Rama i rikthehet idesë së aplikimeve online me CV; por për ta saktësuar pas kritikave që i janë bërë

Postuar në 10 Korrik, 2013 10:10

Pikëpyetjet e kritikat që janë ngritur lidhur me apelin e bërë shqiptarëve për të kontribuar në projektin e Rilindjes e për të aplikuar online me CV-të e tyre, e kanë bërë Ramën të tentojë ta saktësojë idenë e vet: “Ne nuk po mbledhim CV për të ndarë vende pune, po për ta bërë reale e transparente marrëdhënien mes çdo individi të gatshëm për të kontribuar në sektorin publik dhe institucioneve në kërkim të njerëzve të duhur. Sapo kemi hedhur me këtë nismë edhe farën e krijimit të një baze të dhënash për burimet njerëzore të këtij vendi. Të cilën dalëngadalë, do ta kthejmë në një institucion të mirëfilltë ku shteti ynë do të ketë të regjistruar kapitalin e kualifikuar njerëzor të Shqipërisë, brenda ose jashtë.”

Saktësimi nuk mbaron këtu: “Fakti është se të gjithë ata që po aplikojnë do të njoftohen individualisht për çdo konkurs të hapur në sferën që lidhet me profesionin dhe eksperiencën e tyre. Në këtë mënyrë do të këpusim lidhjet e shkurtra të konkurseve farsë që janë zhvilluar tërë këto vite, përmes lajmërimesh në formën e trakteve të ngjitura kuturu dhe rezultatesh të parafabrikuara në dëm të lirisë së konkurencës e të meritës. Dhe nga ana tjetër, do të kemi një instrument të ri monitorimi për trajtimin e burimeve njerëzore në procesin e organizimit e të zhvillimit të konkurseve. Besoj e kam sqaruar po ashtu në letër se kjo bazë të dhënash do t’i shërbejë pak më vonë edhe sektorit privat, për të kërkuar njerëzit e duhur për vende të reja pune dhe do t’u japë po ashtu mundësi aplikantëve të kenë dijeni për çdo mundësi të re për punë.”

Dhe e mbyll: “Kaq e thjeshtë është, mos u shqetësoni kritikë të dashur, ky nuk është as fillimi akoma i Shqipërisë së re që kemi marrë mandatin për të ndërtuar”.

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.