Nesër, në Malmoe, Suedi, fillon ‘Eurovision Song Contest’; interesi për të është gjithnjë e më i madh

Postuar në 13 Maj, 2013 07:37

Nesër, më 14 maj, fillon Festivali i Këngës Europiane, apo siç quhet ndërkombëtarisht, Eurosong-u (në foto Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Seiko, që do të përfaqësojnë Shqipërinë atje), i cili është bërë me kalimin e kohës dhe për çudinë e shumëkujt një aktivitet televiziv shumë i rëndësishëm. Vende që deri para ca vitesh e injoronin si një festival dosido që ngjallte interes veç në periferi të kontinentit, sot marrin pjesë me bujë e pritmëri të mëdha, duke pasur nga pas vetes dhe një logjistikë të fortë mediatike që funksionon me logjikë patriotike. Anglia, fjala vjen, deri para tri-katër vitesh nuk e bënte qejfin qeder nëse nuk fitonte një çmim në këtë festival, por tani e duan me çdo çmim një çmim të parë. E nëse s’e marrin zënë e bërtasin për komplot që u bëhet atyre prej kontinentit anglofob. Ose Italia as që e kish në listë një aktivitet të tillë; për italianët festivali i Sanremos vlen ku e ku më shumë se sa një festival i tillë, ku pjesëmarrësit në garë janë këngëtarë të shpërfillur, ose të pashpërblyer, nga tregu muzikor, dhe ku votimi bëhet me logjikë gjeo-politike (Fjala vjen, Qiproja voton për Greqinë, ose Bjellorusia voton për Rusinë; dhe anasjelltas, etj).

Fama e Eurosong-ut ka shkuar deri përtej Atlantikut. Në Washington Post kishin shkruar një artikull, ku këtë festival e krahasonin për nga jehona televizive me ndeshjen Super Bowl. Kanë të drejtë? Nga numri i shikuesve, po. Njerëzit e ndjekin si një ngjarje të pompuar mediatikisht. Por interesi real në Europë për këtë aktivitet është shumë i vogël krahasuar me interesin, me të cilin pritet Super Bowl-i në SHBA.

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.