. (nga ato që transportojnë gjoja plehra të zakonshme). Brenda? Ajo që pritej. Substanca ilegale, ngarkesë mërkuri. Këta janë arsyeja që plehrat e Napolit për popullin rumun janë kthyer në një ankth…”

“L’Espresso”:

“Emergjenca Napoli”, për disa, është një pulë që bën vezë të arta. Paguan qeveria, paguan Brukseli, paguajnë të gjithë. Firmosen kontrata me korporata italiane, dhe plehrat ecin në “rrugët” e Kamorrës, të përziera me plehra që në Itali është e pamundur t’i zhdukësh. Nuk është fanta-shkencë, ky është rregulli: Plehrat janë tashmë një biznes që sjell fitime më shumë se sa droga. Kriminaliteti ka bërë një “kapërcim cilësor” duke u hedhur në të ashtuquajturat “sipërmarrje ekologjike”.

 Rumania dhe Shqipëria

Pësimi i Rumanisë (për të mos folur për vende të botës së tretë) është një mësim i madh për ne, nëse duam të mësojmë dhe të mbrojmë veten dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe atje kontratat janë “ligjore” dhe kontraktorët thonë që po sjellin thjesht “plehra të zakonshme”. Por faktet tregojnë se brenda “plehrave të zakonshme” kryhet trafiku i mbetjeve të rrezikshme të cilat janë problem i madh për tu zhdukur në botën e sotme industriale.

As plehrat e zakonshme nuk kanë përse vijnë në një Shqipëri që nuk trajton dot plehrat e zakonshme të vetat. Por ato janë e keqja më e vogël. Brenda tyre nuk mund ta dish kurrë se çfarë ka. Përfytyroni një anije me ngarkesë nga Napoli, 7 mijë tonelata plehra të paketuara. Mendoni se dikush mund ti kontrollojë ato nëse janë “plehra të zakonshme”, “plehra për riciklim” apo “plehra të rrezikshme”? Në kufirin shqiptar??! Mendoni se dikush do ti shoqërojë ato kilometër pas kilometri në territor shqiptar për të kuptuar se ku venë dhe ku ndalen? Të gjithë e dimë, nga deputeti e deri te qytetari më i thjeshtë, që kjo është e pamundur edhe për shtete shumë më të zhvilluara se ne, kurse për Shqipërinë është thjesht e pamundur!

Dhe diçka tjetër: Rumania mund edhe t’ia lejojë vetes një “devijim”. Bëhet fjalë për një vend me sipërfaqe 238 391 km2 dhe 22 milionë banorë. Shqipëria është vetëm 28 mijë km2 me 3.5 milionë banorë. Si mund ta përballojë territori ynë kaq i vogël, groposjen e plehrave të rrezikshme që mund të na vijnë tani që rruga për ngarkesat e plehrave nga jashtë është hapur?

Comments

Submitted by adi (not verified) on

<p>shume i sakte</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.