Schäuble: “Nuk ka dominancë gjermane. Mjafton vetëm fakti që Gjermania nuk është anëtare e Këshillit të Sigurimit për ta kuptuar këtë”

Postuar në 22 Korrik, 2015 11:56

Revista gjermane “Spiegel” i ka marrë një intervistë ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble. I përfolur gjatë si njeriu që po imponon rregulla thuajse skllavëruese mbi Greqinë dhe po sugjeron nxjerrjen e saj nga Eurozona, Schäuble, përgjigjet me qetësi dhe jep versionin e tij. Më kyçja: Nuk ka lehtësim borxhi për Greqinë nëse qëndron në euro. Traktatet europiane nuk e lejojnë një gjë të tillë. Por sipas tij, askush nuk ka kërkuar apo planifikuar largimin e Greqisë nga euro. Mirë do të ishte që Athina vetë ta sugjeronte një gjë të tillë. Më poshtë pjesë nga intervista:

SPIEGEL: ...Së fundmi përdoruesit e Twitter kanë qenë shumë të interesuar për ju...Dhjetëra mijëra ju akuzonin si nxitës i një puçi kundër demokracisë greke me programin e ri të ndihmës. A ndiheni i lënduar nga akuza të tilla?

Schäuble: E marr me qetësi. E-maili im ishte gjithashtu i mbushur plot dhe 90% e atyre që më shkruanin më mbështesnin. Nuk kam provuar asnjëherë më parë një vërshim të tillë mesazhesh dakordësie. Por sërish, kur vjen puna te Greqia, ka shumë pyetje tepër komplekse për të cilat nuk ka përgjigje të thjeshta.

SPIEGEL: Europa synon të zgjidhë problemin me një paketë të re kredie prej 87 mld $. A është kjo përgjigja e duhur?

Schäuble: Para gjysmë viti, Greqia po përgatitej për t’u kthyer në tregun e kapitaleve. Sot, ekonomia e vendit është e shkatërruar. Kjo është përgjegjësia e qeverisë greke, por ne nuk mund ta braktisim popullin e Greqisë. Kjo është arsyeja pse nevojitet një program i ri, edhe nëse ai nënkupton privacione të mëdha për popullsinë. Mbi të gjitha qëndron pyetja: Cila është zgjidhja më e mirë për Europën?

SPIEGEL: Ekonomisti amerikan Paul Krugman ka një pozicion të qartë për këtë. Programi i ri i ndihmës për Greqinë, shkruan ai në një opinion të fundit në New York Times, është një “hakmarrje e pastër” dhe një “shkatërrim i plotë i sovranitetit nacional”. E ndani këtë pikëpamje?

Schäuble: Krugman është një ekonomist i njohur që fitoi çmimin Nobel për teorinë e tij të tregtisë. Por ai nuk e ka idenë e arkitekturës dhe bazat e monedhës europiane. Në ndryshim nga ShBA, këtu nuk ka një qeveri qendrore dhe të 19 anëtarët e Eurozonës, duhet të arrijnë marrëveshje. Duket se z. Krugman nuk e merr shumë parasysh këtë gjë.

SPIEGEL: Gjatë negociatave të fundjavës së shkuar, nga ministria juaj u publikua një dokument përmes të cilit propozohej që Greqia të linte Eurozonën për një periudhë të kufizuar kohe. Çfarë shpresonit të arrinit me këtë propozim?

Schäuble: Ne nuk kemi thënë asnjëherë që Greqia duhet të lërë Eurozonën ne thjesht tërhoqëm vëmendjen për mundësinë që vetë Athina të vendosë për të marrë këtë hap. Nuk ka mundësi për lehtësim të borxhit brenda monedhës së përbashkët. Traktatet europiane nuk e lejojnë një gjë të tillë.

SPIEGEL: Italia and Franca...janë anëtare themeluese të BE-së. A duhet që Gjermania t’i kushtojë vëmendje të veçantë alternativës së një pozicioni të përbashkët me këto vende?

Schäuble: Nuk është e pazakontë që pozicionet e Gjermanisë dhe të Francës të jenë jo tërësisht të njëjta. Ndodh po ashtu që edhe unë me gruan time nuk kemi të njëjtin opinion. Ne as nuk jemi martuar në Francë, por Gjermania dhe Franca gjithsesi i kapërcyen diferencat e tyre. Pa Gjermaninë dhe Francën nuk mund të funksionojë. Dhe kjo është ajo që ka rëndësi.

SPIEGEL: Gjermania mori një pozicion lideri në negociatat me Greqinë- dhe adoptoi një “ton shumë patronizues”, siç u ankua edhe presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz. A ju shqetëson fakti se njerëzit në Europë po flasim për një “dominim të ri gjerman”?

Schäuble: Nuk ka një dominancë gjermane. Gjermania është në një pozicion të mirë ekonomik dhe kjo nuk mohohet. Por në kontrast me Francën dhe Britaninë e Madhe, Gjermania nuk është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye, askush nuk mund të flasë për supremaci politike. E megjithatë balanca në Euroë ka ndryshuar që me rënien e Perdes së Hekurt. Vendet balltike, Sllovakia dhe Sllovenia, tani ngrenë zërin kur nuk u pëlqejnë pozicionet e të tjerëve.

SPIEGEL: Doni të thoni që nuk ka një ndarje brenda Eurozonës, mes Veriut dhe Jugut?

Schäuble: Kjo është e pasaktë. Çfarë ka rëndësi është fakti se shumë vende që përdorin euron, e kanë lënë pas programin e ndihmës së emergjencës dhe kanë përjetuar një zhvillim pozitiv ekonomik: Portugalia, Irlanda, Spanja, madje edhe Qipro. Madje edhe Greqia, e mori veten nga fundi i vitit, saqë ne me saktësi mund të themi sot: ne e stabilizuam me sukses Eurozonën.
http://www.spiegel.de/international/germany/interview-with-g...
k.f

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.