Libra të rinj në Tiranë

Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet.
“Kasandra” nga Christa Wolf. Vjen në shqip Christa Wolf (1929-2011), një nga shkrimtaret më të famshme të letërsisë gjermane dhe asaj botërore të dekadave të fundit, me një nga romanet e saj më të bukur. Një udhëtim i jashtëzakonshëm në mitin grek. Zëri i fuqishëm i Christa Wolf na rrëfen në këtë libër jetën e princeshës fatthënëse, e bija e Priamit dhe Hekubës, para dhe pas rënies dramatike të qytetit të saj, Trojës, duke na sjellë Kasandrën, këtë personazh të jashtëzakonshëm e kompleks. Libri është një botim i shtëpisë botuese “IDK” dhe kushton 650 lekë.
“Mustafa Kruja në historinë shqiptare”. me autor Eugjen Merlika. Një libër historik mbi jetën e Mustafa Krujës që botohet në kudër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Libri është një botim i shtëpisë botuese “OMSCA-1” dhe kushton 1200 lekë.
“Revolta e Atlasit”, Ayn Rand. Me elemente të ndryshme romance, misteri dhe politike që paraqet parullën më të gjerë të bindjeve politike, filozofike dhe liberale, ky libër botohet edhe në shqip. “Revolta e Atlasit” është romani i katërt dhe i fundit i Ayn Rand-it i botuar për herë të parë në vitin 1957 në SHBA, ai konsiderohet si kryevepra e saj. Libri ka 110 faqe dhe për këtë arsye, në shqip, i përkthyer nga Amik Kasoruho, do të botohet në me tri vëllime, i pari prej të cilëve ka dalë në treg. Historia zhvillohet në një shtet të identifikuar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë shtet, politikat sociale dhe ndërhyrjet shtetërore, gjithmonë e në rritje, kthehen gradualisht në pengesë për aktivitetin e njerëzve “të ndritur”. Protagonistja, Denji Tagart, mundohet të luftojë shkatërrimin e ngadaltë të sistemit, duke iu kundërvënë ndryshimeve e duke angazhuar edhe disa aktorë të tjerë. Libri është një botim i shtëpisë botuese “pegi”.
“E zhveshur përpara teje” nga Sylvia Day. Kjo është një nga ato shkrimtare të cilat kanë bërë një sërë punësh të pazakonta, që nga punonjëse e argëtimit në park e deri te përkthyese nga rusishtja për llogari të Shërbimeve Sekrete të Ushtrisë Amerikane. Veprat e Sylvia-s janë konsideruar si “aventura të jashtëzakonshme” prej “Publishers Ëeekly” dhe “magjike e argëtuese” prej “Booklist”. Romanët e saj janë përkthyer në shumë gjuhë të botës: rusisht, japonisht, portugalisht, gjermanisht, çekisht, italisht dhe tajlandisht. Ajo sapo ka përfunduar “E pasqyruar te ti”, vazhdimi i “Lakuriq përpara teje”, roman që do të dalë sot në qarkullim në SHBA e që po përkthehet edhe në gjuhën shqipe. Libri është një borim i “OMSCA-1” dhe kushton 1000 lekë.
Balkanweb.com
Add new comment