Rruga më e shkurtër për në BE

Postuar në 27 Korrik, 2011 07:56
Eduard Zaloshnja

Pas paktit legjislativ të 2008-ës mes PS-së dhe PD-së, u arrit anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe dukej se ishte hapur edhe rruga për integrimin e saj në BE. Por pas zgjedhjeve të qershorit 2009, PS-ja e akuzoi PD-në se e shkeli paktin, kur nuk u mor parasysh kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të disa qendrave të numërimit në qarqet Berat, Tiranë dhe Shkodër. Dhe lufta politike që pasoi zgjedhjet e atëhershme e bllokoi për dy vjet rrugën drejt BE-së.

Në 14 maj 2011, kur 485 procesverbalet e numërimit të votave në Bashkinë e Tiranës, të firmosura nga të dyja palët, tregonin se fitues ishte Kryetari i PS-së me 10 vota diferencë, u duk se rruga drejt BE-së po rihapej. Por në 17 maj, KQZ-ja (e mbizotëruar nga përfaqësuesit e PD-së) filloi të numërojë vota të tjera, përtej 485 procesverbaleve të firmosura nga të dyja palët. Dhe në fund të atij procesi, fitues rezultoi kandidati i PD-së. Pas humbjes së betejës legale rreth ndryshimit të rezultatit në KQZ, PS-ja deklaroi se kryetarit të saj iu vodh fitorja në tavolinë dhe bëri të qartë se nuk do të bashkëpunojë me PD-në për integrimin në BE, në qoftë se PD-ja dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë nuk do ta pranojnë qartazi vjedhjen e mandatit të Tiranës. Me pak fjalë, rruga jonë për në BE duket përsëri e bllokuar - kushedi për sa kohë…

Meqë sherret mes partive politike shqiptare kanë prirje për stërzgjatje, më ka shkuar mendja te një mënyrë shumë origjinale për anashkalimin e bllokimit që i bëjnë këto sherre rrugëtimit tonë drejt BE-së. Pas tre muajsh, në Shqipëri do të kryhet regjistrimi i popullsisë ose, siç u quajt me ligj kohët e fundit, censusi i popullsisë. Sipas planit të qeverisë, në pyetësorin e censusit do të përfshihet edhe një pyetje për përkatësinë “etno-kulturore” të qytetarëve. Bash kjo pyetje mund të jetë dhe çelësi ynë i artë për të hapur derën e Brukselit.

Në qoftë se të gjithë shqiptarët do të deklaronin se janë grekë, Greqia do të ndihej e detyruar të kërkonte përfshirjen në shtetin amë të këtyre 3.4 milionë grekëve homogjenë, të cilët historia i kishte lënë padrejtësisht jashtë kufijve të tij… Dhe ja, magjia u krye; ne, shqiptarët, bëhemi automatikisht qytetarë të BE-së!

Kuptohet që, në këtë rast, bashkimi me Greqinë do të krijonte disa vështirësi politike. Për shembull, Berisha do të donte të ishte kryeministër i shtetit të ri të zgjeruar, por kjo s`do të pranohej kurrë nga grekët e tokës amë. Sidoqoftë, kjo vështirësi mund të kalohet me ndërmjetësinë e Genc Pollos, i cili duket si promotori kryesor i evidentimit të kombësisë së grekëve homogjenë në territorin e asaj që sot quhet Shqipëri. Ai mund të propozojë që ky territor të kthehet në një krahinë autonome brenda Greqisë, me Berishën si guvernator…

Gjithashtu, bashkëngjitja në shtetin grek e territorit të asaj që sot quhet Shqipëri, do të krijonte edhe disa vështirësi financiare. Kjo, për faktin se Greqia po mbahet në këmbë vetëm falë ndihmës së BE-së dhe FMN-së. Sidoqoftë, duke patur parasysh se borxhi i shtetit shqiptar është vetëm sa 2% e paketës së ndihmës që iu dha së fundi Greqisë, mendja ta do se Genc Pollo do të arrijë t`u mbushë mendjen miqve të tij europianë që, tek iku qypi i vajit drejt Athinës, nuk është problem i madh të ikë edhe kokrra e ullirit drejt Tiranës…

Por le ta lëmë mënjanë sarkazmën. Shqiptarët që mendojnë se Jeronim De Rada, Naim, Sami, Abdyl e Mit`hat Frashëri, Sulejman Vokshi, Petro Nini Luarasi, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe shumë e shumë burra të tjerë të shquar, nuk e kishin gabim kur bënë përpjekjet e tyre të pareshtura për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga synimet shoviniste të fqinjëve, kanë shansin që në tetor të këtij viti të bëjnë një akt patriotik. Dhe ky akt nuk kërkon sakrificat që bënë dikur paraardhësit e tyre.

Siç e përmenda më lart, pas tre muajsh, në Shqipëri do të kryhet censusi i popullsisë. Në qoftë se të gjithë shtetasit shqiptarë do t’i përgjigjen pyetjes mbi përkatësinë “etno-kulturore”, statistika e prodhuar nga përgjigjet e tyre do të konsiderohet e vlefshme statistikisht, ndërkohë që mund ta deformojë realitetin etnik të Shqipërisë. Kjo, sepse shumë shqiptarë mund të mendojnë se, po të deklarohen si grekë, do të kenë përfitime, pavarësisht se të dhënat zyrtare të tyre në gjendjen civile nuk do të ndryshojnë në bazë të përgjigjeve që do të japin për censusin. Dhe në qoftë se censusi “tregon”, për shembull, se në Shqipëri jetojnë 400.000 grekë, Greqia me plot gojën mund të kërkojë që shteti shqiptar të shndërrohet në një shtet dykombësh: greko-shqiptar.

Si t’i dilet përpara kësaj të keqeje të mundshme? Meqenëse pyetja për përkatësinë “etno-kulturore” do të jetë opsionale në pyetësorin e censusit të tetorit, shqiptarët mund të zgjedhin të mos i përgjigjen. Dhe në qoftë se ata e bëjnë këtë gjë në masë, statistika e prodhuar nga përgjigjja e kësaj pyetjeje do të jetë praktikisht e pavlerë dhe nuk mund të publikohet. Në këtë mënyrë, çështja e dykombësisë së shtetit shqiptar, e ngritur qysh në vitin 1914, në Protokollin e Korfuzit, do të rimbyllet të paktën edhe për 10 vjet të tjera.

Po për integrimin europian, me të cilin e nisëm këtë shkrim, si do t`ia bëjmë? Për të, ndoshta duhet pritur gjatë…

Comments

Submitted by i (not verified) on

per mendimin tim e ke gabim Z.Eduart sepse ata persona qe mendojne se mund te kene perfitime nga nga deklarimi si grek ose ate qe edhe mund te paguhen per ta ber dicka te till do e deklarojne gjithsesi kombesine e tyre si grek. ju po beni thirje qe mos ta deklarojme kombesine dhe nqs ndodh qe ne mos ta deklarojme, do ndodhi akoma me keq. psh marrim rastin tuaj ne Shqiperi 400000 grek dhe gjite pjesa tjeter e pa deklaruar. atere nga gjithe ata te deklaruartit i bie qe 100 % jan grek. kjo do te perdoret nga greqia duke treguar qe ne Shqiperi ka akoma me shum grek se kaq sepse nuk i dihet se cfare kombesie kane ata qe nuk kan deklaruar. dhe te jesh i sigurt qe qeverija greke do ta perdori sh mir kete lloj Statisike ne fafor te saj. E vetmja zgjidhje eshte qe ky ligj te hidhet poshte, nje duke e cuar ne gjykate kushtetuse ose dy me referendum, dhe nqs nuk arrihet kjo atere ti behet thirje popullit Shqipetar duke i treguar rrezikun qe i kanoset qe ta deklarojne veten ashtu sic jane ne te vertete SHQIPETARE.

Submitted by EDUARD ZALOSHNJA (not verified) on

Ne qofte se nje pyetjeje ne nje pyetesor nuk i pergjigjet shumica e te anketuarve, pergjigjia e saj eshte e papublikueshme - ky eshte nje rregull i perbotshem i statistikes. Rruget ligjore per ta ndaluar regjistrimin "etno-kulturor" mund te ndiqen, por nuk e di sa sukses do te kete kjo. Ne qofte se te gjithe qytetaret deklarojne perkatesine etno-kulturore, gjasat jane te medha qe te prodhohet nje fotografi e deformuar e realitetit etnik ne Shqiperi.

Submitted by A.G (not verified) on

Behari avullon lageshtiren e trupit dhe shton ujin gazetave,websiteve,etj.Keshtu eshte puna me norme,ne kurriz te cilesise.Pershtypja ime e pare nga artikulli i z.E.Zaloshnja,i cili mund te permblidhej ne nje fjali te vetme "shqiptare abstenoni ne pyetjen mbi etnine".Si rruga me e shkurter,qe per mendimin tim,na nxjerr me gjate,pavaresisht sarkazmes se autorit.Rruga me e shkurter ,ose tamam,eshte ajo qe t'i pergjigjemi nje detyrimi per ne BE,censusit,realisht sic jemi,dhe le te dale ku te dale,pa frike se do t'i bejme qefin kujt e do te na "gllaberoje" me toka e lecka.E c'te keqe ka te dijme se nga jane e kush jane "banoret" e pallatit tone te perbashket,edhe pse kjo gje varet shume nga instruktimi i intervistueve qe do te materializojne censusin.Etnia,kombesia,eshte koncept social dhe jo ADN,gjenetike,e per rrjedhoje nuk ka katastrofa pas dweklarimit te saj,nuk ka pushtet'humbje kur jane 50 plus e plus e plus sic jemi ne...Ne nuk jemi shtet ne formim qe te na prishen ekuilibrat me devijancat e plotesimit te te drejtave njerezore.Nuk jane patriotizma te bertiturat nacionaliste ne nje kohe te tille qe po na behet coku me kallo duke trokitur ne deren e trashe te Europes.Pastaj,gabime mund te behen,e mund te deklarohen,asgje s'i bie sipas statistikave qe ju i keni per zemer,pasi pas 10 vjetesh kemi perseri censusin e ri.Sa per greket,atyre po u kercasin kryqe e samar,dhe ca "gure" nga tanet duan.Pra,rruga me e shkurter dhe me e mire eshte qe pozita dhe opozita t'i plotesojne ato 12 detyra me "yll" menjehere,dhe pastaj le te na mbushin neve radaken per vota,se merita e kujt krahu eshte.E rendesishme eshte qe ne te mbrrijme ne stacionin e shumedeshiruar te BE,por se cfare ngjyre kishin vagonat,le t'i fotografojne partite...Ta plotesojme pyetesorin,ta plotesojme me ndjenje atmemedhetare,te gjithe,sepse abstenimi eshte ne favor "te frikes".Nuk duhet te coroditim qytetaret me "llaven" qe leshon vullkani "kuqezi" per hire te "temperaturave" te larta qe ziejne ne thellesi te drejtuesve te tij thjesht per te ardhme personale...Kur zerat nuk harmonizohen me realitetin,aq me keq per ... realitetin.

Submitted by i (not verified) on

po z. Eduard por ketu ne Shiqperi nuk funksionojne rregullat statistikore te perbotshme,(kujto zgjedhjet). gjithsesi edhe sikur mos te publikohen fqinjet tane greke apo serbe do e perdorin mir ate shifer

Submitted by A.G (not verified) on

Si te dhenat e CIA-s dhe te grekeve,statistikore jane.Sa te jene te tilla nuk na prishin pune,kot ja kepusin.Megjithate,qefin na e bejne,sipas E.Z.,atehere pse trembemi nga censusi?Pse detyrohemi te bejme thirrje,pse detyrohemi te shqetesojme qytetaret,pse duhet te trazojme ujrat per t'u kthjelluar ala kinezce???Pse jane gjithe keto shqetesime,kur sipas te gjithe statistikave tuaja deri tek me "te saktat" e CIA-s s'ka asgje per te na lene pa gjume?Mos vallke ka "treg" ky lloj malli mediatik dhe ne "dyqan" kemi?!Greket jane 3 perqind,shkofshin 5 perqind,kush mund te me spjegoj se cfare e keqe vjen pasketaj?Eh,sa me dhemb,ne kemi plot semundje te tjera,gati per ne reamacion,dhe bertasim kaq fort per nje gjemb te vogel ne kembe...S,ke c'i ben,cadren e marrim me vete kur na njoftojne se neser do te jete kohe me shi...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.