Sulm nga presidenca ndaj “majtistëve të papërgjegjshëm” në Greqi, një ditë para vizitës së Kotzias. Këshilltari i Presidentit flet edhe për Katovicën dhe vijuesit e Sigurimit të Shtetit

Postuar në 14 Korrik, 2015 08:47

Këshilltari i Presidentit të Rublikës, Pirro Ahmetaj, që është edhe gjeneral brigade, na jep sot një mundësi që të kuptojmë sesi zhvillohet ajo që në Shqipëri njihet si politikë. Përmes një shkrimi në gazetën “Panorama”, gjenerali në fjalë realizon, pa mohuar kredencialet e përfaqësuesit të zyrës së Presidentit, një sulm politike e verbal ndaj qeverisë greke. Ndonëse në fund, sa për të larë duart, e mbyll shkrimin me një alibi, që ngjan si mezja e muhabetit: “Ne shkollën e Eisenhowerit, kam mësuar se e vërteta është 360 grade, dhe kështu askush s’mund të jetë pronar i të vërtetës. Thënë këtë, kurrsesi nuk pretendoj se sa në këtë opinion, të jenë gjetjet e fundit”. Po çfarë shkruan këshilltari i Presidentit të Republikës? Pasi bën një parashtresë të shkurtër historike, del direkt në temë: shkatërrimin, Greqisë po ja sjellin disa “majtistë të papërgjegjshëm”. E vërteta është se Greqia erdhi në buzë të krizës kur në qeverisje ishte e djathta e Karamanlisit, mik i imagjinuar i eprorit real të z. Ahmetaj, Sali Berisha. Më tej, qeverinë e mori Papandreu, i majtë socialdemokrat, çun i mirë sipas parametrave të z. Ahmetaj, më tej Samarai, prapë i djathtë, pa folur për Papademon që ishte thjesht teknokrat. Sa për kujtesë: i pari që kërkoi referendum kundër masave shtrënguese ishte Papandreu, të cilin e hodhën nga karrigia. “Majtistët e papërgjegjshëm” që zbulon ky këshilltar i përgjegjshëm, nuk kapnin as 10% gjatë kësaj kohe dhe në pushtet janë vetëm si pasojë, ndonëse zgjidhjet që po sugjerojnë aktualisht kanë krijuar shumë dyshime. Pra duhen akuzuar për atë që kanë bërë, jo atë që nxjerr axhenda e vapës në Tiranë. Por më tej, z. Ahmetaj del në një front të brendshëm ideologjik, i denjë për përmasën intelektuale dhe seriozitetin që përfaqëson sot zyra e Presidencës në Shqipëri: “Ballkani ka vuajtur më shumë se askush tjetër pasojat e regjimit të “djajve të kuq”, që asgjësuan si pushtues kundërshtarët, vranë njëri-tjetrin, dhe më tej i katandisën si mos më keq qytetarët. Pavarësisht përpjekjeve dhe progresit, rajoni si i tërë mbas 90-tës, ka vijuar të demonstrojë probleme kritike me Lidershipin- produkt i Katovicës: në të gjitha hallkat derivate të nomenklaturës së lartë dhe Sigurimit kriminal të Shtetit (bij, nipër, dhëndurë, krushqi), gjithfarë populistë-marksistë, të inkriminuar-ordinerë, militantë-servilë pa parime, doganierë, bodigardë të fortë, tatimorë, biznesmenë, promovohen politikanë, dhe më tej vijojnë të dominojnë frikshëm politikën, ekonominë, sigurinë, mediat dhe jetën sociale të qytetarëve të rajonit. Fitoren e ekipit të Tsipras (pa kollare) në Greqi, “politikansojsëz/ megalomanë” e përshkruan si: kthim te vlerat e “pushtetit popullor”; mungesën e vizionit&vullnetit&projektit për të përmbushur standardet ja faturojnë “BE-së së lodhur nga zgjerimi”; në vend të gjithëpërfshirjes, konsensusit, solidaritetit për reformat demonstrojnë “arrogancë bolshevike kundër opozitës”; në vend të përulësisë në përpushjen e përgjegjësive shtetare i bëjnë “selfie vetes dhe njeritjatrit”, dhe në dalldisje propagandistike artikulojnë se vendet e tyre kanë”opsione të tjera përveç integrimit në BE”. Nuk është e vështirë të kuptosh goditjen politike që emetohet nga Presidenca në këtë rast, por është e paqartë se për cilat interesa publikohet ky sulm, kur një ditë më vonë në Tiranë vjen ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias. Nuk është e kuptueshme sesi kryeministri dhe qeveria e një vendi fqinj etiketohen në këtë mënyrë nga ky këshilltar që është edhe gjeneral? Dhe është shumë e çuditshme sesi në mendimet e këtij këshilltari, Katovica, nëse ka qenë, ka vepruar vetëm tek e majta dhe jo tek presidenti i tij, (indirekt, pasi ka qenë askushi gjatë gjithë kohës), apo tek opozitat e Shqipërisë dhe të rajonit. http://www.panorama.com.al/jo-vetem-greqia-ne-vorbullen-e-an... s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.