Çorba greke e Europës. Euro e bën “jo”, “po”.

Postuar në 13 Korrik, 2015 10:52

Kryeministri grek ka transformuar për vetëm 17 orë negociata një “jo” të popullit grek në një “po” të Athinës zyrtare. Ai ka zhbërë mandatin e referendumit teksa ka rënë dakord që të vazhdojë masat shtrënguese të sugjeruara fillimisht nga Eurogrupi, i cili do të sigurojë financimin. Dhe siç raportohet pikat e marrëveshjes janë më shtrënguese se propozimet e Eurogrupit para referendumit. Në këmbim, Greqia do të marrë 80 miliardë euro afërsisht, një pjesë e të cilave do të shkojë për rikapitalizimin e bankave. Reagimet kanë qenë të mëdha, sidomos ndaj sjelljes së liderëve kryesorë europianë. Por tashmë fillon sfida politike për kryeministrin grek, Aleksis Cipras. “Bloomberg” shkruante se Cipras po synon që ta prezantojë marrëveshjen në Greqi si më të mirën e mundshme përballë Eurogrupit. Madje duke marrë si argument edhe një skenar të cilin ai arriti ta shmangte. “Ne morëm përgjegjësinë e një vendimi që shmang planet më ekstreme të forcave më ekstreme konservatore në BE. Ne shmangëm planin e shkatërrimit financiar dhe të kolapsit të sistemit financiar, i cili është përgatitur në hollësi”, tha Cipras. Për cilin plan bëhet fjalë? Deri më tani qarkullon vetëm një i tillë dhe ky është “Plani Schäuble”, që parashikon nxjerrjen e kontrolluar të Greqisë nga Eurozona. Ish-ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, lajmëronte dje në blogun e tij një shkrim që do të botohet në gjermanen “Die Zeit” më 16 korrik. Në përmbledhjen e botuar, Varoufakis u konfidon lexuesve gjermanë, atë që ai e deklaron se ia ka referuar homologu i tij gjerman, Schäuble. “E shkruaj këtë artikull si një europian që po vëzhgon realizimin e një plani të veçantë për Europën: Planin e dr. Schäuble...Greqia duhet të nxirret në mënyrë të kontrolluar nga Eurozona, në mënyrë që anëtarët e tjerë të saj, të mos i rezistojnë më planit të tij për të ristrukturar Eurozonën”, shkruan Varoufakis(http://yanisvaroufakis.eu/2015/07/13/dr-schaubles-plan-for-e...). Duke marrë për bazë këto dy qëndrime të dy politikanëve grekë, krijohet përshtypja se vendimi i Cipras sot shpëtoi Eurozonën më shumë sesa Greqinë dhe më tej BE-në nga një plan gjerman për të marrë përfundimisht frenat e kontrollit në kontinent. Kontroll i cili teksa supozohet se transferon përgjegjësitë kryesore për stabilitetin financiar të Eurozonës drejt Berlinit zyrtar, hap rrugën e një ridimensionimi të raporteve politike në union. Liderët grekë i japin kështu tjetër kontekst p.sh këmbënguljes së fundit të presidentit francez, Francois Holande që është ndoshta një nga autorët e mbajtjes së Greqisë në lojë. Të kujtohet këtu teza e Krugman, që sheh te propozimet e Eurogrupit një manovër për të larguar nga pushteti parti si Syriza. Këtë tezë e trajton gjerësisht edhe “Spiegel” që shkruan se sipas palës gjermane, Grexit, do të krijonte një momentum të ri kohezioni për euron(http://www.spiegel.de/international/europe/greece-tsipras-an...).
Në planin e brendshëm politik, Cipras do të duhet të përballet me partinë e tij. “Bloomberg” raporton se janë 30 deputetë që mund të largohen, por ndryshimet në qeveri janë një mundësi tjetër. Kryeministri grek pritet të thërrasë partitë në tryezë, përveç provës parlamentare të së mërkurës kur edhe do të votohet marrëveshja. Në çdo rast, opozita gjendet e bllokuar, pasi ajo ka qenë që në fillim për një “po” dhe ka shumë pak se çfarë të bëjë aktualisht(http://www.bloomberg.com/news/articles/2015-07-13/tsipras-se...). Nuk dihet nëse Cipras do ta kalojë këtë provë ose jo, por ai po luan aktualisht me dy karta politike: në planin e brendshëm kemi lojën e Davidit me Goliatin, e cila rezonon në mënyrë të drejtpërdrejtë më kartën e dytë: nga Europa duhej pritur solidaritet, jo marrëdhënie kontraktuale. Kërkesa për solidaritet apo zgjimi i tij, po kalon edhe nga propaganda e viktimizimit të Greqisë nga bankat dhe bankierët, të identifikuara me Gjermaninë kryesisht dhe në mënyrë implicite me gjermanizmin. Është një ngasje nga e cila Europa druhet jo pak, e me gjasë është kjo që po rregullon perceptimin për përgjegjësi simetrike për krizën. Përndryshe, pa frikën historike ndaj Gjermanisë, ndoshta shumë pak do ta dëgjonin sot apelin e Greqisë për solidaritet. Sjellim me këtë rast në vëmendje atë që thoshte filozofi gjerman, Jurgen Habermas në një leksion të mbajtur në universitetin e Leuvenit para dy vitesh: “Roli udhëheqës që i bie sot Gjermanisë, për arsye demografike dhe ekonomike, jo vetëm që po zgjon rreth nesh fantazmat e së shkuarës, por gjithashtu provokon zgjedhjen e një kursi nacional unilateral, apo edhe rendjen pas fantazimit të një fuqie si “Europa Gjermane”, në vend të një “Gjermanie në Europë”. Ne gjermanët…duhet ta kemi mësuar nga katastrofat e gjysmës së parë të shekullit të 20-të, se është në interesin tonë kombëtar që të shmangim përgjithmonë dilemën e një statusi të fuqisë gjysmë-hegjemonike, i cili vështirë se mund të mbahet pa rrëshqitur në konflikt. Arritja e Helmut Kohlit nuk është riunifikimi dhe ristabilizimi i një farë normaliteti kombëtar në vetevte, por fakti se kjo ngjarje e lumtur u shoqërua pazgjidhshmërisht, me promovimin e qëndrueshëm të një politike që e lidh Gjermaninë fuqishëm me Europën. Gjermania nuk ka vetëm interesa, në ndjekjen e politikës së solidaritetit; unë do të propozoja madje, se ajo ka një detyrim taksativ korrespondues me të...”(http://www.socialeurope.eu/2013/05/democracy-solidarity-and-...).
Një solidaritet që gjithsesi duhet përputhur me frymën e sistemit që kanë pranuar të gjithë. Para disa muajsh Britania njoftoi shlyerjen e borxhit të Luftës së Parë Botërore dhe sekretari për Financat lëshoi frazën e mirënjohur: Britania i paguan gjithnjë borxhet e saj. Kështu edhe në këtë rast: Detyrimet janë detyrime. Por ato ndoshta nuk duhen kërkuar kundrejt vetëvrasjes. Sepse edhe përgjegjësitë janë përgjegjësi.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.