Z.Kulla, ose Ndriçimi i errët i Presidentit Nishani

Postuar në 28 Qershor, 2013 09:02

Më 20 qershor kam botuar në faqet e gazetës Mapo artikullin me titullin Çështje të idiotësisë. Ishte një reagim ndaj dy shkrimeve të Z. Ndriçim Kulla lidhur me një letër të Imzot Rrok Mirditës drejtuar Gjeneralit Sandër Lleshi. Titulli më i përshtatshëm i artikullit të tanishëm do të ishte: Çështjet e idiotësisë vijojnë. Në një rast të tillë do të më duhej ta mërzisja lexuesin me nxjerrjen në pah të të gjitha kundërshtive dhe pasaktësive, përveç çalimit të fortë të arsyetimit të Zotit Kulla, paraqitur në artikullin e tretë me titullin elegant: Lidhe qenin Zotni Rrok Mirdita. Nëse do të jetë nevoja, dhe ndoshta është nevoja, një gjë të tillë do ta bëj një herë tjetër, edhe pse nuk do të mjaftonte tërë gazeta për të qeshur me marrëzitë e tij. Tani mjafton vetëm të them se, nëse thëniet e kundërthëniet, kapërcimet e akrobacitë, vajtje-ardhjet dhe rretherrotullimet argumentative të Z. Kulla do të transferoheshin në kontekstin e një cirku, autori i një shfaqjeje të tillë do të ngjallte admirim e zili edhe tek kllouni me i mirë.

Artikullin e parë e dërgova në redaksinë e një të përdishme të Tiranës, duke iu paraqitur kryeredaktorit ashtu siç jam, pra një prift katolik që ka bashkëpunuar për gati pesë vjet me arqipeshkvin Mirdita në Tiranë e që sot gjendet në Itali. Ajo e përditshme nuk e botoi artikullin,   por ka email-in në të cilin paraqitem siç jam. Fakti që jam prift nuk më pengoi e nuk më pengon të vë re idiotësinë e ta paraqes si të tillë, sikurse nuk më pengon sot të them se artikulli i fundit i Zotit Kulla i ngjan më shumë shfaqjes së një kllouni sesa arsyetimit të një këshilltari të Presidentit të Republikës. Nuk kam asnjë qëllim fyes ndaj qytetarit Ndriçim Kulla kur quaj idiotësi apo shfaqje prej kllouni artikujt e tij. Ato artikuj janë publikë e kushdo që ka pak njohuri mbi historinë e vonë të Shqipërisë, mbi çështjen e laicitetit të shtetit dhe rolin e besimeve fetare në jetën publike, mbi administrimin kishtar dhe shërbesën baritore të një ipeshkvi, po t’i lexojë me pak vëmendje, e shikon vetë përçartjen e këshilltarit të Presidentit. Si prift dhe si njeri mund të më vijë keq për Z. Kulla, dhe këtë e di vetëm unë, por si lexues i një gazete në të cilën vihet në shënjestër Arqipeshkvi i Tiranës, dhe mënyra si vihet në shënjestër është (me apo pa dashje) idioteske, nuk më duket me vend të zë faqen e një gazete për të shprehur mëshirën time njerëzore ndaj një njeriu, që mu në faqen e një gazete, shet injorancën si dije dhe e përsërit këtë veprim disa herë.

Probemi është pikërisht ky: ai e përsërit këtë veprim disa herë. Nëse e bën nga zelli personal, përforcon përshtypjen që krijoi që në artikullin e parë dhe e formësoi mirë deri tek i fundit.  Në një rast të tillë e shpreh tani keqardhjen time për të dhe as më duhet t’i porosis lexuesit që të mos i marrin si të njëmendta shkrimet e tij. Lexuesi i mesëm shqiptar, po të lexojë në fillim letrën e Imzot Mirditës dhe pastaj tri përçartjet e Z. Kulla, del vetë në përfundimet e duhura.

Nëse e bën i shtyrë nga simpatitë partiake (sepse vijimësisht i mëshon konteksiti parazgjedhor në të cilin u zhvillua ngjarja), lum partia që e ka! Por, mjerë presidenca! Partia është e disave, ndërsa presidenca është e të gjithëve. Të paktën kështu duhet të jetë. Ai thotë se artikujt në fjalë i ka shkruar si intelektual (këtë cilësim ia jep ai vetë vetes) dhe jo si këshilltar i Presidentit, por fakti është se ai është bashkëpunëtor i Presidentit dhe për sa kohë e ushtron atë detyrë, vë në shërbim të Presidenti (keq)gjykimet e veta. Një anëtar i stafit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, simbolit të bashkimit të kombit, i veshur me petkun e vetëthurur të intelektualit, sulmon Arqipeshkvin e Tiranës në dy plane: në planin politik dhe në planin e marrëdhënieve ndërfetare, dhe e bën këtë në prizmin e përçarjes. Krejtësisht i verbuar nga interesat zgjedhore, ngutet për të mbrojtur një njeri të pasulmuar dhe këtë e bën duke sulmuar “priftin e gjeneralit të kauzës së vdekur”. Nëse shkrimet e tij nuk janë idiotësi personale, janë arrogancë shtetërore, sepse vetëm arroganca e një shtetari që nuk njeh institucionet e drejtësisë merr guximin të shpallë të vdekura kauzat dhe të cilësojë si shërbëtorë të njerëzve të kauzave të vdekura ata që nuk kanë frikë nga arroganca e shtetit.

Një arrogancë e tillë, nëse nuk është idiotësi, por edhe nëse buron nga idiotësia, nuk i bën dëm as Arqipeshkvit të Tiranës, as Kishës Katolike. Ajo i bën dëm institucionit të Presidencës së Republikës. I heq atij pandehjen e asnjëanësisë. E paraqet si strehë servilësh apo si teatër komik me dhomën e vet të maskave. Kjo gjë nuk është e frikshme, është e trishtueshme. Nuk është shqetësuese, është e mjerueshme. Jo për Kishën, por për shtetin.

Historia e Kishës Katolike në Shqipëri, e panjohur sa duhet, madje e keqnjohur për arsye që dihen, me të gjitha të metat e veta, edhe ato që përmend më shumë pa vend se me vend këshilltari i presidentit, është shembulli më i mirë i mosservilizmit ndaj (pu)shtetit në Shqipëri dhe një shembull i pamohueshëm i dashurisë për atdheun. Nëse sulmohet për këtë gjë, dëmin nuk e pëson ajo. Nëse sulmohet nga një njeri i shtetit, bashkëpunëtor i Presidentit të Republikës, njolla i mbetet Presidencës së Republikës. E nëse dikush thotë se kjo është nismë pesonale e ndimësit, jo e Presidentit, mua më mbetet pyetja: nëse Ndriçimi i presidentit është kaq i errët, si do të jetë errësira e tij?

 

*Autori është prift, shërben në Firence

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.