Shqipëria pas Asphaltier künsten

Postuar në 11 Korrik, 2013 13:11

Këtë shkrim megjithatë po e nis nga fundi: Aty ku përfundoi procesi zgjedhor, me të cilin përfundoi një epokë dhe filloi një tjetër, në pikën e ndarjes në të cilën që të dy oligarkët shqiptarë (Edi Rama dhe Sali Berisha) impresionuan publikun me fjalime prej burrështetasish. Rama falënderoi  Berishën për veprat e mira dhe i kërkoi të falur për fjalorin shpesh tepër agresiv ndaj tij – mirëpo as Berisha nuk do t’ia kishte lënë më lehtë - e ky i fundit e pranoi humbjen e zgjedhjeve, ndonëse me tri ditë vonesë e përtesë, por sidoqoftë me dinjitet prej shtetari, duke u tërhequr nga pushteti politik në Partinë e tij Demokratike.

Të qeverisësh me opozitën, ky duhet të jetë çelësi i suksesit të një demokracie të re, të mos i trajtosh të humburit në zgjedhje si të humbur në luftë, si klasë e degraduar shoqërore, kjo duhet të jetë dalja nga rrethi vicioz i dhunës politike!

Të mos ndërhysh në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e pavarura të shtetit, duke abuzuar me mbifuqinë e pushtetit politik, të mos prekësh të paprekshmet, siç janë liria e shprehjes, liritë themelore politike e të njeriut...

Në fjalimin e tij prej fituesi, Rama e premtoi këtë!

Në anën tjetër, urimi për kundërshtarin fitues duke i uruar që ta shpjerë në cak rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, shmangia e gjuhës së urrejtjes dhe mbajtja e një qëndrimi prej burrë shteti në fund, ishte dita më e mirë e Berishës në tërë epokën e transicionit, në udhën e tij 23-vjeçare të njeriut të pushtetshëm në Shqipëri. Por në Shqipërinë e varfër e të pamodernizuar, votohen oligarkitë e konsoliduara, pra dy organizatat e mëdha të milionerëve postkomunistë, që kanë vjedhur e zhvatur popullin sipas rendit dhe që kanë bashkëpunuar e vazhdojnë të bashkëpunojnë me krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme (blloku blu apo rozë) duke abuzuar me paranë publike dhe duke u mundësuar oligarkëve pasurim nga zyrat publike. Pra, në këtë transicion të rëndë e plot përplasje (të kujtojmë këtu vetëm luftën civile të vitit 1997) trupi politik shqiptar ka  manifestuar sindrome të rrezikshme të sëmundjes së zvetënimit e shterimit, duke mos mundur tutje të prodhojë as ide të reja dhe as organizata politike të spektrit qytetar, e aq më pak të konsolidojnë institucione të fuqishme e të pavarura demokratike shtetërore – modernizuese e perëndimorizuese! Këso Shqipërie, mjerisht s'e merr kush seriozisht në raportet ë përbotshme!?

Duke qenë se gjithmonë në raportet ndërkombëtare mbetet në krye të vendeve më të korruptuara, më të varfra, ku shkelet liria e medies, madje në një nga raportet e fundit, del se Shqipëria është ndër vendet më raciste në Europë!?

Nuk diti t’u shmangej përplasjeve kulturore e politike, që e ravijëzojnë ndarjen jug-veri, ish komunistë-demokratë, të majtë - të djathtë, duke i trajtuar mbështetësit e së majtës shqiptare si të mundur në betejën antikomuniste.

Berisha nuk e menaxhoi mirë rindarjen e pronave, ish të përndjekurit politikë të regjimit stalinist, por as ish-eksponentët e Partisë së Punës, të cilët mezi e mbijetuan të gjallë shtrëngimin e pushtetarëve të rinj. Ai madje burgosi fillimisht tërë nomenklaturën komuniste (Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën me shokë) por ai e martirizoi edhe liderin e Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili, me maniret e tij ia lëkundi balancat e pushtetit dhe thuajse e dërmoi më 1997.

Berisha, me ta konsoliduar sadopak demokracinë, i fali këta eksponentë duke u dhënë qetësinë dhe dinjitetin e mohuar, mirëpo kjo falje ishte më tepër kompromis sesa drejtësi.

Të pretendosh të jesh i djathtë si Berisha e ta denigrosh Ibrahim Rugovën i cili shumë shpejt do ta linte Rinasin dhe do të udhëtonte jashtë nga aeroporti i Shkupit; ta dërgosh në Prishtinë për ambasador Islam Laukën, njeriun e bërë prej fjalamanisë nacional-romantike e recidiviste socialiste, që po i torturon faktet historike dhe po i shtyp ato, që shan e pështyn secilin kosovar që mendon ndryshe nga ai, që ndonëse pa kompetencë në dije shan historianët që shkruajnë libra për kauzën e Kosovës, si Oliver jens Schmitt, anëtar i Akademisë Austriake të Shkencave; Të jesh i djathtë dhe të shpallësh qytetarë nderi të qyteteve shqiptare gangsterë, zhvatës të popullit të Kosovës, e të dyshuar për krime lufte, vërtet nuk e rrokë rradakja!?

Edi Rama duhet t’i rimendojë këto pozicione që ngrenë plot hendeqe, ai nuk guxon të bjerë në to...

Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 shënuan fundin e një oligarku, Berishës demokrat dhe fillimin e një tjetri, Ramës socialist, porse ky i fundit e ka edhe një shans të fundit, ta ndryshojë veten duke e ndryshuar Shqipërinë!

Sali Berisha, sidoqoftë i ka shërbyer shtetit shqiptar me tërë potencialin e vet qytetar, politik e kombëtar, ndonëse me një fillim energjik dhe prej njeriu modest, që jetonte në një apartament rreth 100 metrash katrorë, të dhënë nga shteti si mjek kardiolog, porse sidomos në qeverisjen e fundit ai u lëshua me lehtësi të padurueshme në lakmitë njerëzore, duke u mundësuar klaneve të tij familjare e klienteliste jo vetëm poste të larta publike por edhe pasurim marramendës e të shpejtë.

Me të marrë një faks nga një biznesmen shqiptaro-amerikan, Berisha ngre në Gërdec “Fabrikën e vdekjes” ku mbajti në kushte mizerable krahë pune, gra e fëmijë së bashku me shumë burra në riciklimin e municioneve për përfitime të kompanive të afërta me pushtetin e tij derisa i ndodhi Gërdeci, një tragjedi kjo thërrmuese për një demokraci të brishtë.

28 të pandehurit e tragjedisë së 15 marsit 2008, kur vdiqën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, u liruan nga akuzat më të rënda për vrasje, me motivacionin se nuk kishin për qëllim vrasjen me paramendim!?

Megjithëse Prokuroria kishte kërkuar tri burgime të përjetshme dhe miliona lekë dëmshpërblim, dënimet u zbritën në mënyrë drastike.

Familjarët nuk morën dëmshpërblimet e dinjitetshme për humbjen e të afërmve.

Po, gabimin më të madh në qeverisjen e fundit Berisha e bëri në ditën kur masa e rebeluar mësyu rezidencën e tij. Ai urdhëroi Gardën kombëtare të shtinte mbi ta.

Ai nuk menaxhoi mirë revoltën e 21 janarit 2010 kur nga paniku urdhëroi vrasjen e katër protestuesve të dirigjuar nga Rama.

Ish-amabasadori amerikan në Tiranë, John Withers, një vit pasi që e la Tiranën, komentoi: “Katër veta vdiqën, u derdh gjak në rrugët e Tiranës, gjak i çmuar shqiptarësh. (…) Dhe në vend se t’i mbështeste hetuesit e prokurorët, Qeveria i sulmoi ata dhe në këtë rast kryeministri përdori një gjuhë të tmerrshme kundër Prokurores së Përgjithshme, një gjuhë, e cila që të flasim hapur ishte e padenjë. Ishte turpëruese për vendin. Një kryeministër nuk duhet të bëjë gjëra të tilla”.

Ky ishte Berisha inatçi që urdhëroi heqjen e Ina Ramës nga detyra.

Edhe ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, foli për këtë. Ai po fliste për veprimet e Qeverisë siriane ndaj popullit të vet dhe kur u pyet për ndryshimin mes sirianëve dhe shqiptarëve, për sa i takon incidentit të hapjes së zjarrit, ai tha se nuk ka asnjë ndryshim. Një jetë shqiptare është po aq e vlefshme sa edhe një jetë siriane, apo çdo jetë tjetër.

Si ndodhi që presidenti i Francës të shfaqej më i dhembshur dhe më i shqetësuar për gjakun e shqiptarëve se sa establishmenti i Berishës?

Kështu kardiologu komunist që u konvertua në antikomunist ishte oligark dhe nuk qeverisi, por sundoi mirë e keq.

Ai ka ndërtuar qindra kilometra rrugë të asfaltuara, me standarde të larta, siç është edhe “Rruga e kombit”, siç po cilësohet sipas traditës nacionaliste shqiptare, ka ndërtuar qindra shkolla të reja, ambulanca e spitale si dhe ka rritur rrogat e pensionet shumëfish që nga 2006-a.

Ai ka inkurajuar investimet e huaja dhe bizneset në vend, duke hequr çdo lloj takse dhe duke dhënë astete kombëtare me koncesion, sipas sistemit “gjithçka një euro”.

Berisha është dashur të largohej si burrat e dheut – duke ua lënë trashëgimi PD-në, të rinjve, siç janë Selami, Olldashi, Basha, etj.!

Që vetë të mbetej në historinë e shtetit shqiptar si qytetar i devotshëm dhe patriot konstitucional.

Burrë shteti i vërtetë.

Mirëpo, Berisha nuk shkon kokulur nga froni i Tiranës. Shqiptarët ia dinë për nder veprat e tij të mëdha!

Tashti suksesi ose dështimi i pasardhësit të tij në krye të vendit të shqiponjave, Rama, do të varet para së gjithash nga sjellja e tij ndaj gjysmës së kombit, se si do t'i trajtojë humbësit e zgjedhjeve. A do t'i trajtojë qytetarë të barabartë e të mbrojtur nga ligji, qytetarë që duhet qeverisur edhe me ta (të qeverisësh me opozitën!) apo si të mundur!?

Rama është njeri mendjemprehtë, por agresiv dhe i paskrupullt.

Ndërsa ai që i shërbeu Shqipërisë për një balancë të re mes së majtës dhe së djathtës, Ilir Meta, është cinik. Ai u shërben oligarkëve si monedhë për kusuritje, por më së tepërmi barkut të tij prej oligarku.

Nëse Rama hyn në udhën qorre të provokimit të humbësve në zgjedhje, nëse ai nxjerr nga puna eksponentë të Berishës dhe militantë të PD-së, nëse u rikthehet sharjeve dhe pështymave, ai do të dëshmojë se është i njëjtë me paraardhësin Berisha, pinjoll i PPSH-së në kushtet e pluralizmit!

Dhe si i tillë do t'ia hajë Shqipërisë kot një mandat elektoral.

Për ta rikthyer në vitin zero!?

- vijon-

"Koha Ditore"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.