Rama, Berisha dhe FMN

Postuar në 18 Korrik, 2013 05:11

Për të diskutuar rreth debatit të fushatës elektorale për rëndësinë e ‘rikthimit’ të FMN-së në Shqipëri duhet pikësëpari të interpretojmë rolin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në tërësi, si dhe arritjet apo impaktin e tij në Shqipëri, opinionet gjatë krizës për ekonominë shqiptare dhe së fundmi mbi debatin e qeverisë Berisha me këtë organizëm gjatë dhjetorit të vitit 2012. Kjo do të na ndihmonte për të kuptuar se çfarë mund ta presë ekonominë shqiptare në muajt e ardhshëm në rast se qeveria e re nënshkruan një marrëveshje me FMN. Gjithnjë në rast se kjo ndodh, do të ketë pasoja interesante ideologjike në raportin e majtë/ e djathtës shqiptare, dhe për rrjedhojë edhe në platformat elektorale të qeverisë së re.

Së pari, FMN është një organizatë ndërkombëtare që ofron financim si dhe këshillim për vendet anëtare për të patur rritje ekonomike dhe për të ulur varfërinë në vend. Gjithashtu që pas vitit 1971, FMN është shndërruar në një institucion që promovon ristrukturimin e ekonomisë dhe privatizimin si mënyrën më efikase për t’u bërë ballë krizave ekonomike në botë, duke bërë shumë ekonomistë, sipas profesorit anglez Harley, të mendojnë se FMN është një instrument i SHBA për të imponuar idetë neoliberale në vendet e varfra. Një dallim ideologjik që po ngjet dhe në Shqipëri, por që do ta trajtojmë pak më poshtë. Ajo që ka rëndësi të theksohet është se FMN në Shqipëri ka ofruar një asistencë të vyer ndër vite për të konsoliduar financat publike, për të trajnuar punonjësit e institucioneve publike etj. Por një shqetësim i kahershëm i qeverisë shqiptare përkundrejt FMN-së ka qenë konservatorizmi i shpeshtë i kësaj të fundit për parashikimet e saj dhe mundësitë e rritjes së ekonomisë shqiptare. Një konservatorizëm që shpeshherë ka qenë i gabuar. Për shembull, për vitin 2012 FMN parashikoi një rritje ekonomike me vlerë 0.5%, ndërkohë që sipas BERZH-it, një tjetër institucion i respektuar ndërkombëtar, rritja ekonomike ishte 1.6%. Kjo do të thotë që, në rast se ministri Bode besonte FMN-në në parashikimin e rritjes ekonomike, atëherë dhe politikat e qeverisë do të adaptoheshin duke ulur shpenzimet dhe investimet për vitin 2012, duke patur efekt akoma më negativ për ekonominë tonë.

Përsa i përket trumbetimit të rikthimit të FMN-së në Shqipëri duhet bërë kujdes të mos biem në kurthin e analizës së fjalorit politik. FMN nuk mund të rikthehet në Shqipëri, ajo nuk është larguar ndonjëherë si persona non grata nga vendi ynë, përkundrazi, FMN çdo vit është prezente me stafin e saj për të analizuar në detaje të dhënat e financave publike dhe monetare të vendit tonë. Ajo publikon çdo vit të ashtuquajturin Nenin Katër të Konsultimit, ku detajon mendimin e saj për ekonominë dhe propozimet e qeverisë për shqetësimet ekonomike. Në vitin 2009 përfundoi një program trevjeçar mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së për Uljen e Varfërisë dhe Rritjen Ekonomike, një program i ngjashëm nuk u ripërtëri nga qeveria e atëhershme. Faktikisht FMN ofroi dhe një marrëveshje Stand-By Arrangement (SBA) që lejonte shtetin shqiptar të merrte hua prej saj në rast krize pa patur nevojë për reforma strukturore të ekonomisë, njësoj siç bëri Hungaria në tetor të vitit 2008, ku mori 25 miliardë euro për një periudhë 17-mujore. Por ndryshe nga ç’interpretohet sot dhe çfarë ndodhi me financat publike dhe ekonomitë e shumë vendeve lindore në mes të krizës, Ann-Margret Westin, përfaqësuesja e përhershme e FMN-së në atë periudhë deklaroi “se rastit të Shqipërisë, unë besoj se mund t’i referohemi si rast suksesi, me rritje të fortë ekonomike dhe politika të shëndosha dhe marrëdhënie të shkëlqyera me autoritetet, që kanë ekzistuar me shumë qeveri (të majta e të djathta)”. Meqenëse përmendëm Hungarinë pak më lart, duhet thënë se në fillim të gushtit ky shtet nuk do të rinovojë marrëdhëniet me FMN-në.

Gjithashtu, duke parë se çfarë rekomandimesh bëri FMN në raportin e saj për ekonominë shqiptare, mund të marrim një shije të politikave të ardhshme në rast se qeveria e re nënshkruan një marrëveshje survejimi të ri me FMN. Sipas kësaj të fundit, Shqipëria ka qenë e suksesshme në eliminimin e efekteve serioze të krizës globale gjatë katër viteve të fundit, por vazhdimi i krizës në eurozonë sjell ngadalësim të ekonomisë dhe rreziqe të reja. Gjithashtu, ajo shkruan se qeveria kishte marrë parasysh të gjitha rekomandimet e FMN-së për të mbikëqyrur sektorin financiar, për përgatitje ndaj krizës, si dhe masat për sistemin bankar; por shumë pak hapa ishin ndërmarrë për konsolidimin fiskal. Për të adresuar këtë të fundit, FMN sugjeron rritje të nivelit të taksave në Shqipëri, si në të ardhurat personale ashtu dhe në tatim-fitimin. Gjithashtu, ajo sugjeron që të rishikohet skema aktuale e pensioneve, një reformë që fatkeqësisht nuk është përmendur asnjëherë gjatë fushatës. Sipas FMN-së këto politika janë të nevojshme për të ulur borxhin publik deri në 40% të PBB-së në vitin 2022, ose 57% në vitin 2017.

Në rast se kjo politikë implementohet nga qeveria e re, atëherë është e qartë se me rritjen e taksave qeveria e ardhshme kërkon që të shlyejë borxhin, dhe jo të rrisë shpenzimet. Gjithashtu, në një periudhë kur FMN kërkon ulje të shpenzimeve, kjo do të ketë impakt të menjëhershëm në premtimet elektorale për legalizim falas, për heqje të TVSH-së për produktet ushqimore apo për reformën në sistemin shëndetësor. Është interesante se çfarë trashëgimie do të linin dy partitë politike pas katër viteve qeverisje. Qeveria aktuale faktikisht mori përsipër të realizojë stimul fiskal për të tejkaluar të gjitha vështirësitë ekonomike që erdhën prej krizës globale duke rritur dhe borxhin publik. Nga ana tjetër, në rast se qeverisja e majtë PS-LSI do të ketë në axhendë respektimin e kërkesave të FMN-së, atëherë ata do përfundojnë në ulje konsistente të shpenzimeve publike dhe politika, deri diku, të djathta. Sinteza neoklasike në kushtet shqiptare.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.