“Të urtët gjer në dhimbje”

Postuar në 07 Mars, 2015 03:35

nga Leonard Veizi

Ata janë vërtet të urtë, e të thjeshtë gjer në dhimbje. Madje deri në dhimbjen e skajshme. Në madhështi janë gjithashtu.

Duke kaluar nëpër mend këto vargje të Kadaresë nuk është e vështirë të kuptosh gjithsesi se fati i tyre në vite ka qenë i njëjtë. Pjesë e sakrificës njerëzore për të dhënë nga vetja atë që u duhet aq shumë njerëzve: “pak dritë”. Janë mësuesit, të klasave të para dhe të viteve të treta të gjimnazit. Janë ata të parashkollorëve. Pedagogët e universiteteve janë gjithashtu.

Janë mësuesit e fshatit, që presin me autostop "makinat e rastit" për t’u kthyer në strehën e tyre, apo mësuesit e qytetit që nxitojnë për të kapur autobusin e pisët urban, ku shoferi fodull mbyll dyert e largohet indiferent nga stacioni duke treguar orën, sepse i vajti orari i lëvizjes. Në të njëjtën vlerë, në mes të kryeqytetit apo në fshatin më të largët të Republikës, ata janë mësues. Dhe mbeten gjithmonë të njëjtë, të pandryshueshëm njëkohësisht. Idealistë të pandreqshëm, që në jetën e tyre guxojnë të bëjnë të vetmen gjë: të japin mësim. Të jenë aty midis nxënësve të tyre, që rrjedhin e rrjedhin vazhdimisht si ujët e një lumi të vrullshëm, për të ndryshuar çdo vit.

Janë ata, që vazhdimisht sakrifikojnë nën moton e gjithhershme e të pandryshueshme të një mega-ideje; nxënia e dijes së pafund. Ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë kujtohet rrallë për ta, dikur në 1 shtator dhe në 7 mars. Tani akoma më rrallë, vetëm në 7 mars. 1 shtatori, prej kohësh nuk ekziston më. Është zhvendosur dhe është shndërruar në diçka të pakuptimtë dhe gati ilegale. Nuk e ka më simbolizmin e një dite të veçantë.

Ndërsa akoma me tej, zyrtarët e lartë të administratës shtetërore mendohen mirë kur u bie mundësia t’i kujtojë. Sepse në të gjitha rastet u duhet t’u kujtojë, gjithashtu, se janë pikërisht ata më të diskriminuarit e nëpunësve të shtetit, duke qenë më fisnikët njëkohësisht.

Dhe kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Ndërsa vetë ata, mësuesit, janë gjithmonë në një lëvizje të pandërprerë, për t’u vërtitur në 45 minutat e orës së mësimit me të gjithë kapacitetin e tyre, për të duruar njëkohësisht mes energjisë së pashtershme të dhënies së mendimit të koncentruar dhe një zileje celulari që tringëllon në kulmin e patosit. Më pas tringun e një mesazhi, nëpërmjet postës elektronike, që i vjen një nxënësi të pabindur që, përveç befasisë acaruese, ju kujton se jeta jashtë mureve të shkollës është më e ashpër nga magjia që i rrethon në folenë e tyre.

Jetojmë kohë të vështira, (kështu ka qenë gjithmonë në fakt), me nxënës më pak të bindur, me djem që tentojnë të mbajnë armë në brez apo vajza që ekspozohen me veshje ekstravagante e që mezi presin të përfundojë ora e “mërzitshme” e historisë së Shqipërisë, për të shkuar turravrap në ‘pub’-in më të afërt. Atje të çliruar nga bezdia, kanë mundësi të shfryjnë ndaj mësuesve të tyre e të dehen me paratë e prindërve, duke pirë alkool e tymosur nga pak mariuhanë.

Ndërsa ata mësuesit, të urtë e të thjeshtë deri në dhimbje, i drejtohen arkës së financës, për të marrë në sportelin e saj rrogën qesharake, me të cilën mbajnë familjen. Ironia e fatit.

Por jetojmë gjithashtu, kohë reformash të pambaruara. Tranzicion, që ecën pa ditur të ndalet kund. Ndërsa në Drejtoritë Arsimore të Rretheve radha e mësuesve të papunë, që presin të zëvendësojnë qoftë dhe një të sëmurë, rritet çdo ditë. Por rritet çdo ditë dhe numri i analfabetëve, çuditërisht. Vazhdojmë të jemi vendi i ekstremeve të panumërta.

Por ata vazhdojnë të jenë të thjeshtë. Të urtë janë gjithashtu. Dhe zëri nuk u ndihet. Nuk ndërmarrin greva urie dhe as timpaneve nuk u bien me zhurmë përpara Kryeministrisë. Vetëm se, duket sikur mes asaj qetësie të brishtë dhe fisnikërie për të mos u përballur me një stres të dyfishtë, armata e tyre thotë nën zë: “Na llogarisni edhe ne”.

E mes gjithë kësaj lufte të heshtur a me zë, ata janë atje, përballë 35 apo 40 nxënësve të një klase, që kërkojnë të marrin më të mirën e mundshme, që kërkojnë të përgatiten për t’u hedhur në jetë.

Sot është 7 mars. E ata janë atje, sërish në krye të klasës, mes një gëzimi të ligjshëm, që u jep të drejtën të marrin urime pa fund, apo t’i gëzohen një tufe luleje nga nxënësit e lodhshëm. Ndërsa… presin që nga ministria e Arsimit, si gjithmonë, të vijë një mesazh urimi nëpërmjet valëve televizive, nga zyra e madhe e ministrit të radhës. 

 

Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.