TË ÇRRËNJOSIM PËRDHUNIMIN SI ARMË LUFTE

Postuar në 11 Prill, 2013 03:36

Shumë shpesh, bota kërkon t’i japë fund një konflikti dhe rindërtojë shoqëritë e shkatërruara nga lufta, pa adresuar shkaqet e vërteta që e bëjnë pajtimin aq të vështirë dhe që kontribuojnë që dhuna të rishfaqet.

Përdhunimi dhe dhuna seksuale gjatë luftës është një nga ato arsye.

Dy javë më parë, unë vizitova Republikën Demokratike të Kongos dhe aty me treguan një fotografi të një vajze pesëvjeçare, e cila ishte përdhunuar. Ndërsa kalova nëpër kampe refugjatësh, në spitale, dhe në takime me njerëz që luftojnë për drejtësi, kam dëgjuar tregime gjithnjë e më të tmerrshme për jetë të shkatërruara, femra të izoluara nga familjet, familje të thyera dhe viktima që morën sëmundje kërcënuese për jetën, pasi u sulmuan duke mbledhur dru zjarri. Dhe e gjithë kjo ndodh ndërsa autorët e krimeve vazhdojnë jetën e tyre “normale” nën një mbulesë të turpshme mosndëshkimi.

Në shumë prej konflikteve më të mëdha të njëzet viteve të fundit, nga Bosnja në Ruandë dhe nga Libia në Sierra Leone, përdhunimi ka qenë përdorur si një armë e qëllimshme për të thyer kundërshtarë politikë apo grupe të tëra etnike apo fetare. Plagët e shkaktuara nuk shërohen lehtë dhe kurrë nuk zhduken. Në vend të kësaj ato shpesh shkatërrojnë familjet dhe gërryejnë komunitete.

Mjerisht e njëjta histori po përsëritet në Siri sot, nga ku vijnë raportime të tmerrshme për civilë të përdhunuar dhe torturuar, dhe dhunime që po kryhen me qëllim të paramenduar për të terrorizuar kundërshtarët politikë.

Në përgjigje të kësaj sfide është përgjegjësia jonë si udhëheqës politikë të shteteve demokratike që besojnë në dinjitetin njerëzor. Ne duhet të përpiqemi dhe të ndalojmë këtë krim të pështirë që ka prekur kaq shumë dhe të punojmë për të çrrënjosur përdorimin e përdhunimit si armë lufte.

Kjo nuk është një detyrë e lehtë dhe ka shumë pengesa.

Së pari, është frika dhe turpi i vetë viktimave. Kuptohet, shpesh ato ngurrojnë të tregojnë për shkak të stigmës ndaj tyre. Ky ngurrim thellohet akoma me shumë nga mungesa e mbështetjes së ndjeshme fizike dhe psikologjike për viktimat.

Së dyti, është vështirësia e mbledhjes së provave që mund të përdoren në gjyq, që do të thotë se vetëm pak ndjekje penale të suksesshme janë realizuar. Që nga viti 1996 deri në 500.000 gra janë përdhunuar vetëm në Republikën Demokratike të Kongos dhe vetëm një pjesë e vogël e këtyre rasteve përfundojnë në gjykatë. Kjo vetëm sa përforcon kulturën e mosndëshkimit.

Së treti, përdhunimi tenton të trajtohet si një çështje dytësore nga komuniteti ndërkombëtar kur ai u përgjigjet konflikteve. Si rezultat, të mbijetuarit janë lënë pas dore, financimi është i pamjaftueshëm ose thjesht i pa ofruar, ndërsa autorët e krimit bredhin të lirë.

Së fundi, nuk ka mbështetje të mjaftueshme për agjencitë e OKB-së, për organizatat vendase dhe mbrojtës të drejtave të njeriut, të cilët janë duke ndihmuar të mbijetuarit në terren. Si rezultat ata janë pa fonde dhe ndeshin vështirësi reale për t’u përgjigjur me efektivitet.

Të gjitha këto janë pengesa, të cilat mund dhe duhet të kapërcehen.

Këtë javë unë do të kërkoj nga kolegët ministrat e Jashtëm të G8 të aprovojnë një deklaratë historike politike që përcakton vendosmërinë tonë të përbashkët për të punuar për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikt të armatosur, për të trajtuar mungesën e përgjegjësisë që ekziston për këto krime brutale dhe për të siguruar mbështetjen e gjithanshme për viktimat.

Unë jam duke kërkuar një grup të gjerë angazhimesh praktike që përfshijnë edhe pranimin se përdhunimi dhe dhuna e rëndë seksuale janë shkelje të rënda të Konventave të Gjenevës; financim më të madh dhe mbështetje afatgjatë për të mbijetuarit, dhe mbështetje për një protokoll të ri ndërkombëtar që do të përcaktojë standardet e miratuara për hetimin dhe dokumentimin e dhunës seksuale.

Këto masa janë të dizajnuara për të përmirësuar mbledhjen e dëshmive dhe të çojnë në më shumë ndjekje penale, ata do të fuqizojnë të mbijetuarit për të treguar, dhe do të sigurojnë që viktimat të marrin mbështetjen afatgjatë që ata kanë nevojë për të rindërtuar jetët e tyre me dinjitet. Unë jam duke shpresuar për një marrëveshje ambicioze në Londër të enjten.

Por ky është vetëm një fillim. Ne do të përdorim mbështetjen nga G8 si një themel për të ndërtuar një koalicion të fortë ndërkombëtar në OKB dhe më gjerësisht, kundër përdhunimit dhe dhunës seksuale në luftë dhe në konflikt.

G8 përfaqëson disa prej ekonomive më të mëdha të botës, me kontakte shumë të gjera ndërkombëtare dhe me influencë të kombinuar. Kur anëtarët e saj mblidhen në përpjekje të përbashkët, ata janë të aftë për të sjellë ndryshime reale dhe të qëndrueshme në botë.

Këtë javë, ai ndryshim i qëndrueshëm do te jetë nisja e një procesi që ka për qëllim dhënien fund të një prej aspekteve më shkatërruese të luftës moderne, si edhe adresimi i një prej arsyeve kryesore pse është aq e vështirë për komunitetet të mblidhen përsëri së bashku pas konfliktit. Është detyra jonë si liderët politikë të vendeve të lira dhe qenieve njerëzore për të thyer mosndëshkimin e atyre që përdorin dhunimin si armë lufte dhe për të siguruar se viktimat e saj kurrë më nuk do të braktisen.

* Sekretar i Shtetit për Punët e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar / SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.