Zëvendësimi i pavarësisë

Postuar në 05 Korrik, 2013 04:17

Politikanë e diplomatë të ndryshëm të vendeve anëtare të BE-së vijnë shumë shpesh në Kosovë. 22 shtete të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për çdo javë kemi nga një apo më shumë vizita të zyrtarëve të lartë të këtyre shteteve. Janë bërë pesë vjet që shteti i tyre e ka njohur pavarësinë e Kosovës. E, megjithatë, sa herë që vijnë në Kosovë në këto tri vitet e fundit, pavarësisht postit që kanë ata zyrtarë, porsa zbresin në Aeroportin e Prishtinës bëhen ndërkombëtarë nga Brukseli.

Ministra të ndryshëm nisen nga vendi i tyre për në Kosovë me siglën e shtetit kombëtar që përfaqësojnë dhe me të arritur në Kosovë bëhen evropianë. Para se të arrijnë në Kosovë, së pari janë gjermanë, francezë, italianë etj., e më pas edhe evropianë. Mirëpo, mbërritja në Kosovë e ndryshon renditjen e identifikimit të tyre: në Prishtinë ata bëhen së pari evropianë e më pas (eventualisht) gjermanë, francezë, italianë etj.

Nuk ishte ndryshe as me Ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt. Përkundrazi, qysh në fillim të bisedës kur ai bëri prezentimin e pikëpamjeve të tij, dukej qartë se ai nuk e shihte Kosovën si Kosovë, nuk e shihte Kosovën në vetvete e për-vete. Kosova në sytë e Carl Bildt është Kosova e regjionit të Ballkanit perëndimor ende të painkuadruar në BE, ose, Kosova e dialogut politik Kosovë-Serbi, i cili po zhvillohet në Bruksel. Në fakt, më shumë të dyja këto të marra së bashku, por Kosovë si Kosovë nuk ka në vështrimin e Bildt. Kosova është Kosova në Ballkanin perëndimor dhe Kosova në dialogun me Serbinë. Kosova nuk është një shtet. Kosova është një vend jashtë BE-së e në Ballkan dhe një territor në negociata me Serbinë.

Madje, është ky cilësimi i dytë që po ia mund të parit. Njerëzit edhe mund të mos e dinë se ku bash në Ballkanin perëndimor i bie Kosova dhe cila është pozita e gjendja e saj aktuale, mirëpo ata e dinë që kjo është Kosova për të cilën po negociohet vazhdimisht me Serbinë.

Kjo pikëpamje imponon në axhendën shtetërore e institucionale të Kosovës temat e MSA-së dhe të liberalizimit të vizave gjithnjë në kuadër të kritereve shtesë për Kosovën që i shtyjnë realizimet për ardhmëri më të largëta dhe gjithnjë e më të largëta. Në anën tjetër, në ligjërimin publik dominon tema e imazhit të Kosovës që sugjeron që duhet të dukemi sa më mirë Tjetrit përkundër stagnimit ekonomik e mjerimit social të shoqërisë sonë, përkundër mungesës së sovranitetit e integritetit territorial të shtetit tonë.

Vështirë të gjendet ndonjë rast i ngjashëm ku një qëllim që s’do të përmbushet në 10 a 15 vitet e ardhshme si puna e anëtarësimit të Kosovës në BE fiton një këso prioriteti të përditshëm. Ka diçka thellësisht të gabueshme këtu, mbase një keqkuptim fundamental: teksa shtetet normale përmirësojnë sundimin e ligjit, cilësinë e jetës së qytetarit dhe demokracisë së institucioneve, në Kosovë kemi besimin që kur të arrijmë në BE do t’i kemi të gjitha këto. Në të vërtetë, kjo lajthitje na lë jo vetëm pa integrimin evropian por edhe pa vendin tonë, andaj liberalizimi i vizave përgjithësisht nuk shihet si mundësi për jetë më të mirë në Kosovë por mundësi për të ikur nga gjendja e pashpresë e Kosovës.

Marrëdhëniet Kosovë-Suedi, njësoj sikurse edhe marrëdhëniet me shtetet e tjera të BE-së, i kanë lënë vendin marrëdhënies së Kosovës me Brukselin e cila, për më tepër, na del e ndërmjetësuar me Serbinë dhe dialogun Thaçi-Daçiq. Kësisoj, jo vetëm që Kosova nuk trajtohet në mëvetësinë e saj si shtet, por edhe rruga e Kosovës në perspektivën e integrimeve evropiane nuk konsiderohet ndaras dhe pavarësisht Serbisë.

Nëpërmjet kësaj qasjeje ne nuk bëhemi (më) të pavarur ashtu siç jemi shpallur, por shtetndërtimi dhe zhvillimi i Kosovës zëvendësohen me procesin e integrimeve evropiane i cili konkretizohet shumë më tepër si premtim për të ardhmen sesa si përmbarim në të tashmen. Ndërkohë, është Serbia ajo që bën hapa të vërtetë të integrimit drejt BE-së.

Para tri vjetëve në Kosovë bëhej debat nëse Bashkimi Evropian mund të jetë zëvendësim për bashkimin kombëtar me ç’rast kishte argumente e arsyetime për dhe kundër. Qeveria e kryeministri i Kosovës kanë rënë shumë më poshtë se kaq – edhe vetë pavarësinë e Kosovës e kanë zëvendësuar me procesin e integrimeve evropiane. Nga parulla e padrejtë dhe e rrejshme që s’na duhet bashkimi kombëtar sepse bashkohemi në BE, po kalojmë në parullën njësoj të padrejtë dhe po aq të rrejshme: nuk na duhet pavarësia e zhvillimi sepse i realizojmë këto në BE.

Comments

Submitted by Lleshi (not verified) on

Albin shqiptaret dhe historia te degjojne dhe qe te dy te mbeshtesin , ani se zgjedhjet i bejme per interesat e vockela qe kemi , sepse jemi pa buke ! Dhe ky eshte qellimi qe nuk na lene te zhvillohemi ne Kosove , ky ishte qellimi i shkaterrimit te cdo trashegimi dhe gjeje ne Shqiperi dhe mos zhvillimi i saj , te na lene te varfer per te na blere sa me kollaj !

Ne Shqiper u votua , vetem per te larguar antishtetin Sali Berishovicin , por ende nuk jemi te sigurte (per te mos thene se nuk kemi shprese) nese kemi votuar per forimimin e shtetit .

Nuk po flas me teper ! Qofte Zoti ne krah tone ! Zoti i vertete edhe ai i shqiptareve !

Submitted by Daku (not verified) on

Vazhdoni Albin se e keni mire, kush shan LVV e ka nje problem me te, por problemi le te ngelet te ata vete. Mos hapni rruge. Derrit nuk i thuhet daje!

As Rikeri, as Bildt e askush nderkombetar tjeter nuk e do Kosoven me shume se shqiptaret.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.