Sali Berisha, shkëlqimi dhe rënia e kardiologut që dominoi për 22 vjet

Postuar në 01 Korrik, 2013 05:01

Një “hero” për mbështetësit e Partisë Demokratike, një “antihero” për mbështetësit e socialistëve, një “burrë-shteti” sipas gjykimit të votuesve të PD-së dhe analistëve pranë kësaj force politike, një politikan destruktiv për të majtët, një autoritar për kritikët e tij brenda së djathtës. Por cili është cilësimi real për Sali Berishën, Kryeministrin në largim, i cili dha dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike në mbrëmjen e 26 qershorit? Cila është trashëgimia politike dhe institucionale e njeriut që dominoi skenën politike në Shqipërinë postkomuniste për 22 vjet, ku ka mbajtur dy nga postet më të larta të shtetit, përkatësisht President i Republikës dhe Kryeministër i vendit? Padyshim Sali Berisha, siç e ka deklaruar edhe vetë, pak ditë para zgjedhjeve të një jave më parë, ka qenë politikani më me fat, pasi dy herë ka marrë mbështetjen popullore për të ndryshuar Shqipërinë dhe mbi personin e tij ka qenë e përqendruar shpresa e shqiptarëve për prosperitet dhe mirëqenie. Në vitin 1992, kur ishte personi që mori mbështetjen për të çrrënjosur sistemin komunist dhe për të ndërtuar një shtet demokratik funksional dhe një ekonomi të lirë dhe shoqëri të drejtë për të gjithë dhe në vitin 2005, kur u votua për rotacionin politik për të çmontuar statukuonë e korrupsionit në vend.

Nisja

Kardiologu i famshëm në Shqipëri, në mesin e vitit 1990, kishte kohë që dukej në publik jo vetëm në emisionet e TVSH-së “Trupi dhe Shëndeti”, por edhe në faqet e gazetave kryesore në vend. Në dy shkrime të botuara në gazetën “Bashkimi” dhe “Drita”, Berisha “shënoi” emrin në radhët e intelektualëve që kërkonin ndryshimin e regjimit. Mori pjesë në takimin e Ramiz Alisë me intelektualët, por fillimi i madh i udhëtimit politik të mjekut të zemrës nisi ditët e para të dhjetorit, ku u afrua te protesta e studentëve, i përkrahu ata, u bashkua me grupin e intelektualëve themelues të PD-së dhe menjëherë u ngjit në kupolën e partisë së parë jo komuniste të ligjëruar pas 45 viteve regjim komunist. Ndonëse humbi zgjedhjet e para të 31 marsit të vitit 1991, Sali Berisha ia doli të rikthente situatën në favorin e tij, duke ngritur faktorët socialë kundër qeverisë së drejtuar nga Fatos Nano, rivali i tij politik i sapodalë. Partia Demokratike nuk pranoi që të miratonte nga ai Parlament, Kushtetutën e re të Republikës, që do të duhet të zëvendësonte ligjin themeltar të shtetit komunist. Kuvendi miratoi me konsensus një “paketë kushtetuese” me klauzolën se Kushtetuta e re do të miratohet më vonë. Polarizimi në vend arriti kulmin. Opinioni publik kërkonte ndryshim të shpejtë që nuk mund t’ia jepte partia që doli nga gërmadhat e PPSH-së. Socialistët pranuan krijimin e një qeverie koalicioni me PD-në deri në zgjedhjet e reja që do të mbaheshin një vit më pas. Qeveria e përbashkët, e drejtuar nga Ylli Bufi (PS) dhe Gramoz Pashko (PD), krijoi kushtet për një paqe sociale në vend. Në fund të vitit 1991, kreu i PD-së, Sali Berisha, vendosi të largonte partinë e tij nga qeveria e koalicionit, akt që rriti sërish polarizimin, por shqiptarët kërkonin ndryshim. Dhe ai erdhi më 22 mars të vitit 1992. Partia Demokratike, e drejtuar nga Sali Berisha mori 1 046 193 vota, ose 62% të mbështetjes popullore. Parlamenti i dominuar nga PD-ja me 92 deputetë zgjodhi Berishën President të Republikës. Në fjalimin e mbajtur pas betimit, kreu i ri i shtetit lëshoi sloganin e një paqeje sociale që përfshihej nga fraza “të gjithë jemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Berisha premtoi miratimin e një kushtetute të re që do të betononte themelet e brishta të shtetit shqiptar.

1992-1997

Qeverisja e PD-së, ku Presidenti Sali Berisha kishte një pushtet të fortë, megjithëse kishte mbështetjen e madhe popullore dhe atë ndërkombëtare, nuk arriti të pajtojë shoqërinë shqiptare, por e polarizoi më shumë atë. Largoi menjëherë rivalët e tij brenda PD-së, ndërkohë që rriti tensionin brenda vendit, pasi socialistët fituan shumicën e njësive vendore në zgjedhjet lokale të 26 korrikut 1992, pra vetëm 4 muaj pasi fitores. Shqiptarët dhanë me votë një shenjë që kërkonin balancim e jo polarizim. Presidenti Berisha ndërmori një fushatë sulmi ndaj opozitës, mediave jo pranë qeverisë dhe grupeve të shoqërisë civile, madje edhe aktivistët e të drejtave të njeriut. Më 30 korrik 1993, burgosi liderin e opozitës, Fatos Nano, akt që e acaroi tepër gjendjen, duke krijuar një hendek politik dhe institucional. Pas dy viteve që erdhi në pushtet, Berisha përkrahu një draft-kushtetute që i jepte pushtet të madh kreut të shtetit dhe vinte në dyshim Republikën Parlamentare. Ndërkohë nuk e kishte kontrollin e 2/3-ave të Kuvendit, pasi u largua aleati kryesor në qeverisje, PSD-ja e Gjinushit, si dhe kundërshtarët brenda PD-së. Presidenti nuk preferon konsensusin, shmang Parlamentin dhe e dërgon projektkushtetutën në referendum popullor. Drejton vetë fushatën duke zhvilluar mitingje në të gjithë vendin, të cilat ishin masive. Por më 6 nëntor të vitit 1994, shqiptarët e kundërshtuan draft-kushtetutën e Berishës. Presidenti nuk e ndryshon tekstin e projektit, por lë në fuqi “paketën” e cunguar. Nis spastrimi i radhës në PD, ku “kurban” bëhet kryetari formal i saj, Eduard Selami, i cili kërkoi reflektim politik pas humbjes dhe largohet zv.kryeministri Dashamir Shehi. Afrohen zgjedhjet e vitit 1996. Berisha ndryshon rregullat zgjedhore me anë të një ligji “antigjenocid”, i cili ndalon shumë përfaqësues të opozitës të garojnë në zgjedhje. Fushata zhvillohet në një gjendje të lartë tensioni, opozita akuzon për dhunë policore dhe braktis zgjedhjet pak orë pasi u hapën vendvotimet. PD-ja mori 105 deputetë. Ndërkombëtarët i cilësojnë zgjedhjet si jo “të lira e të ndershme”. Berisha nuk pranon sugjerimet e SHBA-së dhe OSBE-së për të rivotuar në të paktën 40 zona zgjedhore. Dy ditë pas zgjedhjeve, policia dhunon krerët e opozitës në sheshin “Skënderbej”. Pak më pas shpërthen skandali i piramidave, ku shqiptarët u gjetën të braktisur nga shteti që nuk ndaloi kompanitë që thithën miliona USD nga kursimet e shqiptarëve. Nisin protestat në disa qytete të Jugut, por kryesisht në Vlorë, ku ishin përqendruar firmat piramidale. Njerëzit kërkuan në fillim kthimin e parave e më pas largimin e qeverisë. Berisha nuk u tërhoq, por dërgon policinë. Vrasja e një qytetari në Vlorë rriti tensionin dhe protestuesit bastisën stacionet e policisë, selitë e shërbimit sekret në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë. Në këto qytete nisi një rebelim i armatosur që përfaqësohej nga komitetet e shpëtimit. Berisha nuk negocion, por shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Dërgon ushtrinë dhe rrethon 5 qytetet e Jugut. Në këto ditë, Sali Berisha zgjidhet President për një mandat të dytë. Dështon të shtypë kryengritjen, ndërkohë që trupat shkaktojnë edhe viktima, si në Përmet. Por ndërkohë që qytetet “kryengritëse” ishin të rrethuara, shteti bie brenda natës papandehur në të gjithë pjesën tjetër të vendit. Braktisen komisariatet, repartet ushtarake, e gjithë Ministria e Brendshme, armatosen militantët e PD-së, hapen burgjet dhe njerëzit sulmojnë depot e armëve në të gjithë vendin. Shqipëria hyn në kaos. Berisha pranon krijimin e një qeverie koalicioni të drejtuar nga kryeministri socialist Bashkim Fino dhe shpall mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 29 qershor 1997. Fushata zhvillohet në një vend pa shtet dhe bandat e armatosura në çdo qytet kontrollojnë situatën dhe tentojnë të bëjnë pakt me politikën. Zgjedhjet fitohen nga socialistët. PD-ja arrin të marrë 25.7 për qind të votave. Berisha jep dorëheqjen nga kreu i shtetit dhe rikthehet në drejtimin e PD-së.

Opozita

Sali Berisha nuk i njeh zgjedhjet që i cilëson të mbajtura “nën terror”. Nuk merr pjesë në votimin për Presidentin dhe qeverinë e re. Rikthehet në Kuvend dhe nis një stinë protestash në vendin që ende nuk kontrollohet nga shteti në të gjithë territorin e tij. Por kulmi i tensionit në vend arriti pas vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari, lideri i lëvizjes së Dhjetorit më 12 shtator 1998, pranë selisë së PD-së. Berisha akuzon Fatos Nanon si urdhërues të vrasjes. Militantët e PD-së protestojnë para Kryeministrisë, ndërkohë që mes turmës shfaqen edhe njerëz të armatosur. Sulmohet me armë Kryeministria, “pushtohet” selia e qeverisë dhe Radio Televizioni Publik Shqiptar. Përfaqësues të opozitës shpallin se kanë marrë në dorë drejtimin e vendit. SHBA shpall të paligjshme çdo qeveri të ardhur me dhunë. Berisha thërret njerëzit të largohen nga institucionet e “pushtuara”.

Në 1998 bojkoton procesin e hartimit të Kushtetutës së Republikës dhe miratimin e saj në Kuvend, si dhe bën thirrje për bojkot në referendumin e 6 nëntorit 1998 për ratifikimin e Kushtetutës.

Deri në vitin 2005, Sali Berisha, humb tri zgjedhje: vendoret e vitit 2000 dhe 2003, si dhe parlamentaret e vitit 2001. Votimet e vitit 2001 shkaktuan një skandal pasi mazhoranca socialiste, për të siguruar shumicën e 2/3-ave prek legjitimitetin. Ndërkombëtarët e cilësojnë jo legjitime shumicën e cilësuar ndaj kërkojnë President konsensual. Berisha propozon Alfred Moisiun, Nano e pranon. Zgjidhjet Presidenti i parë me konsensus i historisë së re të shtetit shqiptar. Në këtë kohë nis stina pozitive për Sali Berishën, i cili ndërmerr një fushatë akuzash ndaj qeverisë së Fatos Nanos, për korrupsionin e përhapur në qeverisje. Në zgjedhjet e 2005-s fiton shumicën parlamentare dhe zgjidhet Kryeministër i vendit duke bërë aleancë me PBDNJ-në dhe agrarët e Xhuvelit, dy ish-aleatët e PS-së.

2005-2013

Qeverisja nis me një sukses real në arrestimin e një sërë bandave në vend dhe me një rritje të të ardhurave nga taksat e tatimet për buxhetin e shtetit. Ndërmerr një aksion për ndërtimin e infrastrukturës së madhe, që kulmon me Rrugën e Kombit përkatësisht autostradën Milot-Kukës. Një vepër e kushtueshme që ka si “xhevahirin” e saj tunelin e Kalimashit. Ndërtimi i jepet një joint-venture amerikano-turk, përkatësisht kompanisë “Bechtel-Enka”. Në aspektin politik, Berisha nis menjëherë sulmin ndaj Presidentit të Republikës së propozuar nga ai vetë, Alfred Moisiu, të cilit i kërkon shkarkimin e Kryeprokurorit Theodhori Sollaku, që nuk pranohet nga kreu i shtetit. Në vitin 2007, me ndihmën e disa deputetëve socialistë, President i vendit zgjidhet nënkryetari i PD-së, Bamir Topi. Mazhoranca e Berishës shpëton nga zgjedhjet e parakohshme. Situata polarizohet sërish duke sulmuar median kritike ndaj tij që arrin kulmin me ofensivën ndaj “Top Channel”. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, Berisha humbet në qytetet kryesore të vendit, përfshirë Tiranën. Në mars të 2008-s shpërthen një fabrikë demontimi municionesh në Gërdec ku gjejnë vdekjen 26 vetë e plagosen shumë të tjerë. Bëhet shkrumb një fshat i tërë. Më pas mediat publikojnë lajme që flasin për lidhje të djalit të Kryeministrit me biznesin e demontimit. Një shkrim i tillë botohet edhe në prestigjiozen “The New York Times”. Berisha i mohoi të gjitha akuzat. Vajza e Kryeministrit akuzohet vazhdimisht për lidhje me bizneset që përftojnë nga prokurimet publike të qeverisë. Në vitin 2008, Sali Berisha. arrin konsensus me liderin e opozitës, Edi Rama, të ndryshojë Kushtetutën e vendit, që i jep fuqi Kryeministrit dhe zbeh rolin e kreut të shtetit. Nis lufta ndaj Presidentit Bamir Topi dhe Kryeprokurores së Republikës, Ina Rama, e cila kërkon hetimet për dy ministra të qeverisë: Fatmir Mediun dhe Lulzim Bashën. Proceset ndaj tyre nuk u zhvilluan kurrë. Në vitin 2009, Kryeministri firmos një marrëveshje me qeverinë greke për delimitimin e kufirit detar, për të cilën shpërthejnë akuzat se i është dhënë territor Athinës nga hapësira detare shqiptare. Gjykata Kushtetuese e cilëson antikushtetuese marrëveshjen mes Tiranës dhe Athinës, Kryeministrit Berisha dhe homologut të tij grek, Kostas Karamanlis. Në zgjedhjet e 2009-s, Berisha arrin të fitojë një mazhorancë relative prej 70 deputetësh, por arrin një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim që ka 4 deputetë. Opozita konteston zgjedhjet, duke kërkuar rinumërim në tre qarqe. PD nuk pranon. KQZ dhe Kolegji Zgjedhor hedhin poshtë kërkesën e opozitës. PS kërkon të hapen të paktën kutitë e materialeve zgjedhore dhe nis një aksion protestash deri në grevë urie para qeverisë. Berisha pranon të negociojë, por jo të hapë kutitë. Ato digjen në praninë e kamerave. Materialet zgjedhore kyçen në arkivin e shtetit. Vendi po ecën drejt zgjedhjeve lokale me një polarizim të thellë, i ndarë në dysh. Pas publikimit të videos Meta-Prifti, opozita bën thirrje për protesta kundër korrupsionit. Para Kryeministrisë, më 21 janar të vitit 2011 mblidhet një masë shumë e madhe njerëzish. Atë ditë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” vriten 4 qytetarë pjesëmarrës në protestë. Prokuroria pas provave të certifikuara edhe nga FBI-ja amerikane akuzon krerët e Gardës së Republikës. Berisha në fillim akuzon opozitën për vrasjen, më pas ngre skenarin e puccit të armatosur kundër tij, duke akuzuar edhe Presidentin Bamir Topi, dhe Kryeprokuroren e Republikës, Ina Rama. Në maj të 2011-s zhvillohen zgjedhjet vendore ku PD humb sërish qytetet kryesore të vendit, ndërkohë që në Tiranë rezultati fitohet nga kandidati i PD-së, Lulzim Basha në tavolinë. Edi Rama fiton me rezultat të ngushtë (10 vota më shumë) nga numërimi i të gjitha votave të zgjedhësve, por PD thekson se duhet të numërohen votat e hedhura në kutitë e gabuara. Ndryshojnë rregullat e lojës në mes të procesit dhe rezultati përmbyset në favor të Lulzim Bashës. Ndërkombëtarët i cilësojnë vendimet e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor, në kundërshtim me ligjin. Ndërkombëtarët bëjnë thirrje për një pajtim mes palëve dhe konsensus. Kërkohen reforma parlamentare dhe flitet për një president konsensual të Republikës. Por në qershor të vitit 2012, Berisha zgjedh në postin e kreut të shtetit ministrin e Brendshëm, anëtar të kryesisë së PD-së, Bujar Nishani. Aleati i tij, Ilir Meta, pas këtij vendimi të Berishës arkitekton braktisjen e koalicionit që e konkretizon më 1 prill të 2013-s, kur realisht nis “rënia e lirë” politike e Partisë Demokratike dhe e Sali Berishës. E cila u vulos më 23 qershor. Kryetari i PD-së pranoi humbjen dhe shpalli dorëheqjen nga të gjitha postet drejtuese në partinë që e kryesoi prej 22 vjetësh. Cili ishte realisht Sali Berisha në jetën publike, një burrë shteti apo një politikan me autoritet që arriti të mbijetojë dhe dominojë mbi rivalët? Analiza bëhet natyrisht nga trashëgimia politike që ai ka shënjuar në muret e ngrehinës së shtetit shqiptar. E cila do të vazhdojë të bëhet edhe më ftohtë sa më shumë kohë të kalojë nga 26 qershori i këtij viti…

 

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.