Filozofia me sytë e Gombrowicz

Postuar në 16 Maj, 2013 06:51

Nëse dikush do donte që t’i kuptonte bazat e filozofisë, duhej të lexonte pikërisht Gombrowicz dhe shpjegimet e tij. Francesco Catalucio thotë se ishte pikërisht ky libret, që e shpëtoi këtë autor gati të panjohur në Shqipëri nga vetëvrasja. Libri i autorit të këndshëm polak na vjen me një parathënie të këndshme të Catalucio dhe pastaj nocione, kategori dhe filozofitë e më të mëdhenjve të njerëzimit në filozofi, nga një vëzhgues shumë interesant. Përmes lupës së Gombrowicz ata na vinë thjeshtë por edhe në mënyrë shumë të përmbledhur dhe ashtu si mund të asimilohen nga publiku. Nuk ke nevojë të humbasësh në vëllimet pa fund të Marksit, në krijimet e Niçes apo shpjegimet e Shopenhauerit. Ja ku i ke! Merri! Thjesht. Qartë.

Libri, që të shijohet, duke lexuar me nënvizime dhe vendet që mbahen shënim do të ndjekin nga fillimi deri në fund. “Krijesa njerëzore shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në përputhje me natyrën e saj, por gjithnjë në një formë të caktuar dhe…kjo formë, ky stil, kjo mënyrë jetese nuk është vetëm prej nesh, por na është diktuar nga jashtë-dhe prandaj ky njeri mund të na përshfaqet së jashtmi si një budalla, apo një i mençur, gjakësor, apo engjëllor, i pjekur, ose i papjekur, në varësi të stilit që do t’i bjerë për hise dhe sipas varësisë që krijon nga njerëzit e tjerë…Ne e ndjekim formën këmba-këmbës, kacafytemi me njerëz të tjerë për stilin, për mënyrën tonë të jetesës…, gjithnjë pa pushuar kërkojmë formën dhe e shijojmë atë, ose vuajmë prej saj dhe i përshtatemi asaj, apo e përdhunojmë dhe e thyejmë atë, lejojmë që forma të na krijojë”, shkruan Gombrowicz.

 I gjithë libri është pjesë e faqeve të tëra të “ditarit” të vet, shkruar nga viti 1953-1969.  Duhet të themi se autori të shtang me njohuritë e veta tejet të përmbledhura dhe formimin e tij shumëplanësh. Me atë të duket se ke shpëtuar nga vëllimet e gjata të filozofëve, por më shumë akoma ke shkuar menjëherë në thelbin e gjërave. Ditari i tij ishte tejet i copëtuar, por nga ana tjetër, ai mundi që ta vinte në hulli dhe ta përshtaste për veten e vet, për qëllimin që i kish vënë vetes.

Për njeriun që ka shkruar parathënien e tij, kjo është një lloj sprove e autorit për të arsyetuar mbi krizën e botës, por nga ana tjetër edhe të sistemit të mendimit (perëndimor) që në atë kohë ishte i shpërndarë në degëzime pafund.

Në një farë mënyre, duket se e gjithë kjo që lexojmë, është një mundim i një qenie, e cila flet për paraardhësit e tij filozofikë sesi e shikojnë veten, vdekjen dhe gjërat e tjera, si një parim i cili e vendos krejt rregullin dhe e mban të gjithë botën e bashkuar. Kështu “Ditarët” e tij na kthehen për t’i vënë gardh Kaosit dhe shërbejnë si një mënyrë për të regjistruar përhapjen e tij dramatike. Kjo bëhet me aftësinë e tij për t’i kundërthënë idetë, por nga ana tjetër, falë kulturës së madhe që ka dhe që lidhet me letërsinë, teatrin dhe artet e tjera, ai shpjegon të gjithë filozofët që kanë futur në hulli mendimin botëror. Biografi i vet thotë se autori ka një ndikim të spikatur nga Niçja, dhe Shopenhaueri, dhe kjo duket qartë jo vetëm nga mënyra sesi shkruan por edhe nga ajo si ky personazh mendon. 

Në fakt, lexuesi i thjeshtë, por edhe ai i kultivuar, por që kuptohet se nuk ka njohuritë e tij në filozofi, humbet pak në ato që ai shkruan, ndoshta me të drejtë, pasi vetë autori në një nga faqet e tij të ditarit do shprehet se “…ajo që gjurmoja në këto shkrime, ka qenë stili, stili në shprehjen e mendimit të tij bazë dhe të ndjesisë bazë, të pavarësisë, lirisë, ndershmërisë, mundet dhe të mjeshtërisë”.

Kurse që në vetë titullin kemi një ironi të hollë të autorit, që mendon se filozofia, njësoj si letërsia janë bërë monopol “i profesorëve”. Ai për çdo herë nënvizon, po nga ana tjetër edhe tregon epërsinë e letërsisë ndaj filozofisë apo shkencës, pasi ai është zëri i njeriut me mish e me gjak, është një zë individual, na shpjegon në të gjithë atë që përshkruhet në libretin e vet. Filozofia është loja e formave, sistematizimi i tyre. Nuk i shërben jetës. Është e shkëputur prej saj, nuk është “erotike”, shton diku.

Por, ajo që ‘të shqetëson” është fakti që në përfundim na thotë sintezën se filozofia i shërben fare pak jetës (për të mos thënë aspak) dhe thekson përbuzjen e tij ndaj mendimit filozofik.

Aty nga viti 1966, në një prej fletëve të fundit të ditarit, që u botuan sa autori ishte gjallë, Gombrowicz bëhet patetik dhe shpreh me një dozë të madhe sarkazme dhe pezmatimi , ndoshta atë që specialistët mendojnë se do ishte përfundimi i “Kursit të filozofisë”, nëse vdekja nuk do e kish ndalur kur po bënte leksionin për strukturalizmin….. Por ne ndoshta do t’ia vlente që ta mbyllnim me vetë fjalët e tij: “Problemi kryesor i kohës sonë, i cili ka sunduar fund e krye të gjithë epistemën perëndimore, është problem që sa më inteligjent bëhet mendimi, aq më budalla bëhet”…

Në fund, por në fakt meritonte më përpara duhet të themi fjalët më të mira për përkthyesen Edlira Lloha dhe përkushtimin e saj në një përkthim që me të vërtetë ka qenë shumë i vështirë. Shtojmë dhe meritën e Shtëpisë Botuese Pika pa sipërfaqe në përzgjedhjen e tyre. - JAVA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.