Komisioni hetimor i kërkon Kuvendit të shkarkojë nga KLD Elvis Cefën dhe Lulzim Lelçajn. Braho: Përgjegjësi mban edhe Nishani

Postuar në 18 Tetor, 2014 02:58

Në  raportin përfundimtar të publikuar të shtunën, komisioni hetimor parlamentar i kërkoi Kuvendit të shkarkojë nënkryetarin e KLD-së, Elvis Cefa dhe anëtarin Lulzim Lelçaj, të propozuar në këtë institucion nga Parlamenti. Komisioni hetimor “Për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Cefa dhe Lulzim Lelcaj” u mblodh paraditen e së shtunës për miratimin e raportit përfundimtar. Në mbledhjen të komisionit u miratua raporti përfundimtar i cili rendit edhe shkeljet që sipas maxhorancës kanë bërë dy të zgjedhurit e Kuvendit në KLD.  “Komisioni Hetimor i propozon Kuvendit miratimin e raportit përfundimtar. I rekomandojmë Kuvendit në kuadër të Reformës në Drejtësi përmirësimin e kuadrit ligjor dhe aktet nënligjore të nxjerra nga KLD. I Propozojmë Kuvendit shkarkimin e Elvis Cefës dhe Lulzim Lelcaj për shkak të shkeljeve ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë në fjalën e tij Subashi.  Më tej, anëtari i Komisionit Hetimor për KLD-në, Spartak Braho theksoi se nuk mund të lihet që çështja e emërimeve të jetë në dorë të sekserëve. “Ne nuk mund të lëmë që sekserë të ndryshëm kanë ndikuar negativisht në emërime. Materiali është analizuar mirë dhe është punuar me kujdes. Për mua nuk ka rëndësi shkarkimi por për mua ka rëndësi si do funksionojë KLD. kjo KLD është kthyer në batak, në kënete.”-është shprehur Braho. Më tej ai ka shtuar se “Këtu nuk është për tu shkarkuar vetëm Cefa dhe Lelçaj por janë për tu shkarkuar të tërë”. Një tjetër shkelje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sipas kryetarit të komisionit, është dhe ajo që lidhet me emërimin e magjistratëve të rinj nëpër gjykata. Sipas Subashit, magjistratët që kanë përfunduar shkollën në 2014-n vijojnë të jenë ende pa emërim. Duke përmendur disa shkelje të tjera të KLD-së, Subashi theksoi se “emërimi i Gjin Gjonit, Neshat Fanës apo promovimi i Ilir Mustafajt, janë tregues të qartë të shkeljes së ligjit dhe kushtetutës. KLD nuk ka bërë sa duhet për të shmangur konfliktin e interesit”, nënvizoi kreu i komisionit hetimor. Ndërkohë, nuk kanë munguar edhe akuzat ndaj presidentit Nishani, i cili theksoi Braho, mban njësoj përgjegjësi për shkeljet si Çefa dhe Lelçaj dhe duhet të përgjigjet për këtë. “Kërkoj që në këtë raport të përfshihet edhe përgjegjësia e kryetarit të KLD-së, Bujar Nishani”, tha Braho.  Në mbështetje të këtij qëndrimi u shpreh dhe kryetari i komisionit, Subashi. Raporti përfundimtar i paraqitur sot në komision, ditën e hënë pritet t’i shkojë kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe brenda 7 ditëve do të përfshihet në rendin e ditës së punimeve të parlamentit për votim.

 

 

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.