Summum jus summa injuria

Postuar në 11 Maj, 2013 05:13

Më ra ndërmend kjo shprehje e famshme latine e Ciceronit në De officiis, që më parë ishte thënë nga Terenci në një formë, tjetër, summum jus saepe summa est malitia (drejtësia në aplikimin e saj më maksimal shpesh është e barasvlefshme me ligësinë më të madhe,) ndërsa ndiqja rastësisht lajmet që po jepnin fjalët e Nazimes përpara trupit gjykues. Për mua vazhdoi reflektimi edhe pas lajmeve dhe shprehja e famshme, me gjithë vjetërsinë e shekujve, ka mbetur e pakundërshtueshme. Sa procese në këto vite janë ende të pambyllura, sa i pafuqishëm është shteti ynë i së drejtës për të dënuar vrasës pluri, trafikantë, të korruptuar etj., ndërsa në kohë rekord dënon një vajzë 18 vjeçe, e cila ka qenë e dhunuar qysh në moshë të njomë. Retorika nganjëherë është e kotë e nuk zen vend, sepse në këto vite kemi akuzuar drejtësinë e vazhdojmë ta akuzojmë për mungesën e koshiencës sikurse tha avokat Ngjela para disa ditësh. Megjithatë, në raste si këto drejtësia akuzon vetveten dhe e nxjerr atë lakuriq në mes të rrugës, ku çdo kalimtar e pështyn. Ndërsa Nazimja lexonte fjalët, që sigurisht ia kishte përgatitur avokatja e saj, që si një nënë ma merr mendja ka dashur ta fitojë atë kauzë, më dhimbte mjerimi i asaj vajze. Ajo as të lexonte nuk dinte në atë moshë. Vetëm ky fakt do të ndihmonte jurinë për ta marrë në vlerësim kërkesën e mëshirës për Nazimen. Ajo ka vrarë një njeri, e sigurisht të vrasësh një njeri, pra të marrësh një jetë është një gjë e keqe, shumë e keqe. Por edhe sikur mos të ishte kthyer në shtëpi, mund të kishte mënyra alternative të tjera për ta bërë Nazimen të vuante dënimin, ndoshta duke e ndihmuar atë të rikuperohej, duke e çuar në një komunitet ad hoc etj. Megjithatë, ndoshta gjykatësit më shumë se sa partizanë të shprehjes së mësipërme janë të asaj tjetrës, që thotë se contra factum non valet argumentum (përkundrejt faktit nuk vlen argumenti) dhe fakti, ky i mjerueshëm fakt, dënoi Nazimen, një fakt material që në këtë rast u bë i pakapërcyeshëm, por që në shumë raste të tjera zhduket apo bëhet pothuajse inekzistent sidomos kur hyn në lojë paraja, politika, tarafi, pushteti etj.

Rasti i Nazimes për shumëkënd mund të merret si funksionimi maksimal i drejtësisë e cila nuk përulet përballë lotëve, por vazhdon rrugën e saj, edhe pse në të vërtetë nuk duket që është ashtu, pasi kjo drejtësi ka mungesa koherence të thella. Nazimja do të vuajë dënimin, ndoshta ndonjë ulje mund t’i bëhet edhe më vonë, por adoleshencën e saj të përdhunuar nuk mund t’ia kthejë njeri më. Bën çudi që organizatat e OJQ për mbrojtjen e të drejtave të grave nuk bënë një herë një apel për këtë vajzë, edhe pse e di që motrat e Nënë Terezës shkojnë e rrinë shpesh me gratë e burgosura e nuk marrin asnjë financim, sepse dashuria që ato tregojnë tejkalon sentencat e thata gjyqësore e projektet e OJQ-ve feministe.

Rastësisht këtë lajm po e ndiqja ndërsa po blija diçka për darkë në pazarin e Kamzës. Aty ishin dy burra, e njëri prej tyre po komentonte duke thënë: “pasi bëri qejfin e vet kjo, tani kërkon mëshirë”. E ky ishte dënimi i dytë për Nazimen. Ai dënim i njerëzve që nuk shikojnë përtej botës së mbyllur të arsyetimit të vet. Në fakt iu ktheva me fjalë pak të ashpra atij njeriu duke i kujtuar se edhe ai mund të kishte një fëmijë në moshën e Nazimes. Aty për aty ai heshti. Por unë u ndjeva i pafuqishëm përballë kësaj mendësie vrastare e asaj drejtësie maksimale të gjykatave tona. Njëherë kisha shkruar një letër imagjinare për presidentin e vendit tim para se ai të zgjidhej e në një paragraf i kisha kujtuar një shprehje të Servantesit, që dua ta sjell edhe në këtë artikull. Një nga këshillat që Don Kishoti i jep Sanço Panços kur bëhet guvernator i një ishulli ishte kjo: “Në rast se shkopi i drejtësisë do të shtrembërohet ndonjëherë në dorë, le të mos ndodhë kjo nga barra e peshqesheve, po nga ajo e keqardhjes”. E kështu, nëse gjykatësit apo Presidenti duan t’i japin një shans kësaj vajze, kanë mundësi ta bëjnë atë sërish.

Marrë nga Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.