Shokët e Çimit dhe shokët e Lulit

Postuar në 05 Shkurt, 2012 04:47

Lul Basha me siguri po e vonon vetë kthimin në Shqipëri. Tashmë i janë shtuar sikletet. Deri dje kishte intervistën te Zëri i Amerikës, kur, mesa duket i kthjelluar nga erërat e ftohta që atje fryjnë së fundmi me origjinë nga Lindja, ai shpërtheu duke i quajtur të pafajshëm “kokëpalarët” e vrarë më 21 Janar dhe duke kërkuar “nxjerrjen e përgjegjësve politikë, nga të gjitha palët”. Por sot Luli e ka pak të vështirë të vijë në Tiranë. Disa nga shokët e tij janë shkarkuar nga puna dhe sot kanë nevojë më shumë se kurrë për ndihmën dhe fjalën e tij. Por ai nuk i ndihmon dot.

Arsyet përse ish-ministri i Brendshëm nuk ndihmon dot krerët e shkarkuar të drejtorisë së Policisë së Tiranës, janë të shumta. Janë ato publike të parat: në kryeqytet vriten pothuajse çdo ditë njerëz dhe publiku po bindet se nuk është thjesht se krimi është sofistikuar, porse uniformat e policisë janë katandisur në një gjendje të dëshpëruar. Puna aty ishte katandisur në zero, aq sa nuk u arrit të zbulohej as kush i vuri tritol njërit prej krerëve të policisë së Tiranës (jo rastësisht, një prej të shkarkuarve të djeshëm). Për të, thonë se është djalë i mirë, por dreqi e mori, si të ketë besim publiku, kur policia nuk kap dot as kriminelët që i vënë asaj tritol? Ndërkohë që institucione shtetërore kërkojnë të censurojnë në mënyrë absurde reklamën e “shokëve të Çimit”, për nxitje dhune, ata nuk mund të justifikohen pas argumenteve të ngjashme, për rritjen e frikshme, skandaloze dhe të rrezikshme të kriminalitetit në kryeqytet (kur them këtu, mendo si është në Vlorë, në kryeqendrën e Tritolit, apo në zona të tjera, që mezi ishin qetësuar nga zallamahia e viteve ‘90).

Ndërkohë, dy të tjerë të shkarkuar nuk mund të futen dot te kategoria e çunave të mirë. Njëri, shoku i Lulit gjatë zgjedhjeve të qershorit 2009, ishte më shumë aktiv për nxjerrjen barazim të mandateve në Elbasan, sesa për barazinë e qytetarëve atje, para ligjit. Për këtë “meritë” dhe vetëm për këtë, ai u katapultua në Tiranë, pak muaj para zgjedhjeve të tetë majit, në vend të një tjetër militanti, i cili gjithsesi nuk kishte pranuar të hiqte me dhunë çadrat e grevistëve të opozitës në prill 2010 nga Bulevardi. Ai erdhi në Tiranë me premtimin që ta bënte atë si Elbasanin e qershorit 2009 dhe duhet thënë se kësaj ia arriti me sukses. Vetëm koha do tregojë sesi mijëra votues elbasanas të djathtë, nuk mundën të votonin dot kundër Qazim Sejdinit, por u mobilizuan në javët para zgjedhjeve të tetë majit, për të blinduar votën e tyre për Bashën në Tiranë. Por edhe kjo mbeti “merita” e vetme politike e komisarit që erdhi nga Elbasani. Ai nuk arriti dot as të grumbullonte prova për puçistët, përveç deklaratës pompoze për gjetjen e një fraksioni imazhi të atij që u quajt nipi i Tom Doshit, me diçka në brez, që nuk u provua kurrë të ishte pistoletë. Për këtë deklaratë ai u vesh dhe me uniformën e tij më të shtrenjtë e të mirë. Uniformë që sot mund t’ua tregojë pa shumë bujë e entuziazëm studentëve të Akademisë së Policisë. Ai sot duhet të ndihet edhe fort i mërzitur dhe i braktisur nga shefi i tij i dikurshëm, bile i mashtruar, pasi nuk u tregua as në zgjuarsinë e një “vëllai armësh” të 21 Janarit e 8 Majit, që sot, megjithëse i shndërruar në personazh Portokallie, ka zënë një vend të rehatshëm, nën sqetullat e parfumosura të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Një tjetër i shkarkuar është edhe Gjergji. Ah Gjergji… Ai prej qershorit 2009 ishte shndërruar në “pinjatën” e protestuesve të majtë. (Pinjata është ajo kukulla e mbushur meksikane, që goditet derisa çahet nga njerëzit dhe i derdhen gjërat që ka brenda.)

Gjergji ishte kudo ku kishte protesta: më 25 qershor përleshej me Fatmir Xhafën dhe shoferin e Andis Harasanit, ndërsa nuk linte të ngrihej në Bulevard skena e mitingut të opozitës. Më 20 nëntor 2009 ishte po në bulevard, përballë njerëzve të inatosur të opozitës. Në prill 2010 ishte aty, ndërsa nën zë kërcënonte njerëzit e opozitës që të hiqnin çadrat e grevës. Më 21 janar vinte vërdallë i fryrë nga antiplumbi dhe me syze intelektuale, pak sekonda para se të niste përleshja e dhunshme e ka rrezik që “pa dashje” të ketë provokuar njerëzit, vetëm me praninë e tij permanente përballë popullit opozitar. Në kushte normale ky komisar duhet të quhej hero i uniformave blu, por sot maksimumi ai mund të quhet hero i Bulevardit. Por edhe kjo nuk e shpëtoi dot nga shkarkimi si numri dy i drejtorisë së Tiranës, qytet i shndërruar prej muajsh, në fakt, në diçka mes Tihuanës dhe Ciudad Jimenez, në qendër të përqendruar trafikantësh, kriminelësh, killerash të paguar, policësh të goditur nga krimi, ose agjentësh të korruptuar. Vrasja e dy vajzave, paradoksalisht të dyja mjeke, mesa duket e mbushi kupën dhe derdhi “pinjatën”. Për të gjithë ata që njohin strukturën e policisë, të emërohesh shef i forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, e të hiqesh nga zëvendësdrejtor policie i kryeqytetit, është si të të emërojnë shef të zjarrfikësve, pasi ke qenë më parë kolonel.

Lëvizjet e fundit në drejtorinë e policisë janë prova jo thjesht e dështimit të vendosjes së rendit në kryeqytet. Ato janë prova të dështimit të thellë të policisë, e cila, pavarësisht medaljeve të marra në kompensim, ka regjistruar hapa të rëndësishëm prapa, krahasuar me vitet 2005-2007, duke iu larguar gjithnjë e më shumë profilit apolitik, që me shumë zor e mbajti deri atëherë. Provë për këtë është gjithashtu se kronologjikisht këto janë ndryshimet e vetme që nuk janë bërë në kohë fushatash, çka tregon edhe njëherë sesa politikisht e njëanshme dhe e përfshirë ka qenë jo vetëm emërtesa e drejtuesve, por edhe zinxhiri i komandimit të policisë. Dhe kjo dikur do të plaste erë. Plasi sot. Kur dy gra u vranë në mes të Tiranës, kur vjedhja e bankave është bërë po aq frekuente sa vjedhja e portofolave në autobusë, e kur agjentët e thjeshtë kriminalë në vend të punojnë për të parandaluar krimin, merren prej një viti me hetime absurde, për të gjetur çadra me helm e stilolapsa pistoletë. Këto shkarkime janë, mesa duket, zgjimi i vonuar i ndërgjegjes profesionale – nëse ka mbetur diçka akoma – të krerëve të policisë, të cilët mesa duket nuk mund të lejojnë më që “shokët e Çimit” të fitojnë sfidën kundër “shokëve të Lulit”. Në këtë dritë duket se është ngritja në përgjegjësi e Shemsi Premçit, i cili ishte i vetmi që i rezistoi një urdhri politik gjatë fushatës së tetë majit. Vërtet ikja nga Tirana mund të jetë një hakmarrje e vonuar ndaj tij. Por detyra e re, është shumë më e nderuar se ajo që sot e tutje do ta mbajë “pinjata e opozitës”.

Ndoshta shkarkimi i “çunave të Lulit” është më banal se kaq. Ndoshta shkarkimi i tyre paradoksalisht mund të jetë edhe politik, si një farë paralajmërimi ndaj vetë Lulit, që po i jep shumë gojës “pa lejen e mamasë”. Por edhe sikur shkarkimi të jetë bërë krejtësisht për arsye profesionale, prapë kjo nuk mjafton.

Shkarkimi i disa të emëruarve të përkëdhelur nga politika në radhët e policisë nuk ka për të qenë dot mjaft, për të rikthyer besimin e humbur të qytetarëve te forcat e rendit. Por ky shkarkim mund të shërbejë si shembulli më i mirë, që të gjithë  ata të kuptojnë se politika nuk të mbron dot, pavarësisht favoreve që mund t’i kesh bërë asaj, nën petkun e uniformës blu. Ajo uniformë është për të “mbrojtur e shërbyer”. Por jo shefit të radhës në Bulevard. Këta të rinjtë e sapoemëruar, bëjnë mirë mos ta harrojnë. Le të zgjedhin të jenë vetëm “shokët e ligjit”.

Kështu të paktën, edhe nëse i heqin, shumë-shumë do t’i çojnë komisarë në Dibër. Ku e ku më mirë, se “profesor” i Akademisë dhe me bishtin ndër shalë.

Sokol Balla

 

Comments

Submitted by lina (not verified) on

<p>ja ke fut kot kolo.vetem ke percjelle fantazine tende te semure.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.