Drejt 23 qershorit...

Postuar në 05 Nëntor, 2012 09:07

Data e zgjedhjeve të 2013-s mund të jetë 23 qershori. Faqet online të mediave në Tiranë kanë njoftuar sot rezultatet e një takimi të presidentit Nishani me përfaqësues të partive parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë.

Raporton agjensia BalkanWeb: “Këto takime Nishani i nisi rreth (orës 10:00) fillimisht me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Pas Patozit, Presidenti takoi kryetarin e grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi (ora 11:00). Në mesditë (ora 12:00), axhenda e takimeve të Nishanit vijoi me kryetarin e grupit të LSI-së, Lefter Koka. Po sot, Nishani u takua edhe me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu (ora 13:00), më pas me nën/kryetarin e PBDNJ-së Thanas Poçi (ora 14:00) dhe me kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi (ora 15:00)”.

Propozimi për datën 23, sipas BW ka ardhur nga LSI. Nga pëmbledhja e raportimeve, konstatohet se Koka ka propozuar datën 23 qershor. Patozi i PD ka deklaruar se PD-ja është e hapur për çdo datë që do vendoset. Ruçi edhe pse nuk ka propozuar një datë konkrete për zgjedhjet, ka qënë më afër datës 23 qershor. PBDNJ është dakord për mbajtjen e zgjedhjeve në datën në fjalë, edhe të tjerët po ashtu.  

Sipas nenit 8 të ligjit zgjedhor: "Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor".

Në pikën 1, neni 9 të kodit thuhet se "data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Zgjedhjet zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 ".

Legjislatura aktuale e Kuvendit ka nisur më 6 shtator dhe 6 shtatori i 2013-ës shënon mbarimin e mandatit të Parlamentit. Sipas Kodit zgjedhor, Presidenti i Republikës duhet të caktojë datën e zgjedhjeve brenda 6 dhjetorit. A.N.

 

Në foto: Nje qytetar duke kerkuar emrin ne listat paraprake zgjedhore, te cilat jane publikuar prane qendrave te votimit në qershor 2009 (Arkiva LSA)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.