Gjysmëliria

Postuar në 19 Janar, 2013 07:35
Fatos Baxhaku

Para do ditësh, e famshmja “Freedom’s House” bëri të ditur rezultatet e sondazhit të saj periodik mbi shkallën e lirisë sipas vendeve. Neve na kishin caktuar, një vend “dinjitoz”, porse disi mediokër andej nga mesi i tabelave për Europën. Këtu te ne, disa e pranuan këtë rezultat, të tjerë menduan se mund të ishim më lart në klasifikim, madje kishte edhe të tjerë që pohuan me plot gojën se meritonim të ishim edhe më poshtë. Ka ndodhur kështu, sepse liria është një koncept shumë i vështirë për t’u kuptuar. Është një koncept i avullt. Të gjithë ne e dëshirojmë, të gjithë flasim për të, por ajo herë vjen e herë shkon sikur të jetë një nga orët e malit të Ciklit të Kreshnikëve. Kokat më të ndriçuara të njerëzisë, Aristoteli, Ciceroni, Shën Agostini, Hobsi, Dekarti, Lajbnici, Kanti, Hegeli, Marksi, Fromi, Kirkegardi, Berlini janë marrë gjatë me të. Secili ka dhënë përkufizimin e tij sipas rrethanave historike të kohës kur ka jetuar. Mendimi më i përhapur sot, të paktën teorikisht, është që “liria është mundësia që ka një individ që të vendosë të mendojë, të shprehet dhe të veprojë i pashtrënguar, duke përdorur dëshirën për të menduar dhe për të kryer një akt me anë të mjeteve, që ai i konsideron të arsyeshme”. Ndonëse i pranuar në tërësi nga studiuesit e fushës, edhe ky përkufizim duket se nuk e shpreh qartë konceptin e lirisë. Në fund të fundit, vetë liria a mund të kyçet në një përkufizim? Mbase më shkoqur ka shkruar Tomas Xhefersoni në “Deklaratën e Pavarësisë së SHBA”. Sipas tij: “…Ne besojmë që të vërtetat e mëposhtme janë krejt të dukshme: të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, ata janë pajisur nga Zoti me disa të drejta të patjetërsueshme, mes të cilave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë…”. Mund të zgjatemi pa fund në diskutime filozofike që të rrokanisin kokën, porse nuk është as vendi dhe as koha.

Sikurse e thamë ca më lart, lista e lirisë e hartuar nga “Fredom’s House” na bëri që të mendojmë edhe ne për shkallën tonë të lirisë së vërtetë. Me gjithë respektin për institucionin e nderuar, autori i këtyre radhëve mendon se vendi ynë i dashur i meritonte edhe ca pikë më tepër. Le ta nisim diskutimin mbarë. Liria është një koncept fort i gjerë. Në të përfshihen liria morale, ajo juridike, ekonomike, politike, e mendimit, e besimit, madje disa rreshtojnë edhe atë metafizike.

Le t’i marrim tani me radhë. Shqipëria është një vend ku liria morale ka kohë që lulëzon, madje me tepri do të thosha. Këtu e keqja ka një liri absolute, të pakufizuar, është shndërruar në një mbretëreshë të vërtetë, madje shumëkush prej nesh e përfytyron si një grua të re fort të bukur. Ai që mundohet të luajë të ndershmin, të mirin, ai menjëherë izolohet në vetmi dhe shpallet krejtësisht i paaftë. Jo mendja, por dhuna është ajo që vlerësohet më shumë, jo marrëdhënia e paqtë njerëzore, por mashtrimi, jo… këtu mund të zgjatemi pa fund. Jo vetëm kaq, por ne kemi arritur, pra kemi pasur lirinë morale për ta bërë këtë, që dikur të sharën “bir kurve” ta shndërrojmë në një lavdërim gati-gati kalorsiak. Ju lutem shumë zotërinj të “Freedom”, të paktën për fair play këtu meritonim ca pikë më tepër.

Të kalojmë te liria juridike. E ku ka mirë se sa të mos e çash kokën për ligjin? Në letër i kemi thuajse të tëra ligjet që ka bota me mend, porse ne as që e çajmë kokën për to. Na duket dikush matanë gardhit antipatik, ose na e zuri rakinë në grykë në klubin e fshatit, ne nuk ta bëjmë të gjatë, mjafton vetëm një breshëri kallashnikovi dhe aq. Meqë ra llafi, ne ende e kemi tërë lirinë e duhur për të gjetur fare kollaj një armë vrastare. Mbete pa kokërr leku në xhep? Atëherë një çorape në kokë, dil në rrugë dhe grabiti hallexhinjtë që shkojnë në hall të tyre. Po të jesh trim dhe do ta shijosh lirinë juridike tamam, atëherë mund të grabisësh edhe vetë shefin e krimeve. Edhe këtu duhej parë mundësia që të na shtonin disa pikë.

Le të ndalojmë ca te liria ekonomike. Disa vende, që janë rreshtuar ku e ku më lart se ne, me sa duket lodhen më kot teksa diskutojnë për të drejtën e secilit për punë. Liria jonë e pafund ekonomike ka bërë që ne të respektojmë një tjetër gjë, krejt të kundërt, lirinë për të jetuar pa punë. More po fare pa punë! A mund të ketë liri ekonomike më të gjerë se kjo? Sa të gjesh punë, jo shefi, jo lodhja, jo orari… Vetëm kështu pa punuar, njeriu shijon jetën e tij, atë të fazës së parë, atë primitive, që e ka zili tërë bota. Edhe në këtë pikë vlerësimi për Shqipërinë duhej të ishte më i lartë.

Sa i takon lirisë politike, edhe këtu jemi më mirë se shumë të tjerë. Klasa politike që sundon që prej 20 vjetësh është treguar zemërgjerë. Ajo ia ka hequr popullit, i cili e ka pjellë, barrën e rëndë të pjesëmarrjes në vendimmarrjet politike. Politikanët kanë menduar: Ky popull ka vuajtur shumë nga nata e gjatë e diktaturës. Tashti ka nevojë për pushim. Hajde të hartojmë një ligj elektoral dhe ndodh ç’nuk ndodh si në qeveri, si në opozitë, ne sërish mirë do jemi. Ngecëm në ndonjë vend, atëherë në dorë e kemi, i këpusim një të ndryshuar ligjit elektoral dhe jemi në rregull. Në vlerësimin e kësaj sfere të lirisë shqiptare, ekspertët e “Freedom’s” duhej të ishin treguar më objektivë, por ka shumë gjasë që dikush t’u ketë përkthyer qëllimisht gabim. Nuk na u ndanë antishqiptarët xhanëm!

Liria e mendimit është një fushë tjetër ku kemi bërë goxha hapa përpara. Mendimet tona u ngjajnë lumenjve tanë të fryrë nga shirat. Ne mendojmë vazhdimisht. Në rrugë mendojmë, madje disa kanë lirinë e duhur për të folur edhe me vete, në punë mendojmë, kur e kemi atë, në gjumë mendojmë, nëse na zë sigurisht. Ne mendojmë, mendojmë, mendojmë pa pushim. Në këtë fushë kemi një liri pa fund e pa anë. Madje shumë prej nesh kanë edhe kohën e duhur. Për çfarë mendojmë? Por ja për gjëra të tilla të përditshme: ku do t’i gjej paratë për qiranë, ose kam një muaj pa paguar kopshtin e djalit, ose po sikur të më shkurtojnë edhe mua si të tjerët, si i vete filli pastaj? Të tilla gjëra. Jo vetëm liria e mendimit, por edhe larmia e mendimeve është fort e gjerë. Sikur ekspertët e “Freedom’s” të kishin qenë më të informuar me siguri, do të na kishin dhënë më shumë pikë edhe në këtë fushë.

Tani jashtë shakave. Për këdo që ka dy fije mend është e qartë se ne jetojmë në një gjysmëliri. Për shumë motive, që lidhen me traditën, me shkallën e ulët të kulturës demokratike, të kulturës në përgjithësi, të mbeturinave të kultit të individit, të krahinorizmave ende shumë të fortë. Në të gjithë këta faktorë frenues duhet ndarë veçmas varfëria. Një i varfër nuk mund të jetë kurrë i lirë. Mahatma Ghandi pyeste dikur: A ka dhunë më të madhe se sa varfëria vetë? Me sa duket që gjysmëlirinë tonë ta shndërrojmë në liri të vërtetë na duhet të marrim një rrugë të gjatë dhe të vështirë, porse nuk ka rrugë tjetër. “Jemi të dënuar që të jemi të lirë”, thoshte dikur Zhan-Pol Sartri. Shqip

Comments

Submitted by f d (not verified) on

Citoj nga artikulli :

" Nje i varfer nuk mund te jete kurre i lire ."

Pyes autorin e kedo tjeter :

"Po gazetaret qe jane te pasur , te pasur ama per nivelin e shtreses se mesme shqiptare, a jane te lire ?"

Te filloj te rradhis emra gazetaresh ?! Madje kane dhe 'tituj e grada' si kolumnista, analista, editorialista e ista e ista dhe a jane te lire , kur e kane dhe ne 'betim' si te tille ?! E c'te beje fukaraja me pas qe pret te mesoj nga ju ?

E kam pas thene disa here ' liria fitohet nuk dhurohet' ( jo se eshte e imja ). Fitohet ne beteje. Beteja ka organizim. Organizimi ka 'prijesit' e deri tek 'kapterat'. Me pas vijme ne si 'ushtare', ne te varferit, hallexhinjte, ne qe e duam lirine dhe pse nuk e dime c'eshte liria.

Vertet jemi denuar te jemi te lire, por si race qe jemi nuk na pelqen 'denimi''...

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.