Berisha, në 8 vjet 500 mijë të punësuar më pak se Enveri

Postuar në 24 Mars, 2013 09:19
Andrea Stefani

Titulli i këtij shkrimi mund t’i bëjë të gafurren nostalgjikët e komunizmit. Veç qëllimi i tij nuk është të mburrë një regjim të dështuar, por të denoncojë paaftësinë e qeverisë për të shfrytëzuar epërsitë e sistemit që mposhti komunizmin. Të gjitha qeveritë e tranzicionit kanë dështuar lidhur me problemin e punësimit të shqiptarëve. Duket sikur bashkë me Partinë e Punës të Enver Hoxhës, u varros edhe vetë “Puna”. Statistikat e mbi 20 vjetëve tranzicion denoncojnë papunësinë si kancerin e ekonomisë apo virus të mjerimit. Sipas një studimi të FMN-së, publikuar në vitin 1992, fuqia punëtore në Shqipëri, në vitin 1990 ishte rreth 1.5 milionë veta, nga të cilët rreth 1.4 milionë ishin të punësuar, ndërsa rreth 132 mijë (rreth 10 për qind) figuronin të papunë. Mbi dy dekada pas përmbysjes së komunizmit, fuqia punëtore është pakësuar, për shkak të emigrimit, me rreth 500 mijë njerëz. Po ashtu, me 500 mijë ka zbritur edhe punësimi. Nga rreth 1.4 milionë të punësuar në vitin 1990, sot në Shqipëri figurojnë rreth 900 mijë. Gjë që provon se e vetmja kurë për papunësinë në periudhën postkomuniste ka qenë emigracioni, ndërkohë që qeveritë e tranzicionit kanë qenë të paafta të ruajnë, të paktën, atë nivel punësimi që Shqipëria trashëgoi nga sistemi i vjetër. Dhe pjesa e luanit në këtë paaftësi kronike, u përket qeverive të PD-së dhe Sali Berishës. Sepse në këto më shumë se dy dekada pas rënies së komunizmit, socialistët kanë qeverisur vetëm 8 vjet. Të tjerat i përkasin PD-së. Tani, në vitin 2013, Berisha ka dalë përsëri me premtime për punësimin. Në katër vitet që vijnë, ne duhet të krijojmë edhe 250 mijë vende pune të reja! – shpalli para pak ditësh Berisha. Prapa këtij premtimi, që Berisha e quan më të rëndësishmin për të fituar një mandat të tretë radhazi, qëndrojnë dështimet spektakolare në mbajtjen e premtimeve për punësim të bëra në zgjedhjet e vitit 2005 dhe pastaj në ato të vitit 2009. Dhe 8 vjet dështime dhe paaftësie në punësimin e shqiptarëve, janë pak si shumë për të besuar se ky Kryeministër mund të bëjë diçka vetëm dhe vetëm se premton se do të bëjë “gjithçka”.

Kur në vitin 2005 shpalli projektin e tij “për ndryshim”, Sali Berisha premtoi se qeveria e tij do “të krijojë mundësi për punësimin e çdo shqiptari”. Sipas Berishës, papunësia “veçanërisht me nivelet alarmante të saj mes brezit të ri, e trashëguar nga qeverisjet socialiste, përbën një kërcënim serioz social dhe një barrierë për zhvillimin e vendit”. Thuajse 8 vjet më pas, gjendja ka mbetur po ajo alarmantja e “trashëguar nga qeverisjet socialiste” që, nuk duhet harruar, e nisën punën në kushtet e një ekonomie të rrënuar nga kolapsi i vitit 1997. Nga 932 mijë të punësuar që trashëgoi nga qeverisja socialiste në vitin 2005, qeveria “Berisha” shënonte në vitin 2012, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), vetëm 927 mijë të punësuar. Pra 5 mijë të punësuar më pak! Një tablo që nuk përputhet aspak me premtimin e Berishës bërë në vitin 2005, se “programi i qeverisë, që synon rritjen e ritmeve të rritjes ekonomike, njëkohësisht synon që kjo rritje të krijojë vende të reja pune të mjaftueshme për të ulur papunësinë në nivelin e vendeve europiane”. Nga ky këndvështrim, shfaqet edhe më absurd pretendimi i dikurshëm i Kryeministrit për një rritje dyshifore të prodhimit. Sepse, si qe e mundur që një rritje e tillë e Prodhimit të Brendshëm të mbetej kaq indiferente ndaj punësimit? Për faktin e thjeshtë se një rritje e tillë ekzistonte vetëm në kokën e Kryeministrit. Ajo ishte një mashtrim.

Në vitin 2005, kur Berisha premtoi ndryshimin “e madh”, të papunët me statistika ishin 154 mijë vetë. Por në atë kohë, Berisha nuk pajtohej me këtë statistikë të ofruar nga INSTAT-i. Duke iu referuar Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Berisha theksonte se “stanjacioni në krijimin e vendeve të reja të punës dhe niveli i lartë i papunësisë, sipas definicionit të ILO-s me më shumë se 38 për qind, janë probleme të rënda për shoqërinë shqiptare”. Dhe kishte plotësisht të drejtë. Prandaj premtoi “punësimin e çdo shqiptari”. Edhe në vitin 2009, Berisha përsëri premtoi se do të hapeshin 160 mijë vende pune. Edhe Ilir Meta, që u bashkua me të në qeveri, premtoi 60 mijë vende të reja pune. Sot rezultati i qeverisjes PD-LSI, shfaqet katastrofik për jetën e shqiptarëve! Gjendja e papunësisë është po ajo që kritikonte 8 vjet më parë Berisha. Faktet flasin vetë! Sipas ILO-s, në fund të vitit 2012 kishim diçka më shumë se 141 mijë të papunë. Në vitin 2005, kur Berisha premtoi “ndryshimin e madh”, të papunët ishin 154 mijë vetë. Në 8 vjet qeverisje, Berisha ka arritur të reduktojë papunësinë vetëm me…13 mijë vetë! Ky është “ndryshimi i madh” i Berishës! Por gjendja është më e keqe se ajo që tregojnë statistikat e lustruara të qeverisë. Sipas Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA), papunësia e deklaruar nga qeveria për vitin 2012 ishte 13 për qind, por komenton se papunësia mund të kalojë 30 për qind, për shkak të mbizotërimit të fermerëve që mezi mbijetojnë. Kujtojmë se papunësia në të dalë të komunizmit ishte, sipas FMN-së, po rreth 10 për qind! Ekonoma e tregut më dobët se komunizmi!

Por më i rrezikshmi në gjithë këtë histori premtimesh dhe mashtrimesh mbetet fakti se qeverisjet e paafta dhe të korruptuara, që sjellin vetëm pasurim politikanësh e qeveritarësh nga njëra anë dhe varfërim të masave nga ana tjetër, po komprometojnë shanset e sistemit me treg të lirë. Po t’u hedhësh një vështrim statistikave mbi gjendjen e papunësisë në Shqipëri në fillim të tranzicionit, do të konstatosh se sot ajo është më e keqe. Janë statistika dhe të dhëna të përpunuara nga stafe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe jo nga burokracia komuniste në ikje e sipër. Dhe rezulton se në vitin 1990, në Shqipëri kishte 1 milion e 434 mijë të punësuar, pra rreth 500 mijë më shumë se sot. Ndërsa të papunë kishte 132 mijë vetë, pra më pak se në vitin 2007. Mos vallë duhet të themi se komunizmi vazhdon të tregojë epërsitë e veta ndaj kapitalizmit në Shqipëri? Sepse në dukje janë shifra që nxisin nostalgji donkishoteske. Veç e vërteta e dështimit nuk është epërsia e sistemit komunist, por paaftësia e qeveritarëve të tranzicionit postkomunist, paaftësi që nuk është në gjendje të konkurrojë as me shifrat e një sistemi të rrëzuar nga kalbëzimi dhe varfëria. Ndër këto qeveri totalisht të paafta është edhe kjo e Berishës që premtoi punë për të gjithë, por ofroi papunësi për shumicën e shqiptarëve. Prandaj edhe nuk mund të votohet nga shumica e shqiptarëve! SHQIP

Comments

Submitted by Mediatori (not verified) on

- Nota e cilësisë mediokre apo pakaluese për profesionalizmin e gazetarëve, nuk jepet vetëm në nje dite e pergjithmone, por për cdo ditë e për cdo emetim.
- Nota nuk jepet prej gazetarëve, për gazetarët, por ajo është realiste dhe e qëndrueshme kur jepet prej publikut, lexuesve dhe audiencës për produktin e përcjellë.

censuruar

Submitted by Dardan (not verified) on

censuruar

Submitted by Dardan (not verified) on

censuruar

Submitted by Aulix (not verified) on

Shume e rende  te kapercesh nja 15  vite te hidhesh nga 1990 direkt ne 2005. Ketu do vlente me shume se kurre shprehja e fameshme e vjeter , kur nuk di cfare te shkrush mos shkruaj budalleqe. Politikanet mund dhe duhet te bejne gafa, krahasime dhe premtime. Gazetari aty gjen muzen. Sala thote ne krahasim me 2005 ky thote jo me 1990. Ca miq te mij te vjeter hidhen direkt e  tek 1939. Andrea vertet beson se krahasimi me 90-ten eshte ai i duhur. Gjithnje nese llogarisim kooperativistet. Me duket se ata sot punojne me shume se mot. Me duket se jane edhe me te pakte ne numer sot nga mot. Jetojne me mire, nuk them se nuk ka te varfer apo te mjere, ka plot sa te duash ssi ne cdo vend te botes.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.