Tragjikomedia e së majtës italiane

Postuar në 27 Prill, 2013 18:00

“Rizgjedhja ime si President Republike do ishte një diçka pa horizont, […] gjithçka që kisha për të dhënë e dhashë […] tani duhet kurajo për të kërkuar rrugë të reja dhe një kthim mbrapa do të ishte në kufi të qesharakes”. Këto janë fjalët e Giorgio Napolitanos, pothuajse 88 vjeçar, duke komentuar, vetëm pak javë më parë, hipotezën e një mandati të dytë si President i Republikës. Por qesharakja u realizua dhe “mbreti Giorgio” u rizgjodh të shtunën e kaluar në krye të shtetit italian edhe për shtatë vitet e ardhshme, pra i ulur në atë kolltuk deri sa të arrijë (dhe shpresojmë që kjo të ndodhi) të 95-tat. Si është e mundur që plaku i urtë i politikës italiane të ketë shkelur mbi idetë e veta kaq hapur?

 

E vërteta është se Giorgio Napolitano u detyrua të qëndronte atje ku ishte sepse Partia Demokratike (aktorja kryesore e së majtës italiane) u gjend në prag të shpërbërjes. Por le ti shqyrtojmë me radhë etapat e një tragjikomedie që dëshmoi qartazi dobësinë dhe mungesën e lidershipit të PD-së.

 

Emri i parë që u dogj nga zjarri i anarkisë majtiste ishte ai i Franco Marinit, kuadër  historik i Partisë Demokratike, ish kryetar i Senatit dhe ish sindakalist. Mbi këtë figurë politike u ndez drita jeshile edhe nga partia e djathtë  e Berlusconit pas një nate (ajo e së mërkurës të 17 prillit) të mbushur me bisedime të gjata dypalëshe. Duke patur parasysh se kushtetuta kërkon mazhorancën e 3/5-tave për tre votimet e para dhe se një President me një bazë sa më të gjerë aprovimi do i përgjigjej më mire frymës së ligjit themeltar të Shtetit, një konsensus bipartizan mbi Marinin u duk si një hap pozitiv për klasën politike italiane. Paraditen e së enjtes Pierluigi Bersani (kryetari i PD-së), me një lëvizje tejet demokratike, vendosi të hidhte në votim kandidaturën konsensuale në gjirin e deputetëve të vet. Rezultati ishte i qartë: 90 kundër, 24 abstenim dhe 300 pro. Si në çdo grupim shoqëror, vullneti i shumicës pritej të mbizotëronte, sidomos në një parti që veten e emërton “demokratike”. Por nuk ndodhi kështu dhe Marinit, në momentin e votimit të fshehtë në Parlament, i munguan më shumë se 200 vota. Hamendësohet që të ishin pothuajse të gjitha të majta.

 

Në një atmosferë të nderë, ku dyshimi dhe ndjesia e tradhëtisë mbizotëronin, e vetmja kartë për të mbajtur sëbashku copëzat e partisë, ishte të zgjidhej Romano Prodi. Ish kryeministri i vendit, ish Presidenti i Komisionit Europian dhe vetë themeluesi i partisë u propozua të premten paradite në asemblenë e PD-së. Nuk pati nevojë as për votë sepse të gjithë u ngritën në këmbë për të duartrokitur dhe tanimë zgjedhja e tij si president (koalicioni i majtë mund të siguronte 490 vota mbi 504 të nevojshme) dukej fakt i kryer. Por ja që disa orë më pas atij “standing ovation” hipokrit, Prodit i kthyen shpatullat 101 deputetë që disa orë më parë kishin skuqur duart nga entuziazmi. Në një lojë meskine, kundërshtarët e Bersanit vendosën të përdornin fshehtësinë e kutisë së votimit të Presidentit të Republikës për ta shkelmuar. Një sekretar partie dyfish i legjitimuar nga baza (nëpërmjet Kongresit dhe më pas nga zgjedhjet primare), dha dorëheqjen pa e ditur qartësisht se “nga i erdhi plumbi”. “Brenda PD-së përdoren raketa me kokë të dyfishta: godasin Prodin për të më rrëzuar mua” – ironizonte Bersani duke u shprehur akoma më ashpër se “partia tashmë është feudalizuar dhe vuan nga anarkia”.

 

E majta italiane ka refuzuar gjithnjë ideologjinë e liderit absolut. Dhe kjo është një meritë. Njeriu i vetëm në timon është trajtuar, me të drejtë, si një rrezik për një demokraci relativisht të re si ajo italiane. Nëse Berluskoni është në krye të një partie private, gjatë dy dekadave të fundit në gjirin e së majtës janë alternuar shumë lidera politikë, herë humbës dhe herë fitues. Por kufiri i diskutimit dhe rrymave të kundërta qëndron pikërisht tek mazhoranca. Linja politike që vendoset me votë brenda një partie, duhet të jetë ligj për anëtarët e saj. Më parë ka hapësira për të diskutuar, për të bindur të tjerët për vlefshmërinë e tezave të veta, për të akuzuar, madje edhe për tu kacafytur. Por pasi vendimi është marrë demokratikisht, pra me shumicë, nuk të ngelet veçse ta respektosh dhe të luftosh për beteja të tjera brenda famlijës tënde politike. Apo të ndryshosh familje. Nuk kërkohet besnikëri, sepse ajo iu kërkohet qenve, por të paktën koherencë.

Humbja e Prodit në zgjedhjet presidenciale mund të vlerësohet si humbja e gjithë PD-së e cila tashmë është pa themelues, pa kryetar dhe, mbi të gjitha, pa dinjitet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.