Koliqi si nuk e keni njohur në një letërkëmbim me Karl Gurakuqin

Postuar në 29 Prill, 2013 07:22

Në revistën “Letra” është publikuar një letërkëmbim mes shkrimtarit të njohur, Ernest Koliqi dhe studjuesit e gjuhëtarit Karl Gurakuqi, që të dy katolikë të Shkodrës, që pas lufte, deri në fund të jetës së tyre, përfunduan në Itali (në foto, Ernest Koliqi është tok me vëllain, Mikelin, e pastaj me Asdrenin, Lasgush Poradecin, Tefta Tashko Koçon, Lola Gjokën e Koço Tashkon). Në letrat e veta, Koliqi ka bërë, përveç të tjerash, shpjegimin e shumë situatave, për të cilat në Atdhe, ku sundonin tanimë komunistët, e padisnin dhe e denigronin. Letrat janë lënë si në origjinal, me një gegnishte nazike, dhe publikimi i tyre për herë të parë hedh dritë më shumë mbi Koliqin, jetën e personalitetin e tij.

“… Për Pashkë do më kujtojnë të shamet e belbacukvet të gjuhës shqipe nepër radjo të Tiranës e të Londrës (me më sha mue janë d’akord) e shkrimesh epileptike të mistrecave qi çohen në majë të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikan serjoza, nuk më bajnë mu as të nxeh as të ftoftë.… Kam krye gjithmonë detyrën si shqiptar i mirë në rrethanat më të vishtira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes.”, thotë ai në një pasazh.

Dhe më poshtë jep prova të kontributit të vet intelektual e patriotik gjatë kohës që ish Ministër i Arsimit: “Gjatë kohës s’eme …. pregatitme tekste, vendosem njëherë e mirë mbi terminologjinë shkollore, themeluem Institutin e studimeve Shqiptare edhe komunistat tue i ndrrue natën emnin e mbajtën, permirësuem gjendjen e mësuesve e të profesorve…. Kryefjala e jonë kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha degët e bektashinjvet, nisa studentë ndër male me mbledhë pasunin folklorike, futa xhakona në Kosovë para lirimit, konviktorë vendas me libra shqip. Sa dhe si ministër, mora rishtas në shërbim Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori e u dhaç rrogat e mbrapambetuna. Lirova nën garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzonin para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin – Vasil Andonin – Mihail Zallarin. Mora në sherbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (mos ta merrshim në sherbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene). Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të ministris, e emnuem drejtor konvikti në Prishtinë kur u lirue Kosova. Nisëm me përgjegjësi personale, pa ardhur ende udhëzime të përgjithshme nga Roma për tokat e lirueme 200 mësues e profesorë në Kosovë e u përpoqa me i vu themelet arsimit shqiptar para se të dihej formula me të cilën Kosova do t’i këthente Shqipnisë.”

Në fund të letrës së dytë shfaq hapur një si maraz ndaj myslimanëve e toskëve, të cilët jetojnë me idenë se – kështu lë ai të kuptohet – “gegët e katolikët kenkan të gjithë spijuna”.

Materialin të plotë mund ta ndiqni në linkun http://www.panorama.com.al/2013/04/29/dokumentet-ne-revisten-letra-letrat-e-koliqit-si-futa-arsimin-shqip-ne-kosove-dhe-mora-ne-pune-lasgush-poradecin-e-gjergj-kokoshin/

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.