Në Egjipt mbretëron kaosi, i ngjan luftës civile
Egjipti duket se po zhytet çdo çast e më shumë në një luftë të ashpër civile. Mediat e huaja raportojnë për thuajse tridhjetë të vdekur deri tani mes Kajros dhe Aleksandrisë, shtuar këtu mbi një mijë të plagosur. Në Sinai ka mbetur i vdekur edhe një prift, por përleshjet e dhunshme vazhdojnë në të gjithë vendin. Vëllazëria myslimane u ka kërkuar mbështetësve të saj vazhdimin e protestave kundër grushtit të shtetit të kryer nga ushtria dhe që rrëzoi nga pushteti Presidentin Morsi. Janë me qindra mijëra ata që i janë përgjigjur apelit të Vëllazërisë për të dalë në shesh dhe mbrojtur legjitimitetin e Presidentit të zgjedhur. Por, pavarësisht se drejtuesit e lëvizjes kanë bërë thirrje për manifestime të paqta, ato po i ngjajnë gjithnjë e më shumë një lufte civile. Washington Post raporton se ngjarjet janë kaq kaotike, saqë televizionet egjiptiane të lajmit i kanë ndarë ekranet më tresh për të shfaqur skena të një dhune të pandalshme.
Re.Pu
Add new comment