A është Kosova - Kosovë?

Postuar në 13 Janar, 2013 04:31
Mirela Kumbaro

"Kosova është Kosovë", i thotë Adem Demaçi gazetarit serb të televizionit BK në Beograd në vitin  1993. M'u ngulit në kokë. Jo thjesht se Demaçi guxoi ta kërcente atë valle në gojë të ujkut, siç mund të cilësohet ai kontekst në kohën e hapsirën e vet. Është më shumë se kaq. Këto tri fjalë e thonë fare troç mëvetësinë e Kosovës: të historisë e të gjeografisë së saj, të rrugëtimit njëshekullor dhe sidomos, të origjinalitetit te elitave të saj në prodhimin e ideve.

Shumë gjatë e atje matanë, Kosova është konsideruar si pjesë e ish-Jugosllavisë. Administrativisht e gjen ende sot aneks ose rudiment të Serbisë nëpër kartat e internetit. Për dekada të tëra ligështohej nga mosnxjerrja në pah e vlerave të veta. Punët e shqiptarëve llogariteshin si kuota të pakicës që Serbia (s')ia jepte.

Tash u rigjetëm kësaj ane, ose, më mirë me thënë, thjesht u gjetëm (se bashkëkohësit e Hasan Prishtinës gjallë më s'janë) vetëm kur "ra ajo luftë e u pamë". Sekush me syzet e miteve të veta. Secili me ngërçin e kompleksit të Tjetrit. Dhe prapë me kuota. Një miss nga Kosova, një këngëtar kosovar, një anëtar jurie prej Prishtine, një po e një jo si vijat e xhamadanit folkloriko-politik. Bëjmë sikur jemi të hapur, pa paragjykime, por veç japim hise në dukje e rrekje për të qenë në rregull formalisht. Ndërkohë përflitemi, bëhemi të vështirë, pak pranohemi, shpesh s'durohemi, si për të konfirmuar provincializmin tonë me dy krena bash si shqiponja jonë. Dhe në këtë foshnjëri të emancipimit humbet njëshi, vlera e vërtetë, njeriu krijues pavarësisht se vjen prej Deçani apo prej Berati por që e shkel klisheja e turmës.

Jo, s'kam ndërmend të trajtoj ligshtimet në marrëdhëniet tona shqiptaro-shqiptare. Hesapet e brendshme të familjes janë gjithmonë një kokëçarje e madhe që i sjellim në tryezat e dasmave e të morteve sa herë mblidhet farefisnia (akoma s'na ka ikur shija e tortëshqyerjes së fundit) e zor se shterrohen këto me një shkrim. Dhjetë vite e ca hyrje-dalje janë shumë pak për të bërë bilance. Ne vetëm sa kemi filluar të mendojmë që edhe mund t'i themi ato që na lëvrijnë strukur poshtë kasketës mbi të cilën shkruhet "politikisht korrekt". Ndërkohë çështja kombëtare është kthyer në flamurin më të telendisur të politikës jo korrekte, pa u marrë seriozisht nga kombi.

Libri

Do kthehem të flas për një Libër, për një Autor dhe lexuesin e tij."Adem Demaçi, biografi, E PAAUTORIZUAR" - një shekull i Kosovës nëpër një jetë. Është ndër librat më të ndershëm që mund të kem lexuar ndonjëherë.

Shkëlzen Gashi, studiuesi historian nga Kosova, në moshën 28 vjeç në vitin 2010, me modestinë e profesionistit të ri dhe me profesionalizmin e mjeshtrit bën që në fillim të qartë paktin me lexuesin e vet. Pa asnjë mëdyshje, pa asnjë hije, pa asnjë hile. Nuk i tutet asgjëje.

Frymëzuar nga një personazh me jetën e të cilit mund të bëhej film. Një personazh që shpesh është krahasuar me Mandelën ndonëse e ka edhe një vit burg më shumë se ai. Adem Demaçi është  një figurë që tashmë ka vendosur karriken midis mitit dhe institucionit. Ka bërë po aq vite burg sa kishte Shkëlzen Gashi kur e botoi këtë libër, sepse donte bashkimin e trojeve.

Këtë në Kosovë të gjithë e dinë. Në Shqipëri pak e dinë, le të themi që e marrin me mend. Më të shumtët ia dinë emrin. Të rinjtë se ku e kanë dëgjuar...

Dy biografi të mëparshme  për Demaçin janë shkruar nga boshnjaku Fahrudin Radončić (Dhjetëmijë ditë burg, 1990, i papërkthyer në shqip) dhe nga slloveni Matjaž Hanžek (Njëzet e tetë vjet - as i gjallë, as i vdekur, 1990 botuar në shqip nga shtëpia botuese Lumi në Lubljanë, pa emër përkthyesi). Por asnjëra e plotë sepse janë ndalur herët në jetëudhëtimin e protagonistit. Të dyja mbështetur mbi intervistat me vetë personazhin, na informon Gashi.

Demaçi, kokëkrisuri e antipodi i politikës pasive të Rugovës dhe me shpirt kontestator ka mishëruar padurimin e rinisë kosovare lodhur nga lojërat e dyfishta të luajalistëve të Kosovës e nga pasivizmi i Rugovës. Një profil i tillë nuk është hera e parë që josh mendjet e reja e energjike si ajo e Shkëlzen Gashit. Dhe po, duhet thënë që në fillim, garanica e parë e cilësisë së këtij libri është se nuk bëhet fjalë për një biografi të porositur, por për një punë të frymëzuar e të nxitur nga pasioni për të hedhur dritë mbi një figurë  të dashur për breza të rinj edhe kur personazhi është i vjetër e, jo rrallë, ka shërbyer si model. Që të shkruash mirë për diçka, thotë Steinbeck, duhet ta duash shumë ose ta urresh shumë. Ky është kushti i zemrës.

Gashi - studjues profesionist ose shkrimi i një biografie

Çka befason në këtë libër është përkujdesja e Gashit për të mos vendosur megjithatë zemrën para mendjes së ftohtë të studiuesit. Në paktin e tij me lexuesin e fut qartësisht librin në gjininë e publicistikës. Përcakton një metodologji transparente përmes të cilës sjell intervistat e bëra "sy më sy" me dhjetëra njerëz, të afërt e të largët të Demaçit, përfshi dhe këtë vetë; shfrytëzon me skrupulozitetin e hulumtuesit publikime mediatike të shtrira në kohët e hapësirat ku ka lëvizur personazhi në fjalë, dokumente arkivore, juridike, ushtarake, ndërkombëtare, të qarta deri në detaje; ballafaqon burimet e treta me vetë shënimet, intervistat, botimet, librat e Adem Demaçit, si dhe me dëshmitë e bashkëkohësve të stacioneve të ndryshme jetësore të protagonistit të librit.

Ka një meritë të madhe kjo biografi për nga modeli i të shkruarit. Aparati referencial, bibliografia e detajuar me data dhe vende, organizimi i dokumentacionit historik, mediatik dhe anketues janë mbresëlënës. Nuk ngurroj aspak ta citoj këtë libër si një model të shkrimit biografik modern. Nuk tutem hiç ta sjell si shembull që duhet krenarisht t'i kundërvihet shumë shkrimeve tradicionale biografike ku përzihet panegjirizmi me hamendjet, falsifikimi me gjithëdijen e paditur, deformimi i fakteve me zbukurimin servil. Jo. Shkëlzen Gashi, ftohtë, qetë, pa i fshehur ama as simpatitë e veta elegante e as mospajtimin e përmbajtur, respekton me rigorozitet përqasjen e fakteve, të dokumentave me rrëfimet, duke i dalë lexuesit përballë aty ku ky i fundit zë e bën pyetje me vete.

"E paautorizuar"

Dhe kripa e këtij libri është pikërisht përkthimi brenda faqeve të tij, i asaj pjese të titullit që na tërheq vëmendjen në kopertinë: "E PAAUTORIZUAR".

Në jetën e gjatë të një personazhi si Demaçi, me tre periudha burgimi, me përplasje rivalësh politikë e ideologjikë brenda llojit dhe armiq e persekutorë jashtë vathës, me influenca herë të nëndheshme e herë kundra rrymës, me kapërcime sakrifikuese e kthesa private të paqarta, stabiliteti në deklarata e qëndrime duhet të ketë qenë një sport i vështirë.

Mirëpo akoma më e vështirë është t'u dalësh atyre për zot e t'i mbash mbi supe kur filmi ka mbaruar e spektatorët kanë të drejtën t'i rikthehen atij, qoftë edhe me xhiro të ngadalta sikurse shpaloset jeta e një protagonisti në biografinë e tij. Në fund të fundit pse do t'i shpëtonte Demaçi këtij kurthi? Vetëm pse ne kemi nevojë për idhuj? Farë që s'ngjit në këto anë... Si të gjithë vdektarët e zakonshëm  edhe ai duket se e shijon makijazhin biografik post factum. I zhgënjyeri i madh këtu duhet të ketë qenë autori i kësaj biografie të pastër, vetë Shkëlzen Gashi, që ndonëse mirënjohës për kontributin e vetë Demaçit në këtë libër, nuk e merrte me mend se personazhi i tij i parapëlqyer, heroi i brezave të tërë, autoriteti moral, sakrifikuesi i grevave të urisë, nuk do t'ia jepte lejen për të botuar disa fakte të dokumentuara gjithësesi. "Të hiqet" ka urdhëruar censori Demaçi, hero i lirisë. Në botën me rrota, personazhë të tillë si Thaçi kryeministër, Krasniqi kryeparlamentar, Majko ish-kryeministër, Enver Hoxha ish-diktator, Fadil Hoxha ish-udhëheqës i lartë i Partisë në Kosovë e të tjerë emra të përveçëm, të gjallë e të vdekur, kanë ndërruar status disa herë. E sot që kompromisi moral është fast-food -i më i lirë, mirë është të mos kujtohet ç'kemi thënë.

Ky është në fakt stili me të cilin shkruhet shpesh historia e hershme dhe e vonët në Ballkan, madje edhe ajo që do të vijë. Ky 100 vjetor na tregoi se si ia ngatërruam zorrët Historisë sonë aq sa do na duhet ndoshta të presim edhe 100 vjet të tjera që të gjejë karar e mjera. Dhe faji nuk është i politikës, po i historianëve. Sot është koha të ndahen sharlatanët nga profesionistët. Politika është e ditës, historia e kombit. Historishkruesit që presin mbledhjen e qeverisë për të  vendosur se ç'të bëjnë me Hasan Prishtinën, apo oreksin e një komisioni parlamentar për të rindërtuar masakrën e Tivarit, bëjnë mirë të dalin në pension. Një brez tjetër mendjehapur na duhet.

Gashi tregon me këtë libër se ekziston mundësia për të mos bërë kompromis me manipulimin e faktit. Ashtu siç "Demaçi refuzonte të shndërrohej në "shkrojtore të ShP të UÇK -së" dhe "të dëgjonte urdhërat e Jakup Kransiqit e të Hashim Thaçit" nuk pranoi as Gashi të shndërrohej në "një shkrojtore që do të daktilografonte diktatet e Demaçit". Është kjo shpresa për një brez të ri studiuesish të pamolepsur nga tollovitë e luajalistëve e as nga ngasjet korruptive të politikës së ditës.

Për lexuesit e Tiranës

Asnjë synim diksriminues e as përjashtues nuk kam në këtë nëntitull, përpos faktit se dua të theksoj që ne nuk e njohim mirë njeri-tjetrin, se jemi jo vetëm viktima të Historisë por edhe nxënës të këqinj të saj. Na i kanë mësuar keq dhe ne vazhdojmë të zhgërryehmi brenda injorancës tonë. Një biografi e tillë na bën mirë ta lexojmë. Një jetë si ajo e Adem Demaçit (me hyrje dalje nëpër burgjet e Serbisë, me aktivitetin e ngjeshur politik e shoqëror, me shkrimin letrar më  shumë si zbukurim filozofik por edhe si një interes emancipues), është një mënyrë për të njohur Kosovën e kohës kur ne ishim në terr informativ e që sot nuk po arrijmë dot ta rikuperojmë, por edhe për të kuptuar prekshëm rolin e individëve që nga Ibrahim Rugova e deri te Mahmut Bakalli, që nga Hashim Thaçi e deri te Ramush Haradinaj. Ka vlerë që këta personazhe të mos i shohim as si mite të rrëfimit e as thjesht si personazhe të gazetave të ditës.

Një kronologji si kjo që na ofron Gashi është edhe një mundësi shumë e mirë për t'u përballur me veten dhe me të vërtetën.

Nga copëzat e jetës që kaloj në Kosovë, kam kuptuar se jo vetëm unë isha në mosdije të çka ishte Kosova në 100 vjet, por po aq të mosditur ishin dhe miqtë e mi prishtinalinj për çka ndodhte në atë burg të madh që ishte Shqipëria. Vërej se sot e kemi më të lehtë të hatërngelemi reciprokisht kur shohim se si ende flitet për Enverin në Kosovë apo pse në Tiranë ka nostalgji për Bijelo Dugmen. Stigmatizohemi për të folmet dialektale ndërsa mbetemi robër të padijeve tona.

Ende s'kemi mësuar të ulemi e të shpjegojmë qetësisht se figura e Enverit si "babai" udhëheqës i "nënës" së munguar Shqipëri, ruhej e idealizohej për të mbajtur gjallë shpresën tek populli i Kosovës i cili duhej të besonte se po e gëzonte ndihmën e Shqipërisë e cila, në të vërtetë nuk e lëvizi ndonjëherë gishtin përtej retorikës nacionalkomuniste me të cilën mbante në terror shtetasit shqiptarë. Demaçi, simboli dhe fituesi i çmimit për të drejtat të njeriut e dinte  këtë. Ai shpejt e kuptoi se nuk do të arrihej dot bashkimi me Shqipërinë e Enverit por nuk e ndërmorri denoncimin e diktatorit më të egër e në vite as "nuk e prekte realitetin e shtetit shqiptar". Madje Shkëlzen Gashi, pa e komentuar një fakt të tillë, informon se në një intervistë të dhënë nga burgu për gazetën Večernji List më 24 mars të vitit 1990, Demaçi thotë: "Ai ka arritë që për 40 vjet ta shndërrojë Shqipërinë nga vendi më i pazhvilluar në Europë, në një vend që mund të krenohet. Për këtë unë e respektoj si birin më të madh të popullit shqiptar. Ai ishte udhëheqës gjenial, i cili natyrisht i kishte dhe gabimet e veta, por asnjërin prej tyre strategjik" Si t'i kuptosh këto deklarata në një kohë kur pritej t'i jepej goditja e fundit diktatorëve të Ballkanit? Pa folur për reagimin që ngjall sot risjellja e figurës së diktatorit nga një njeri që edhe në Tiranë adhurohej, si Rexhep Qosja. Si shumë pak vjet kanë kaluar për të patur një kujtesë kaq të shkurtër. A thua jemi popull pa memorje?

Kësisoj, secila pjesë e elitave drejtuese të kombit të ndarë më dysh tërhiqej dhe tërhiqet prej interesit te vet të ngushtë ndërsa turmave u hidhnin e vazhdojnë t'u hedhin edhe sot ushqim populist me abetare e liga futbolli si ndeshje lagje.

Sa për Bijelo Dugmen e kompani, ajo nuk ishte as më shumë e as më pak veçse një metaforë e "mollës së ndalueme" që lëpinim nga pak sapo kapej një imazh i huaj në ekranet e televizoneve në Tiranën e antenave të sajuara me pirunë asokohe. Por këto shkëmbime episodesh ndërkrahinore e brendakombëtare do kërkonin netë dimri e ndeje me raki përpara, që për mua janë shumë të shëndetshme, njësoj si muhabetet e ëmbla të çiftit të ri poshtë  çarçafit martesor.

Një botim nga Prishtina

Nëse bashkim duam, unë besoj se ai në radhë të parë do të vijë prej njerëzve që ushqejnë shpirtin dhe jo vetëm xhepat. Para se të jetë bashkim politikash mjerane kombi duhet të bashkohet nga dashuria e njerëzve që e njohin dhe e pranojnë njëri tjetrin me ndryshimet e gjithësecilit. Libri i përbashkët duhet të jetë rruga e vërtetë e kombit dhe jo tenderat e asfaltit. Tirana është ende dyermbyllur ndaj librit të Prishtinës. Ndërsa shtëpitë botuese të Tiranës shesin me çmime jo fort të ndershme librat e tyre në Prishtinë, botimet kosovare nuk gjenden në Tiranë ndonëse autorë, poetë e shkrimtarë prodhojnë dhe madje përkthehen me shumë sukses në Europë. Edhe çmimet e fundit letrare të Ministrisë së Kulturës në Tiranë u sollën me krijimtarinë mbarëkombëtare si t'i kishte "çu baba me la gojën".

"Rrokullia" quhet shtëpia botuese nga Prishtina, që ka sjellë në dritën e botimit në vitin 2010 Biografinë e paautorizuar për Adem Demaçin. Një botim që të jep kënaqësi ta shfletosh, në një harmoni tunduese midis ilustrimeve të shumta me foto e faksimile dhe faqosjes moderne e të ajrosur që synim kryesor nuk ka kursimin e letrës por kënaqësinë e leximit.

Teskti rrjedh në një shqipe të pastër e të pasuruar prej gegnishtes së mençur, por edhe të kuruar nga kujdestarë të mirë gjuhësorë si Gazmend Bërlajolli. Fund e krye, të bën përshtypje vëmendja e hulumtuesit Shkëlzen Gashi që nuk lë pa përmendur asnjë nga burimet e informacionit, të këshillimit, e të kontributit të gjithësecilit, në shenjë respekti për njeriun dhe në emër të modestisë së vet.

Sot Adem Demaçi, pas ndereve bujare që i ka bërë politika e ditës, jeton më së shumti në Sarandë ku siç ai thotë "temperatura shumë rrallë zbret nën 10 gradë, prandaj meqë unë i dua vetëm gjërat e vërteta, për çdo dimër vij në Kosovë, që ta shijoj dimrin e vërtetë me borë e cegëm"

Kur lexon shtypin e sotëm të Kosovës, kritikat për pasivitet e kompromise, tash, të Demaçit i gjen pa kursim. E që të kuptojmë të sotmen na duhet të lexojmë historinë e shkruar mirë. Si ky libër. Sepse e kaluara nuk ka vdekur, thotë Faulkner, ajo as që ka kaluar.

Panorama

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

Shkrimi teper i gjate, prandej nuk e lexova. S,kam durim te lexoj shkrime te gjata.

Por do te them diçka vetem per titullin "A eshte Kosova-Kosove"

Kosova proturke asht po aqe shqiptare sa asht shqiptare Kosova proserbe.

Submitted by Pyka (not verified) on

Nqs nuk ke nerva per ta lexuar artikullin, mos jep pergjigje te kota. Kam lexuar disa prej komenteve qe ke bere. (DELTED) era mesjete...

Submitted by Pirro (not verified) on

(DELTED)

Submitted by Harilla (not verified) on

Fjalë të vërteta, Mirela. Më vjen mirë që i lexoj pikërisht prej teje.

Kosova është pararojë e kulturës shqiptare. Sa më shpejt e mirë të kuptohet kjo, aq më mirë për ne që i rrijmë poshtë.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.