Shëndetësia, 285 milionë euro koncesione për 10 vitet e ardhshme. Përfshihen edhe shërbime bazike, pavarësisht investimeve që janë bërë

Postuar në 12 Korrik, 2015 09:18

Qeveria aktuale përdori gjatë fushatës së fundit elektorale sloganin: “Drejtimi i duhur”. Drejtimi i duhur, lihet të kuptohet se është ai i reformave, i ndryshimit dhe i transformimit të shërbimeve publike, apo vendit në tërësi. Këto reforma do të duhet të vinin në përputhje me një vizion të së majtës që sheh nga shtresat në nevojë dhe ka skrupulozitet për shpenzimin e parasë publike. Nëse është kështu, pse atëherë qeveria do të rendë drejt koncesioneve dhe partneritetit publik-privat, përvoja jo të këqija në vetvete, por që dalin si propozime të imporvizuara dhe “jashtë axhende”? Për të sjellë një shembull që nxit pikëpyetje: është deklaruar edhe së fundmi se sektori i energjetikës ka dalë nga kolapsi i mundshëm në të cilin e la qeveria e shkuar dhe madje po del me fitim. Nëse është kështu, mbetet e paqartë se përse qeveria ka lajmëruar riprivatizimin e afërt, të shërbimit, jo kalim në pronësi, të OSHEE-së? Një sektor të cilin shteti ia del ta administrojë me fitim, pak arsye ka që të kalohet në duart e privatëve. E njëjta pyetje mund të shtrohet për shëndetësinë. Të kujtojmë këtu se u premtua shëndetësi falas, një përrallë që nuk ka sesi të besohej. A është shëndetësia në drejtimin e duhur? Po thotë qeveria, ndonëse parashikon koncesione edhe për shërbime të ndryshme në Qendrën Spitalore Universitare. Disa shifra për koncesionet në shëndetësi i jep sot Tritan Shehu, që ka qenë prej kohësh afër probleme të sektorit. “Koncesioni i madh me vlerë 130 milion euro për një periudhë 10-vjeçare i Check Up-it të popullsisë, po zhvillohet në mënyrën më dështuese të mundshme. Akoma jemi shumë larg implementimit të plotë të tij në territorin e vendit, si dhe kemi, ashtu siç pritej, një përgjigje shumë të zbehtë nga popullsia. Vetëm diçka dihet, kompania private e përfshirë në atë aktivitet, sidoqoftë në fund të çdo viti do të marrë së paku nga 6 milion euro.
Ka përfunduar dorëzimi i dokumentacionit për koncesionin tjetër të gabuar, atë të sterilizimit dhe instrumenteve kirurgjikale, me vlerë rreth 90 milion euro , edhe ai për 10 vite, për të gjitha spitalet e vendit. Këtu përfshihet dhe QSUT, ku ka një qendër shumë moderne sterilizimi të ndërtuar para pak vitesh me vlerë mbi 1 milion euro dhe akoma të pa vënë në punë. Po ashtu, kanë filluar procedurat për dhënien me koncesion përsëri për 10 vite të reparteve publike të dializave me vlerë kostoje rreth 65 milion euro. Po tentohet gjithashtu që shumë shpejt të fillojnë procedurat për dhënien me koncesion të të gjitha shërbimeve laboratorike të spitaleve të Republikës, përfshirë dhe QSUT-në. Më tej po i vjen radha shërbimeve të imazherisë, ashtu si dhe laboratorët. Realisht jemi përpara një gjendjeje të pa precedentë”, thotë Shehu. Sipas tij këto iniciativa mund të merren nga njësitë e sipërpërmendura, por jo nga ministria që po del jashtë funksioneve. Të krijohet ideja se qeveria po kërkon të heqë dorë nga barra e administrimit, për të thjeshtuar mbledhjen e të ardhurave te llogaria ndaj privatit. Tek e fundit, me humor ose jo, përshtypja krijohet se kryeministri vetëm Ilir Beqen nuk ka ndërmend të jaoë me koncesion në këtë sektor.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.