Kleptomanët dhe nevoja e nji revolucioni moral

Postuar në 13 Janar, 2013 04:47

 

Ka ditë që shtypi shqiptar merret me “çeshtjen Barjaba”. Mediat po na shtyjnë me besue se gjithçka do të kishte kalue pa u ndie në qoftë se njeni prej të pandehunve për vjedhje mos të kishte qenë antar i Akademisë së Shkencave dhe dekan i nji universiteti privat, person publik i impenjuem edhe në jetën politike.

Ndoshta “eliminimi” i Barjabës nga skena ka ndodhë për shkaqe politike. Nuk besoj se policia e Palo Alto-s ka marrë inisiativën me diskreditue Barjabën në Shqipni. Në qoftë se Barjaba ka pasë ndër mend me u kandidue për në zgjedhjet e ardhshme, diskreditimi i tij tashma i ka hapë rrugën dikujt tjetër. Teatri i pulcinelës që ban PD-ja asht oportunizëm qesharak, pse në gjinin e qeverisë aktuale ka njerëz para të cilëve Barjaba duket si njeni prej atyne hajnave të kryqzuem së bashku me Krishtin në Golgotë.

Mjaft i vemendshëm, Alfred Lela vërente para do ditësh sesi pa pritë pa kujtue shoqnia shqiptare zbuloi mbrenda vetes nji rrem puritan dhe u sul me shpatë në dorë me dënue gjestin e ulët e njikohsisht edhe budallallekun e paskaj të Barjabës.

Rasti i Barjabës më solli ndër mend atë të Ylli Pangos disa vite ma parë. Asokohe Berisha nuk ngurroi me e shkarkue Pangon aty për aty, tue tregue nji ndjeshmëni puritane për “mbërtheckat” e përflakuna që i dogjën duert ministrit të tij.

Asht e çuditshme, mbasi mediat opozitare denoncojnë përditë akte antiligjore të njerzve të qeverisë, por qysh në vitin 2005 vetëm filmimi i Pangos asht marrë seriozisht prej Berishës! Tepër pak për nji kryetar qeverie që pat premtue luftë të hapun kundër korrupsionit!

Me sa duket shoqnia shqiptare e paska nji dell puritan, por jo prej puritanizmit amerikan që ka parasysh Lela, por prej nji tjetri, hipokrit, oriental, që preokupohet vetëm për fasadën dhe jo për thelbin e gjanave.

Mediat, politika dhe shoqnia shqiptare skandalizohen për Pangon e Barjabën por s’e çajnë kryet për Gërdecin, 21 janarin, për atentatin gjakatar ndaj gjykatësit Konomi, për vetëflijimin e ish të burgosunve politikë etj.

Pangoja dje dhe Barjaba sot sigurisht që kanë veprue në kundërshtim me kodin elementar të etikës, tue shkelë mbi normat themelore të saj, prandaj edhe “linçimi” i tyne mediatik asht pothuejse i merituem.

Them “pothuejse” jo pse ata kanë rrethana lehtësuese, mbasi nuk besoj se Pangoja vuen prej satiriazës dhe Barjaba prej kleptomanisë obsesive, por thjesht për faktin se të dy janë pjesë e sistemit shqiptar, pra jetojnë e marrin frymë në nji shoqni që shfrytzon, përdorë dhe keqtrajton femnën dhe në nji shoqni që vjedh si dhe sa të mundet. Ata që mundohen me e justifikue gjestin e Barjabës tregojnë se në rrethana të ngjashme me ato të fatkeqit në fjalë kanë veprue ose do të kishin veprue si ai, tue pasë parasysh vetëm faktin që mos me u zbulue prej policisë. Ky asht morali i njerzve të rritun nën trysninë e komunizmit: mungesa totale e respektit për pronën e tjetrit dhe për pasuninë e përbashkët shtetnore.

Mbetet tejet maset shqetsues fakti se opinioni publik shqiptar asht mësue dhe e ka pranue të keqen si diçka normale e të zakonshme.

Ma shumë se për 300 dollarët mall të vjedhun në Palo Alto duhet të na hante meraku për 240 milionë eurot e zhdukuna gjatë ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash dhe për dredhinë procedurale të vonesës së dorzimit të dosjes hetimore që bani që çështja në fjalë të mbyllej!

Rasti Barjaba tregon padyshim vorfninë morale të intelektualve, spesori i cektë moral i të cilëve ban që ata që shiten e të blehen e madje edhe të jepen me qira.

Megjithatë akti i vjedhjes në nji qendër tregtare nuk asht ma skandaloz se disa editoriale apo fjalime që shkruhen me porosi prej nalt prej disa intelektualëve që e kanë tradhtue me kohë misionin e tyne.

Rruga ma e drejtë sot për sot asht qëndrimi kritik apo “teoria kritike” siç quhej dikur prej Horkheimer-it dhe Adorno-s, që domethanë: mospajtimi me gjendjen aktuale dhe kritika parimore pa mbajtë me hatër askënd, sidomos ata që kanë pushtetin.

Intelektualët që e ndyjnë veten tue vjedhë 300 dollarë mall apo ata që e zhysin pendën në bojë për me i thanë të zezës e bardhë, janë mostra të t’njejtit mall.

Por këto janë gjana që nuk zgjidhen me nji gjobë, me burg apo me linçime mediatike. E keqja jonë asht shumë ma e thellë, prandaj do të ishte naivitet me mendue se problemet tona mund t’i zgjidhin nji tour i thjeshtë elektoral. Atyne mund t’u japin udhë vetëm nji revolucion i thellë moral që të përfshijnë të gjithë shoqninë shqiptare, përtej të qenunit intelektual apo injorant e madje edhe përtej bindjeve dhe dasive politike.

Kur un mendoj seriozisht për nevojën e nji revolucioni moral më kujtohet pa dashtë lëvizja katharsis e Fatos Nanos e atëherë si shumica e shqiptarëve ndihem i pafuqishëm përpara plehnave që sundojnë në Shqipní. Te ne nuk pin ujë as revolucioni moral dhe as kataklizmat!

Vetëm mungesa e efektit pozitiv të përmbytjes së parë – shkruente dikur N. Chamfort – e ndalë Zotin pa na përmbytë rishtas. E ne shqiptarët e dijmë mirë se çka domethanë përmbytje, dhe s’e kam fjalën për ujnat e ftohta të Bunës por për llomin që na ka mbulue.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.