Pse nuk flitet më për zhdukjen e hartave të kufijve të Republikës?

Postuar në 18 Korrik, 2013 03:13

Aleksandër Çipa te Shqip sjell në vëmendjen një skandal të cilit i shmangen të gjithë, atë të zhdukjes së hartave territoriale.. Janë dhjetëra bashki, komuna dhe njësi të tjera administrative në këtë republikë që nuk disponojnë hartat e plan-projektet për sipërfaqen dhe kufijtë administrativë të tyre.

Sipas Çipës, në dukje kjo hije skandali mund të mos shkaktojë alarm, por “hollë-hollë ai përbën një “kampion” të thellësisë reale të korrupsionit dhe mekanizmit të shtrirë të tij në fushën e pronësimit dhe tjetërsimit të pronësisë mbi trojet”

Çipa i referohet një shkrimi të Ben Andonit te JAVA, të titulluar “Shqipëria, kjo federatë fshatarësh?!”, që përshkruan krimin urban të kryeqytetit, pasojë edhe e mungesës së atyre hartave: “Komunat që e rrethojnë Tiranën (thjesht janë lagje), veçse i kanë zhvatur pafund territor kryeqytetit, ndërsa i kanë dhuruar kaos. Respektivisht komunat e Dajtit, Farkës, Kasharit janë shkaktare të kësaj asfiksie të paimagjinueshme të kryeqytetit, që e jetojmë të gjithë. Njësoj në Durrës, Elbasan, Shkodër e gjetiu, kjo ndarje territoriale tani është kthyer në makth për buxhetin e shtetit dhe në parajsë për përfituesit. Reforma e munguar e ndarjes territoriale, në fakt, gati po merrte udhë në fillimvitet 2000, kur ndaloi papritur…”

Çipa rikujton edhe sesi kohë më parë disa ushtarakë dhe ekspertë të hartave kufitare tokësore dhe detare pohuan për zhdukjen e dokumenteve që shënjojnë dhe faktojnë zyrtarisht kufijtë administrativë të Republikës. “Disa prej mediave e fokusuan këtë çështje dhe skandalin e pakzbuluar, duke shkaktuar një stuhi, e cila u ndërpre dhe u shua në mënyrë sa të çuditshme aq edhe gati mistike. Ky detaj mjafton për të nënkuptuar se skandali i hartave në këtë vend paska edhe dimensione më të frikshme nga sa janë bërë të njohura publikisht” shkruan Çipa.

k.c.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/07/18/skandali-i-hartave-administrative/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.