Qeveria Rama: E re, femërore, provokuese

Postuar në 03 Gusht, 2013 04:35

Qeveritë e reja gjithmonë, dhe ndoshta për arsye psikologjike më shumë se të çdo lloji tjetër, mund të shoqërohen me një aurë optimizmi dhe shprese. Ua jep këtë pah natyra njerëzore, e cila e do një hov të ri, një pikënisje tjetër, një erë ndryshimi. Te kjo erë, duhet thënë, strehohet edhe “fati i parë” i qeverisë Rama, të shpallur tri ditë më parë. Optimizmin dhe shpresën i ka pra në favor.

Por qeverive nuk u mjafton vetëm konteksti, madje ai mund të kthehet shpesh kundër tyre me kalimin e kohës. Për të kuptuar disi teksturën e qeverisjes së nesërme duhet të raportojmë edhe ç’shohim, ç’ndjejmë e ç’gjykojmë mbi përbërjen e kabinetit të ofruar në “pjatë të argjendtë” nga kryeministri i ardhshëm, Edi Rama. Një lexim paraprak i listës dhe i tipologjisë së figurave dhe një përpjekje për ta futur gjithë “shtrirjen” qeveritare në një bërthamë me pak fjalë, do të na çonte, pothuajse arbitrarisht, te: qeveria Rama është e re, femërore, provokuese.

E re sepse, përjashto Shkëlqim Canin, një nga ata emra që i kundërvënë shkëlqimit të vet të errëtën e historisë së një ish-aparatçiku komunist, qeveria përbëhet nga individë në të tridhjetat e ndonjë edhe në të njëzetat. Mosha mesatare e saj gjithsesi është nën të dyzetat, në një vështrim të shpejtë jo matematikë të prerë, çka e bën kabinetin pothuajse një ekip kohe lufte, një bashkim post-revolucion i prerë në idealet e tij, dhe me idenë e një ndryshimi të madh në sy.

Femërore, sepse një e treta e kabinetit, plot gjashtë prej tyre, janë gra, si asnjëherë më parë në historinë e qeverisjeve shqiptare, fakt të pranuar edhe nga një armik i vetëshpallur që në krye i kësaj qeverie të ardhshme, kryeministri në detyrë, Sali Berisha. Mimi Kodheli është një përzgjedhje provokuese dhe pothuajse djallëzore e Ramës duke vënë në krye të ushtrisë, një ushtrie të një vendi anëtar të NATO-s, një grua të hijshme dhe elegante. Gratë e tjera vijnë gjithashtu nën shenjën e njëfarë guximi, a marrëzie në daç, duke qenë se janë pothuajse të paprovuara në punët e shtetit.

Provokuese, sigurisht shumë e tillë, edhe për faktin se është e re dhe femërore, por edhe se kjo qeveri është një listë e prerjes Rama, njëfarë vështrimi i tij mbi botën dhe Shqipërinë, një dalje nga shtampat që zakonisht shoqërojnë përzgjedhjet qeveritare në Shqipëri, të llojit: një mysliman, një ortodoks, një katolik, një shkodran, një vlonjat, një minoritar, një kështu e një ashtu. Qeveria e Ramës nuk e ka një minoritar grek në të dhe kjo për herë të parë në kaq shumë herë. Rama ka në këtë seleksion sigurisht, të bindurit e tij, por edhe një bast me vete e me të tjerë. Është një qeveri provokuese sepse është një opozitë sfidante, është një qeveri sfidante sepse Edi Rama kërkon të realizojë një sfidë dhe një provokim që e nisi që herët në vitin 1991, një që i doli huq.

Kjo skicë për qeveri, e parë nën lentet e pozitivitetit, nuk është një ndërrim pllake siç këto ditë në ndërmjet qeverish kemi parë shpesh e deri në gërdi. Jo, është një shënim nën psikologjinë e shpresës dhe optimizmit. Nëse kjo qeveri dëshmohet e virtytshme, edhe opozita e djathtë do të jetë nën trysninë e virtytit. Në një përplasje të tillë fiton Shqipëria. Për kritika e kundërvënie do të ketë kohë me shumicë, dhe ndoshta këtij editoriali do t’i duhet të mësohet me vetminë e së nesërmes kur kjo qeveri të dalë nga skica e të bëhet vetvetja e plotë.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.